Përplasja e ashpër mes dy grupeve rivale shqiptarë për të kontrolluar tregun e paligjshmërisë në Athinë, ka shkaktuar viktimën e radhës. Këto janë detajet më të fundit që dalin nga hetimi i policisë greke pas vrasjes aksidentale të 40-vjeçarit nga Delvina, Pëllumb Islami i njohur dhe me emrin Sandri, dy ditë më parë në Nea Ionia të Atikës.

Portali grek “Newsit” shkruan se “autorët kanë shkuar në kafenenë në Nea Ionia për të marrë para për mbrojtjen e lokalit”. Por, lokali në fjalë dyshohet se paguan një person tjetër, i cili ndodhet në burgjet e Domokos.

Kur “njerëzit” e tij morën vesh se të tjerë kishin shkuar në lokalin që ata kontrollonin për të marrë para, kanë shkuar në vendngjarje dhe ka nisur sherri mes dy bandave të shqiptarëve. Më pas, njëri prej tyre ka nxjerrë armën, ka qëlluar dhe ka vrarë 40-vjeçarin hidraulik, i cili ishte thjesht klient dhe nuk kishte asnjë lidhje me ta”.

“Newsit” zbardh detaje dhe për të shkuarën e këtyre grupeve kriminale, për të cilat edhe në Shqipëri ka informacion se janë përplasur prej kohësh dhe po shkaktojnë viktima në Greqi.

“Të njëjtat informacione thonë se mes dy bandave ka pasur një të shkuar, konkretisht në Zakynthos, ku fillimisht kanë rënë dakord të mos hyjnë në strofullat e njëra-tjetrës, por më pas kjo nuk është respektuar”, shkruan “Newsit”.

“Njeriu që shihet majtas në foto thuhet se është ai që ka qëlluar brenda kafenesë në Nea Ionia, i mesit thuhet se është kreu i bandës dhe drejtuesi i makinës së largimit dhe ai djathtas është vëllai i një personi që u arrestua vite më parë në Astako, Athinë me sasi kokaine”, vijon më tej media greke.

Në fakt në Astako, 3 vite më parë është kapur një sasi prej 1.2 ton kokainë që vinte nga Karaibet dhe është arrestuar një shtetas shqiptar me histori të pasur kriminale dhe të konsideruar ndër emrat e “rëndë” në Greqi.

“Ata veprojnë në qendër të Athinës, janë të pamëshirshëm dhe jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe janë të përfshirë në trafikun e drogës dhe mbrojtjen e bizneseve. Banda përbëhet nga dhjetë persona. Ata kishin një lokal në Liosia, të cilin e përdornin edhe gjatë karantinës”, vijon më tek “Newsit”.

Burime ditën e djeshme thanë se dy nga të shpallurit në kërkim janë shqiptarët Elis Salaj dhe Julian Qose ose Qosja. Salaj është një personazh i njohur për lidhjet e tij me pronarët e një lokali të njohur nate në Athinë dhe persona me rrezikshmëri të lartë qe ndodhen në burgjet greke ndërsa për Qosen burime konfidenciale bëjnë me dije se dyshohet të jetë përfshirë në ngjarje shumë të rënda kriminale ne Greqi.

“Të dyja makinat që duket se kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rastin e bandës janë në mikroskop të hetimeve. Të dyja mjetet e gjetura nga Policia ishin marrë me qira me informacion të rremë dhe në fakt qiramarrësi kishte shkruar se jetonte në qendër të Athinës. Është një Mercedes gri me targa greke dhe një fuoristradë e zezë me targa shqiptare” përfundon “Newsit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb