Të paktën katër persona u vranë dhe dy të tjerë u zhdukën pasi një varkë me turistë u përmbys pranë ishujve Galapagos, njoftuan autoritetet lokale.

Më shumë se 30 pasagjerë ishin në bordin e varkës fatkeqe të së dielës mbrëma, e cila operonte midis Isabela dhe Santa Cruz, dy ishuj të Galapagos, sipas kryebashkiakut të Santa Cruz, Angel Yanez.

Një raport paraprak tha se 31 pasagjerë janë shpëtuar deri më tani dhe dy anëtarë të ekuipazhit ishin në mesin e të zhdukurve.

Yanez tha se një komitet operacionesh emergjente u aktivizua menjëherë dhe autoriteti lokal portual po bën hetime për shkakun e aksidentit.

Një kontingjent prej 25 shpëtimtarësh nga agjencitë e ndihmës ndaj fatkeqësive dhe Parku Kombëtar Galapagos rifilloi operacionin e kërkimit të hënën në mëngjes.

Autoriteti Portual i ishullit Isabela tha se 39 pasagjerë ishin në listën e udhëtarëve, por dy persona nuk u paraqitën.

Ishujt Galapagos, të vendosura 970 km larg bregut kontinental të Ekuadorit, u regjistruan si një sit i trashëgimisë natyrore për njerëzimin në vitin 1978 nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën.

Rajoni është shtëpia e llojeve të shumta të florës dhe faunës që shërbeu si një laborator për shkencëtarin anglez të natyrës, Charles Darwin, për të krijuar teorinë e tij të evolucionit të specieve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb