Nga: MUZAFER KORKUTI*
Në vijim të iniciativës së Kancelares Merkel, konkretizuar në Konferencën Ndërqeveritare mbi Ballkanin Perëndimor…… në Berlin, gusht 2014, Akademia Kombëtare Gjermane Leopoldina, organizoi Konferencën e Përbashkët Shkencore për Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Konferenca u zhvillua më 16 korrik 2015 në qytetin Halle, ku ndodhet selia e Akademisë Leopoldina. Më 17 korrik 2015, takimi vijoi në Kancelarinë Federale në Berlin. Morën pjesë kryetarët e akademive kombëtare të shkencave dhe kryetarët ose përfaqësues të konferencave të rektorëve të Shqipërisë (përkatësisht akad. Muzafer Korkuti dhe prof.dr.Dhori Kule), Austrisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Sllovenisë, Kroacisë e Italisë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve pjesëmarrëse, si dhe të Francës, që është përfshirë në iniciativën për Ballkanin Perëndimor. Me ftesë të fondacionit Humbold, u bënë pjesë e konferencës dhe e diskutimeve, studiues të njohur nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në cilësi personale. Ky takim mendohet të jetë fillimi i një serie konsultimesh të përbashkëta dhe formave të tjera të bashkëpunimit për periudhën 2015-2018 e më tej.
Iniciativa e Qeverisë Gjermane synon të rikonfirmojë angazhimin evropian për Ballkanin Perëndimor dhe të konsolidojë përpjekjet e ndryshme për të integruar rajonin në BE, e orientuar në 3 drejtime kryesore: i) zgjidhjen e çështjeve politike, ii) zhvillimin ekonomik të rajonit duke përmirësuar infrastrukturën rajonale dhe iii) rritjen e bashkëpunimit shkencor e shoqëror, i cili përfshin një bashkëpunim intensiv të faktorëve të shkencës, arsimit dhe kërkimit në rajon.
Në hapje të Konferencës, Kryetari i Akademisë Leopoldina, prof. Hacker referoi mbi çështjen: “Europa në perspektivë: Ndërtimi i të ardhmes bazuar në shkencë”, duke u fokusuar në tri aspekte kryesore: i) sfidat e mëdha për zhvillimin e sistemit të shkencës në nivel kombëtar dhe evropian; ii) mjetet dhe format për të intensifikuar bashkëpunimin shkencor mes Europës Juglindore dhe BE; iii) format për të institucionalizuar dialogun mes shkencës, shoqërisë dhe politikës dhe termat prioritare.
Akademia Leopoldina është një zë i pavarur i shkencës, që është e domosdoshme në këtë mision të shkencës kundrejt vendimmarrjes dhe politikëbërjes. Shkenca ka detyrë të informojë politikën, por edhe publikun njëkohësisht, të ofrojë dhe të kontribuojë me argumente në debate të rëndësishme publike që lidhen me aspekte të shkencës e kërkimit. Prof.Hacker, në vazhdim përmendi një eksperiencë konkrete, mbledhjen më të fundit të G7. Para mbledhjes, Kancelaria Merkel i kërkoi akademisë që në bashkëpunim me 6 akademitë e tjera të vendit të parashtronin çështjet më të rëndësishme që shkenca sugjeron se duhen trajtuar me përparësi.
Në emër të vendit organizator – Landit të Saksonisë, përshëndeti Ministri i Shkencës dhe Ekonomisë, z.H.Mollring, i cili vuri në dukje rolin e rëndësishëm që mund të luajnë akademitë e shkencave, nëpërmjet bashkëpunimit mes tyre në zhvillimin e përgjithshëm të rajonit. Gjermania jep një shembull për këtë, tha Mollring, duke iu referuar modelit të Kancelares Merkel, që e konsideron Akademinë Kombëtare të Shkencave Leopoldina si “Zërin e shkencës gjermane”, në Gjermani, por edhe në sferën ndërkombëtare. Ky koncept është i nevojshëm në funksion të ndërtimit të dialogut mes shkencës dhe politikës. Gjermania synon që me këtë orientim, të përmirësojë vlerën e shtuar që buron nga transformimi i teknologjisë, inovacionit dhe zhvillimit shkencor. Gjithashtu, theksoi ministri, shkenca ka një rol të veçantë në sferën e diplomacisë shkencore për zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve, duke investuar në bashkëpunimin në drejtim të shkencës dhe ekonomisë, që i mundëson edhe kapërcimin e ndarjeve historike. Motoja “të ndërtojmë të ardhmen bazuar në shkencë” reflekton në këtë mënyrë të menduarit në Evropën e sotme.
Në pyetjet e komentet e akademikëve e profesorëve u vu theksi tek rëndësia e bashkëpunimit në shkencë, arsim e kërkim, tek nevoja e rivendosjes së një kuadri për dialogun shkencë-politikë-shoqëri, me synimin për të sjellë një ekspertizë të paanshme në procesin strategjik të integrimit evropian. Dialogu mes shkencës dhe politikës është i vështirë dhe shpesh politika nuk arrin të kuptojë problemet dhe interesat e njeri-tjetrit dhe të shtrojë rrugën për një dialog e bashkëpunim të frytshëm. Në këtë dialog një rol të veçantë luan media, e cila duhet të jetë më pranë shkencës.
Në qendër të debateve ishte edhe sistemi i vlerësimit bazuar në meritat shkencore. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me atë Evropian e bën një domosdoshmëri kuadrin e përgjithshëm e të plotë të vlerësimit të meritave shkencore. Sidomos në studimet e doktoraturës vërehet një cilësi e pamjaftueshme pavarësisht se numri i tyre, në disa vende, është i kënaqshëm. Natyrisht numri i tyre lidhet ngushtë me kapacitetet e brendshme, me fondet e mundshme, me projektet e angazhuara, me bashkëpunimin etj. Kështu Kroacia mundëson afro 2000 doktoratura në vit, Serbia 1200-1400, Sllovenia 700 dhe Shqipëria rreth 1400 në vit (shifër e përafërt për vitet e fundit). Të gjithë pjesëmarrësit vunë theksin në cilësinë e standardin e doktoraturave, ndaj bashkëpunimi i vendeve të rajonit është parësor për të ruajtur nivelin bashkëkohor, për t’i bërë më efektive shpenzimet dhe infrastrukturat përkatëse.
Në ditën e dytë Konferenca i zhvilloi punimet në ambientet e Kancelarisë Federale në Berlin. Dr.Heusgen, Drejtor i Përgjithshëm dhe Këshilltari i Kancelares Merkel për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, në fjalën hyrëse dhe atë konkluduese, vuri theksin në rëndësinë e hartimit dhe implementimit të projekteve të përbashkëta në infrastrukturë, energji dhe transport nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të partneritetit publik privat dhe bashkëpunimit shkencor mes vendeve të rajonit. Në kontekstin e shkëmbimit rinor Dr. Heusgen falënderoi Kryeministrat e Shqipërisë dhe Serbisë për marrjen e nismës në hartimin e një dokumenti bazë, i cili hap rrugën e bashkëpunimit rajonal në këtë fushë. Ai vlerësoi diplomacinë shkencore si një mekanizëm të dobishëm për politikën ndërkombëtare. Gjithashtu solli si shembull modelin gjerman si funksionon, që politika të drejtojë vëmendjen nga shkenca. Ndërkohë ai vërejti se në diskutimet e përfaqësuesve të Ballkanit, konstatohet se marrëdhënia mes shkencës dhe politikës nuk duket në një nivel të favorshëm. Kjo bën diferencë me vendet e BE dhe sidomos me Gjermaninë, dhe një nga arsyet është se vetë Kancelarja Merkel vjen nga rrethet akademike, ka qenë pjesë e komunitetit shkencor. Ai theksoi se ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes investimit në shkencë e kërkim dhe performancës dhe suksesit në ekonomi dhe sfera shoqërore. Vende si Gjermania, Kina, SHBA, etj, kanë investuar në nivele të larta në shkencë për një periudhë të gjatë dhe kanë arritje të qëndrueshme. Ndërsa vende si Franca, Spanja etj., për një periudhë të gjatë (mëse një dekadë) kanë pasur nivele të reduktuara në investimin për shkencë, kërkim e novacion teknologjik. Këto vende e përjetuan më keq krizën ekonomike dhe kapërcimi i saj duket akoma i ngadaltë. Në Konferencën e Vjenës në gusht 2015, pala gjermane do të ndërhyjë që qeveritë e Ballkanit Perëndimor të arrijnë në 3% GDP për investimet në shkencë e inovacion. Tashmë ky është bërë një vendim dhe standard i BE. (Për vitin 2015 Shqipëria investoi 0,11% të GDP, Kosova 0,7%, Serbia 0,3%, Sllovenia rreth 2% dhe Kroacia ka nivelin më të lartë të investimeve në shkencë në rajon).
Punimet e Konferencës u mbyllën me hartimin e një deklarate të përbashkët bazuar në propozimet e palëve hartuar para konferencës, në referimet e diskutimet gjatë punimeve, si edhe në rekomandimet për çështje specifike.
-Vendet e rajonit do të angazhohen të përqendrojnë burimet dhe të kenë përdorim të përbashkët të infrastrukturës (kërkimore, arsimore, ambientet dhe pajisjet bazë) jo vetëm në nivel kombëtar por edhe rajonal. Duke shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të sistemeve të vlerësimit për kërkim, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe në krahasim me ato të Bashkimit Evropian.
-Vlerat themelore ngelen: Ekselenca, konkurrimi i ndershëm, liria e kërkimit, dialogu dhe cilësia e kërkimit. Është e nevojshme të vendosen mënyra kontrolli e përgjegjshmërie në sistemin e shkencës, sisteme vlerësimi për kërkim, që janë të besueshme, të krahasueshme, me synimin e përcaktimit të standardeve të denja për kërkim, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor por të krahasueshme me ato të Bashkimit Evropian.
-Bashkëpunimi rajonal ka nevojë për ndryshim. Për këtë duhen forma të reja që të lidhin shkencëtarët e vendeve të Ballkanit me ato të BE-së. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një potencial të madh shkencor, që në kushtet e kufizimeve dhe reduktimeve buxhetore dhe mungesës së stabilitetit politik, duhet të organizohen në qendrat e përbashkëta kërkimore ekselence. Qendra të tilla duhet të jenë në nivel ndërkombëtar (rajonal), ndërdisiplinor, duhet të kenë mbështetje për të krijuar akses në programet shkencore të financuara nga BE sidomos Horizon 2020. Bashkimi i përpjekjeve sjell më shumë shanse e sukses në aplikimet për kërkim fondesh.
-Mbështetja dhe financimi i sistemeve shkencore kombëtare është domosdoshmëri, jo vetëm në planifikimin afatshkurtër, por edhe afatmesëm e afatgjatë. Ndërsa në Ballkan shkenca shihet më tepër si shpenzim, Evropa e sheh si investim. Shkenca nuk ka nevojë të jetë modeste në parashikimin e nevojës për një buxhet të denjë për zhvillim. Niveli 3% i GDP, për kërkim e shkencë është tashmë një vendim i marrë nga Bashkimi Evropian që duhet të konkretizohet nga vendet e rajonit.
-Evropa beson në fuqinë transformuese të shkencës. Për këtë arsye ekspertiza dhe dija shkencore duhet të bëhen pjesë e vendimmarrjes, si në politikë edhe në shoqëri. Rajoni ka nevojë të zbatojë këshillimin për politika bazuar në shkencë. Fuqia e butë por bindëse e shkencës dhe diplomacisë shkencore, duhet të kontribuojë për përmirësimin strukturor të situatës së përgjithshme në Ballkanin Perëndimor dhe për të gjitha proceset që çojnë drejt integrimit, kohezionit dhe gjithëpërfshirjes.
-Shkencëtarët e rinj duhet të kenë hapësirën e tyre në sistemin e shkencës, që të jenë në gjendje të ndërtojnë një karrierë të përhershme e të denjë dhe të kenë motive të qëndrojnë në vendet e tyre. Rrjedhja e trurit është një nga rreziqet më serioze për vendet e Ballkanit Perëndimor.
-Ka nevojë imediate për të vendosur një dialog mes shkencës – politikës – shoqërisë në Ballkanin Perëndimor. Për këtë qëllim duhen zbatuar mekanizma të institucionalizuara të dialogut. Institucionet e shkencës duhet të ndajnë mes tyre dije dhe mbështetje teknike për ndërtim kapacitetesh dhe të mësojnë nga praktikat dhe modelet më të mira në rajon dhe më gjerë.
Konferenca e Përbashkët shkencore në Halle e Berlin do të shërbejë si platformë bazë në sistemin e shkencës në dimensionin më të gjerë shoqëror. Palët do të koordinojnë për të planifikuar aktivitetin në periudhën që do vijojë dhe në harmonizimin me vendimet që do të marrë Konferenca e Vjenës për Ballkanin Perëndimor, në gusht 2015.
* Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: