Të paktën pesë persona u vranë dhe 35 të tjerë u lënduan të enjten kur një apartament mori flakë në kryeqytetin argjentinas Buenos Aires, konfirmuan autoritetet lokale dhe personeli mjekësor.

Zjarri filloi në orën 05:45 të mëngjesit me orën lokale në një apartament ndërsa banorët flinin. Zjarri më pas u përhap në katin e sipërm, duke detyruar evakuimin dhe shpëtimin e njerëzve që jetonin në ndërtesën 14-katëshe në lagjen Recoleta në Buenos Aires veriore.

Pesë viktimat, tre fëmijë dhe dy gra, jetonin në një apartament në katin e shtatë ku filloi zjarri, sipas raporteve të policisë.

Alberto Crescenti, drejtor i Shërbimit të Ndihmës Mjekësore Emergjente, shpjegoi se për shkak të sasisë së tymit të thithur nga pesë viktimat, ishte e pamundur të shpëtohej jeta e tyre.

Gjatë një konference për shtyp të enjten në mëngjes, zëdhënësja presidenciale Gabriela Cerruti tha: “U dërgojmë ngushëllimet tona familjeve të viktimave dhe  ofrojmë mbështetjen tonë për familjet për të kapërcyer këtë situatë tragjike”.

Operacioni për të kontrolluar zjarrin dhe për të ndihmuar të prekurit zgjati më shumë se tre orë.  20 ambulanca transportuan të plagosurit në gjashtë spitale.

Si masë parandaluese, autoritetet e kryeqytetit urdhëruan mbylljen totale të furnizimit me gaz në zonë, përveç evakuimit të një stacioni të karburantit aty pranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb