TIRANE- Në Shqipëri komuniteti i të moshuarve përballet me një sërë problematikash sociale, madje dhe etnike, me në fokus diskriminimin dhe përjashtimin social. Të moshuarit e komunitetit egjiptian janë ata që vuajnë diskriminimin më të madh. Sipas Kryetarit të Minoritetit të Egjiptianëve të Shqipërisë, drejtuesit të shoqatës “Sfinski”, Arjan Lile, është vënë re se të moshuarit egjiptianë dhe ata romë nuk marrin shërbime në qendrat e ndryshme për të moshuarit në Tiranë dhe në rrethe. Kjo, sipas tij, vjen edhe për pasojë se kjo grup-moshë nuk ka të ardhura të mjaftueshme që të regjistrohen pranë këtyre qendrave sociale. Sipas tij, të moshuarit e këtij komuniteti jetojnë në varfëri ekstreme, ndaj edhe jetëgjatësia e tyre është në moshën 62-65-vjeç.

“Pas disa vizitave në qendra të ndryshme për të moshuarit në Tiranë dhe rrethe, pamë se nuk kishte të moshuar nga komuniteti egjiptian apo ai rom. Gjatë bisedave që patëm me drejtues të këtyre institucioneve, njëra nga drejtueset e qendrës së përkujdesit të të moshuarve na tha se, ‘nga këto komunitete nuk kemi, pasi ata s’mund t’i përballojnë shpenzimet që ofrojnë qendrat tona, qofshin edhe ato ditore’. Komuniteti i Egjiptianëve të Shqipërisë, ashtu edhe ai Rom, janë më të diskriminuarit dhe me të ardhura më minimale jetike, ku në disa familje nuk mund të sigurohet as minimum jetik, ndaj edhe jetëgjatësia te këto mosha nuk i kalon 62-65 vjeç”, – sqaron Arjan Lile.

Sipas tij, pengesë për të marrë shërbime në këto qendra sociale, veç mungesës së njohurive, janë edhe procedurat e shumta që kërkohen për regjistrim, por edhe tarifa që të moshuarit duhet të paguajnë.

“Si përfaqësues i Komunitetit të Egjiptianëve Shqiptarë dhe si punonjës social, do të rekomandoja: reduktim të procedurave të regjistrimit të pranimit në qendrat e përkujdesit për të moshuarit; ‘zbutje’ të tarifave ditore/ mujore për këtë target-grup dhe të tjerë; përmirësim të kushteve të jetesës ndaj të moshuarve; trajnime për familjet e reja që mbajnë të moshuar në shtëpinë e tyre, si edhe për stafet që ofrojnë shërbime sociale për të moshuarit”, – rekomandon Arjan Lile.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb