Të paktën tetë perëndimorë janë arrestuar nga talebanët në Afganistan gjatë incidenteve të ndryshme në dy muajt e fundit, ka mësuar CNN, duke shënuar një përshkallëzim të mprehtë të veprimeve të talebanëve kundër perëndimorëve që jetojnë në vend.

Nuk duket se ka padi formale kundër të arrestuarve. Ata janë shtatë shtetas britanikë, duke përfshirë një që është rezident i ligjshëm amerikan dhe një shtetas amerikan.

Ish-zëvendës presidenti i Afganistanit, Amrullah Saleh shkroi në Twitter se “nëntë” perëndimorë ishin “rrëmbyer” nga talebanët, duke përmendur gazetarin Andrew North, më parë i BBC-së i cili ishte duke punuar për Kombet e Bashkuara dhe Peter Jouvenal, i cili ka punuar në BBC dhe CNN, të dy janë shtetas britanikë.

Arsyeja për secilin ndalim specifik është e paqartë dhe nuk mendohet se të gjitha kanë lidhje.

Arrestimi i Jouvenal u konfirmua nga familja dhe miqtë e tij për CNN.

“Miqtë e Peter Jouvenal janë thellësisht të shqetësuar për sigurinë e tij pas arrestimit nga autoritetet në Afganistan në fillim të dhjetorit. Një shtetas i dyfishtë britanik/gjerman, Peter ka udhëtuar në Afganistan për më shumë se dyzet vjet, si kameraman i pavarur, biznesmen dhe investitor. “- tha familja e tij në një deklaratë. “Ai është një mysliman, e njeh Afganistanin më mirë se shumica e të huajve, është i martuar me një afgane (ata kanë tre vajza) dhe flet të dyja gjuhët kryesore. Ai mbahet pa akuza dhe pa liri për të kontaktuar familjen apo avokatët e tij.”

Familja tha gjithashtu se ata besonin se ndalimi i tij mund të kishte qenë një gabim dhe vuri në dukje se ai ka komplikime shëndetësore që e bëjnë ndalimin e tij më të rrezikshëm.

“Familja dhe miqtë e Peter besojnë se ai mund të jetë arrestuar gabimisht, pasi ai ishte në Afganistan për të diskutuar investimet në industrinë e minierave të Afganistanit, si dhe për të kryer biznes familjar. Para arrestimit të tij, ai punonte hapur dhe kishte takime të shpeshta me zyrtarë të lartë talebanë. Ne kërkojmë urgjentisht që autoritetet afgane të lirojnë Peter”, tha familja. “Ai vuan nga presioni i lartë i gjakut dhe ka nevojë për mjekim. Ekziston një kërcënim i lartë i infeksionit COVID në sistemin e burgjeve afgane.”

Edhe bashkëshortja e North, Natalia Antelava, ka konfirmuar për CNN se burri i saj është arrestuar.

“Faleminderit të gjithëve për mesazhet tuaja. Andrew ishte në Kabul duke punuar për UNHCR-në duke u përpjekur të ndihmonte popullin e Afganistanit,” shkroi Antelava të premten në Twitter. “Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për sigurinë e tij dhe i bëjmë thirrje kujtdo që ka ndikim të ndihmojë në sigurimin e lirimit të tij.”

North ishte në Afganistan me detyrë për agjencinë e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara (UNHCR) dhe agjencia e OKB-së postoi në Twitter rreth situatës të premten.

“Ne po bëjmë maksimumin për të zgjidhur situatën, në koordinim me të tjerët. Nuk do të bëjmë asnjë koment të mëtejshëm duke pasur parasysh natyrën e situatës,” thuhet në deklaratë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb