Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi u shpreh se LSI ka qenë pro dhe një avokate promovuese e garantimit të të drejtës së votës të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Kryemadhi u ndal në tre çështje kryesore për t’i adresuar.

Në konferencën e organizuar nga KQZ të Nivelit të Lartë me temë “Votimet nga jashtë, koha është tani!”, ajo gjithashtu theksoi se Kodi Zgjedhor aktual është i deformuar.

“Faleminderit për ftesën. Do të doja të mos i quajmë emigrant ë, pro shtetas shqiptarë. Që prej themelimi të saj LSI ka qenë pro dhe avokate promovuese e garantimit të te drejtës së votës. Ne si subjekt politik adresojmë çështjen e regjistrimit të shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë Shqipërisë. Por si mund të jetë regjistrimit, nëpërmjet E-Albania.? Përgjigja është se shumë pak shqiptarë janë të regjistruar… Mënyra e votimit është një tjetër çështje që duhet të adresohet. Po ashtu aktualisht në Kodin Zgjedhor nuk është parashikuar se ku do ta japë efektin vota e tyre”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së deklaroi se shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit, shtrembëroi njëanshmërisht sistemin zgjedhor, dhe ky sistem zgjedhor tashmë i deformuar prodhoi një rezultat zgjedhor të manipuluar, nga ku rezultoi se Subjekti Lëvizja Socialiste për Integrim edhe pse u votua nga rreth 110 mijë zgjedhës, arriti të marrë vetëm 4 mandate përfaqësimi në Kuvendin e Shqipërisë.

FJALA E PLOTË
Fjala e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi në tryezën ‘Votimi jashtë vendit, koha është tani’

TË NDERUAR PJESËMARRËS,
E kam mirëpritur me kënaqësi ftesën e KQZ për këtë nismë të ndërmarrë sëbashku me OSBE, për të përfshirë aktorët kryesorë politikë, si dhe partnerët kryesorë ndërkombëtarë, në një tryezë të përbashkët për diskutimin e më pas implementimin efektiv të votimit të shtetasve shqiptarë nga jashtë vendit.
Që prej themelimit të saj, Lëvizja Socialiste për Integrim, në raport me të drejtën e ushtrimit të votës së shtetasve shqiptarë në vendet ku ata kanë banim të përhershëm, pra jetojnë dhe punojnë, ka qenë përherë pro dhe avokate promovuese e garantimit të kësaj të drejte.
Kjo votë dhe përfshirja aktive në proceset zgjedhore, do të rriste edhe më tepër lidhjen e diasporës tonë, të shtetsave tanë jashte vendit me Shqipërinë, që dita ditës po sheh një brain-drain shpopullues.

Votimi i shtetasve shqiptarë nga jashtë vendit, është diskutuar dhe dakordësuar edhe në Këshillin Politik (i krijuar me dakordësi nga PS-PD-LSI në janar 2020), i cili i parapriu ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të vitit 2021, për të cilat LSI ka luajtur një rol konstruktiv. Këto ndryshime janë materializuar tashmë në nenet 24 dhe 25 të Kodit Zgjedhor.

Ne si subjekt politik, duke dhënë në parim dakordësinë tonë për ushtrimin e së drejtës së votës së shtetasve shqiptarë në vendet ku ata banojnë, kemi 3 çështje kryesore të cilat duam t’i adresohen dhe konkretisht:
Çështja e parë që duhet të adresojmë bashkarisht, është regjistrimi i shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë Shqipërisë.
Neni 24 i Kodit Zgjedhor parashikon se: Një shtetas shqiptar me banim jashtë Shqipërisë, që të ketë mundësi të votojë nga jashtë Shqipërisë, së pari ai duhet të jetë i regjistruar ne regjistrin e Gjendjes Civile dhe të deklarojë adresën e banimit të përhershëm jashtë Shqipërisë.
Cila është infrastruktura që ne do të përdorim për këtë gjë? Nëpërmjet E-albania? (A rrezikojmë të na dalin të dhënave personale siç dolën në rastin e patronazhistëve?
Do t’i regjistrojnë ambasadat tona, apo do të shkojnë shqiptarët të votojnë në ambasadat tona? Pra, sa i besueshëm është si proces?

Mirëpo, sa shtetas shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë ?
Mendohet se jashtë vendit jetojnë mbi 2.5 milionë shqiptarë.
Siç jeni në dijeni, ne kemi miratuar edhe Ligjin nr.14/2016 “Për identifikimin dhe Regjistrimin e Adresës së Shtetasve Shqiptarë që jetojnë jashtë”.
Ne Mars 2021 kanë qenë të regjistruar në Regjistrin e Zgjedhësve pak më shumë se 3 mijë shtetas.
Pra, nga mbi 2.5 mln shqiptarë jashtë Shqipërisë, mund të votonin në 25 Prill vetëm 3 mijë.
Ndërsa sot janë diçka më pak se 9 mijë shtetas shqiptarë, nga të cilët vetëm rreth 6 mijë shtetas kanë të drejtën e votës.
Atehere si do të stimulojmë shtetasit shqiptarë të regjistrohen? Unë propozoj që të kemi incentiva pozitive ndaj shtetasve shqiptare që jetojnë jashtë vendit, në mënyrë që ata të stimulohen për t’u regjistruar.

Çështja e dytë që duhet të adresojmë është në fakt më kryesorja dhe konkretisht: Mënyra e votimit. Në nenin 25/1 të Kodit Zgjedhor, parashikohet se: “Pavarësisht nga procedura e votimit, manuale ose elektronike, votat e votuesve nga jashtë vendit administrohen nga KQZ-ja, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj”.
Më tej neni 25/3 të Kodit Zgjedhor parashikohet se: “Garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në KQZ gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materialit zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim, nuk mund të jenë më të ulëta sesa ato për votimin brenda vendit”.
Ne si pale e interesuar drejtpërdrejt në këtë proces, lidhur me këto dy garanci thelbësore për të gjithë aktorët politikë dhe veçanërisht për opozitën jemi shumë të interesuar të njihemi me metodën apo rrugën që po eksploron KQZ për t’i plotësuar këto kritere ligjore.

Këto garanci nuk duhet të aprovohen vetëm për opozitën e sotme por dhe për opozitën e ardhshme mirëpo kjo është dhe një nga garancitë për të krijuar dhe një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm në mënyrë që të gjithë shqiptarët jashtë Shqipërisë të kenë qeverinë që ata edhe e votojnë.

Çështja e tretë që duhet të adresojmë është se: Aktualisht në Kodin Zgjedhor nuk është parashikuar se ku do ta japi efektin vota e shtetasve shqiptarë nga jashtë vendit.
A do të krijojmë një Zonë të Re Zgjedhore? Pra, diaspora të konsiderohet një zonjë zgjedhore me numrin e caktuar të deputetëve përfaqësues për ta.
Apo, vota e tyre do ta japi efektin në zonën zgjedhore ku ishte regjistruar shtetasi shqiptar përpara largimit nga Shqipëria.
Në fakt, lidhur me këtë çështje personalisht jam e mendimit se kjo kërkon një tryezë politike dhe një vendim politik por mbi të gjitha vullnet politik.

Të dashur pjesmarrës,
LSI ka dedikuar vullnetin e saj dhe ka sakrifikuar shumëpër një rol konstruktiv dhe bashkëpunues, sa i përket ligjeve të rëndësishmë që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës dhe demokracinë.
Përmend këtu reformën madhore në drejtësi, për miratimin e saj 140 vota.

Duke vazhduar më pas për grevën e urisë së deputëve në 2008 për ndryshimet kushtetuese që u bënë brenda 24 orëve. Të cilat edhe sot e kësaj dite pasojat i ndjejme kur nuk kemi një republike parlamentare por kemi një republike kryeministrore

Apo dhe ndryshime arbitrare, që u bënë edhe pas marrëveshjes së 5 qershorit e cila u dakordësua politikisht por në mënyrë të njëanshme u ndryshua në Parlament në 30 korrik nga një Parlament ilegjitim edhe për faj të mendjelehtësisë së opozitës së asaj kohe edhe të sotmes.
Megjithatë pavarësisht nga kjo dua të falenderoj që edhe Partia Socialiste dhe kolegët e partive të tjera do të jenë dakord për ta ripare dhe për të filluar menjëherë Komisionin për Reformën Zgjedhore duke pasur parasysh që kodi zgjedhor i cili ne kemi sot është i deformuar për shkak sepse LSI ka 110 mijë vota dhe përfaqësohet në Parlament me 4 mandate kur ne jemi të gjithë koshientë që kemi parti politike që janë më 30 mijë vota dhe përfaqësohen me 3 mandate në Parlament. Ashtu sikurse, edhe puna e Parlamentit shqiptar si partia e tretë më e madhe është e përjashtuar nga të gjitha procedurat parlamentare për shkak të një rregulloreje e cila është miratuar nga një Parlament me 122 deputetë. Duke u rikthyer dhe një herë dhe duke falenderuar dhe kryetaren e Parlament që tha një vit përpara ne nuk mund të bëjmë dot ndryshime kushtuese, keni eksperiencën e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut që i bëtë 6 muaj para zgjedhjeve. Prandaj, mbi të gjitha është shumë e rëndësishme që ne duhet të kemi vullnet politik, dëshirë për ta ndryshuar një herë e përgjithmonë mosbesimin që kemi ne vetë politikanët në radhë të parë, në sistemin zgjedhor dhe nëpërmjet nesh ne ngjallim mosbesim tek qytetarët tanë dhe jemi ne problematikët kryesorë që sot po detyrojmë gjithë shqiptarët të largohen nga Shqipëria sepse nuk shikojnë shpresë. Nëse ne do të vazhdojmë dhe sot në vitin 2022 të flasim për votime të lira dhe të ndershme, normal që faji është i yni dhe nuk është i shqiptarëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb