Ish-kreu i parlamentit, Kastriot Islami rrëfen në studion e emisionit “Kjo Javë” situatën e krijuar në maj 1991 kur kërkohej krijimi i qeverisë Kombëtare, largimi i Nanos e zgjedhje të lira.

“Situata ishte komplekse, nga pikëpamja politike kërkohej të bëhej ndryshimi, të kalohej nga maxhoranca që kishte PPSH në të PD-së. Duhej bërë ky kalim, që kishte ndodhur në gjithë vendet e tjera. Meraku nga PPSH ishte që ky kalim të bëhej sa më butë, pa gjakderdhje e tensione sociale. Gjendja ekonomike ishte e rrënuar shumë. Në zgjedhjet e marsit 1991 pati debate shumë të mëdha sepse ndodhi ngjarja në Shkodër. Për këtë shkak opozita i kontestoi zgjedhjet dhe parlamenti u mor me ngjarjen e 2 prillit, ndërkohë që duhej ngritur edhe qeveria. Qeveria e parë me Nanon kryeministër nuk arriti të funksiononte se u bllokua nga greva e përgjithshme, që përveç aspektit politik, mund të rrënonte aspektin ekonomik e të çonte në krizë sociale. Kështu kalimi u bë me tre faza. Qeveria Nano ra, u bë qeveria e parë që ishte Ylli Bufi kryeministër, pas 6 muajsh u bë qeveria e dytë me Vilson Ahmeti kryeministër, më pas u bënë zgjedhjet dhe ndryshoi situata. Pra, është dashur të kalohej në tre faza që të shmangej përplasja politike, që mund të shkonte deri rrënim ekonomik e gjakderdhja”, u shpreh ai, ndërsa ndalet të komentojë edhe debatet që zhvilloheshin aso kohe në parlament.

“Debatet ishin intensive për të mos thënë agresive dhe PD kishte një grupim shumë të përgatitur, që drejtohej nga Berisha, dhe kishte një mbështetje të veçantë nga SHBA. PD bënte shumë presion, ndërsa PS toleronte. Në përgjithësi nuk kishte degradim debati, ruhej etika e sulmit personal. Debati ishte i ashpër ideologjik, dhe me shumë përgjegjshmëri. Ajo që e bënte parlamentin edhe më të kujdesshme ishte transparenca maksimale, publiku e ndiqte me shpresë e besim. Parlamenti kishte kryesinë që përbëhej nga tre veta, dy i takonin PS dhe një PD. PD zgjodhi Aleksandër Meksin si një nga njerëzit me eksperiencë, jo politike sepse nuk kishte, por profesionale. Të gjitha mbledhjet e kryesisë ishin të hapura dhe vendimet merreshin me konsensus. Nuk abuzohej me fjalën”, rrëfen Islami.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb