Qeveria libiane që mbështetet nga Kombet e Bashkuara, thotë se të paktën 28 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi ajror në një shkollë ushtarake në kryeqytet, Tripoli.

“Një sulm ajror në një shkollë ushtarake në Tripoli ka vrarë 28 kadetë dhe ka plagosur dhjetëra të tjerë”, tha Amin al-Hashemi, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Malek Merset, një tjetër zëdhënës i kësaj ministrie, tha për AP se sulmi ajror ndodhi në zonën Hadaba, që gjendet në jug të qendrës së kryeqytetit, ku për muaj të tërë po zhvillohen luftime të ashpra.

Ai tha se të paktën 37 persona janë lënduar dhe janë dërguar në spital për trajtim mjekësorë.

Qeveria me seli në Tripoli ka fajësuar për këtë sulm Ushtrinë Kombëtare Libiane, e cila nuk është përgjigjur menjëherë për këto akuza, shkruan Rel.

Tripoli ka qenë skenë e luftimeve të ashpra që prej muajit prill të vitit 2019, ndërmjet forcave të qeverisë që mbështetet nga ndërkombëtarët dhe luftëtarët e Ushtrisë Kombëtare Libiane që udhëhiqet nga gjenerali Khalifa Haftar.

Haftar – që mbështetet nga Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa të tjerë, përfshirë këtu edhe mercenarë rusë –në prill nisi ofensivën për marrjen e kontrollit të kryeqytetit.

Më 3 janar, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonoi Guterres sërish bëri thirrje për një armëpushim në Libi dhe kërkoi nga të gjitha palët e përfshira në konflikt që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit në Libi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: