Presidenti i Nderit, Safet Gjici foli sot para mediave në një konferencë shtypi. Gjici u ndal te incidenti i ndodhur në ndeshjen Kukësi-Partizani, teksa foli edhe për ecurinë e ekipit të parë por edhe për projektin e shtimit të fushave të futbollit në qytetin e Kukësit dhe në fshatra.

“Dënimi për tifozët? Ajo çfarë unë sot do iu thoja tifozëve, është se kjo vepër madhështore e bërë në Kukës, një stadium madhështor është bërë pikërisht për standarde në sport. E patë se me presidentin e FSHF inaguruam fushën stërvitore.

Lojtarët janë për të bërë gola. Nëse një lojtar shënon dhe goditet duke dëmtuar investimin dhe imazhin nuk është normale. Në fakt ka tifoza Kukësi por janë një pjesë që nuk duhen pranuar në stadium. Me sa di unë policia ka bërë veprimet e veta për personin përgjegjës në kundërshtim me ligjin. Stadiumi monitorohet nga kamera.

Pamjet filmike janë dërguar në polici dhe ai person është para drejtësisë. Këto persona jo vetëm që do të dënohen por nuk do të lejohen më në stadium. Ato që prishin stadiume të reja, nuk i duhen ekipit të Kukësit. Kërkoj nga Security dhe Policia Bashkiake që të merren masa ekstreme. Të respektohet rregullorja 100%.

Ju lutem tifozëve që e duan Kukësin dhe që janë shumë por që vijnë 10-15 pseudotifoza të mos i lejojmë në stadium. Të shkaktosh dëm ekonomik sepse kemi paguar miliona nga këta persona. Të dënosh tifozat pa asnjë faj dhe klubin, do të kërkojmë llogari. Ka dalë edhe ligji që policia bashkiake ka detyrim ligjor për të sigurar ndeshjen. Ne do ti evidentojmë të gjithë personat problematikë.

5 fitore radhazi mes Kupës e kampionatit?

Natyrisht që rezultatet tregojnë se Kukësi ka ekip. Është puna e mirë e trajnerit me rezultate dhe e shoh në ngjitje por kanë akoma për të dhënë. Kampionati është i gjatë dhe nuk e percaktojnë 3 ndeshje. Ishte fillimi më i keq por besoj se e ka marrë veten. Duhet të jemi me këmbë në toke sepse të gjitha ekipet janë aty-aty.

Edhe me Erzenin kishim probleme që natyrisht trajneri i sheh dhe stafi teknik i shohin. Kështu është futbolli. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të marrim ndeshjet një nga një e të shkojmë te objektivi që kemi dhe kërkojmë mbështetjen e tifozëve pasi u kthyem në Kukës që të fitojmë të gjitha ndeshjet.

Ky stadium është pronë e të gjithëve. Nuk duhet të lejojmë që të vijnë palo tifozë për të shkatërruar ndeshjen. Unë nuk do të lejoj më që këta tifozë të bëjnë të tilla gjestesh. Nuk duhet të bëjnë gjëra të shëmtuara.

Kompleksi i ri sportiv “Ilirjan Thaçi” dhe akademi në Kukës?

Ju e patë që sa u hap fusha erdhën shumë njerëz. U pa se çfarë zhvillimi ka. Disa thonin pse stadium. Ja që stadium sjellë anë ekonomike sepse nuk është vetëm për ndeshje. Shumë fëmijë kanë ardhur aty. Kukësi U21 kishte tifozë sa një ndeshje e ekipit të parë.

Për fëmijët e Kuksianëve, do të shkojmë drejt ndërtimit të një akademie. FSHF dhe Qeveria kanë kërkuar tokë në Kukës për të ndërtuar edhe fusha të tjera stërvitore. Në Shishtavec do të bëhet një fushe, një në Shtiqën, një në Bicaj dhe 3 në qytet. Besoj se do të kemi një akademi sepse duam prodhim nga qyteti jonë.

Ekipi është i Kukësit por normalisht do të ketë edhe lojtarë nga jashtë dhe nga qytete të tjera. Fanella e Kukësit tani ka shumë peshë. Do ti vijë koha edhe akademisë por duhet që brenda vitit 2023 të përfundojmë të gjitha këto fusha. Përveç fushës qe kemi, do të kemi edhe 5-6 fusha të tjera”, tha Presidenti i Nderit, Safet Gjici.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb