TIRANË

Për Sandër Lleshajn, i cili nuk do të mbajë më postin e ministrit të Brendshëm, dy vite në krye të këtij dikasteri janë mjaftueshëm për të mbledhur kujtime e për t’i hedhur në letër. Ndonëse nuk e përcaktoi saktë një periudhë, Lleshaj tha se do të gjejë kohën të shkruajë edhe për periudhën kur drejtoi Ministrinë e Brendshme, kujtime apo ngjarje të panjohura në dhomat e pushtetit, edhe pse u kujdes të theksojë se do të shkruajë në atë moment, kur kujtimet në fjalë të mos bëhen karburant politik as për Ramën, as për kundërshtarët e tij.

Deklaratën Lleshaj e bëri në emisionin ‘Real Story’ me gazetarin Sokol Balla, pak ditë më parë në News24, i ngacmuar nga analisti Fatos Lubonja, lidhur me kujtimet e John Bolton, botuar në një libër, ku rrëfen për kohën e tij gjatë mandatit si këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Donald Trump.

“E dëgjova Lubonjën, dhe më vjen mirë që e paska lexuar John Bolton, që për fat e kam lexuar edhe unë, kujtimet e tij. Po tregoj, detaje.. më erdhi mirë kur e lexova se i tregonte shumë gjëra drejt se pata mundësinë të konfirmoja një fakt kur kam qenë edhe unë i pranishëm. Pra një histori që tregon Bolton atje kam qenë vetë dhe arrita ta dëshmoj si të vërtetë, c ka më jep të kuptoj se ka shumë të vërteta aty brenda. Detaji në Samitin e NATO-s, darka e famshme me krerët e shteteve ku ka patur fatin të jem i pranishëm dhe e di dinamikën dhe diskutimet. Megjithëse unë do të kisha hezituar për ta shkruar atë detaj, në respekt të shtetit. Në respekt të shtetit unë quaj veprimet, në respekt të shtetit duhet vepruar dhe duhen bërë gjërat e duhura.

Sigurisht që ka shumë gjëra që do i kisha bërë nëse konstatoja gjëra që e dëmtojnë shtetin. Dhe jo vetëm në publik por edhe ligjërisht, ndërsa sa i përket krijimit të historive politike, ose argumenteve politikë më duket e papërshtatshme. Sigurisht që kam akumuluar shumë gjëra për të shkruar dhe do shkruaj, nuk është se më mungon aftësia për të shkruar. Do ta bëj këtë punë, por do ta bëj në atë kohë që ato që shkruaj të mos të shndërrohen në karburant politik për askënd. Pra, dua që ato që shkruaj unë, të mos bëhen karburant politik as për Ramën, as për kundërshtarët e tij. Do gjej një kohë, në atë situatë që mos të kthehen në karburant për të ushqyer makineri politike të njërit apo tjetrit krah, që do të thotë jo shpejt”, u shpreh LLeshaj, ndërsa shtoi se “edhe për respekt të fëmijëve të mi, të shoqërisë, do të shkruaj diçka”, por theksoi se nuk është koha tani. “Nuk jam edhe në moshën e kujtimeve të pleqërisë”, e përmbylli ai me batutë, ndërsa deklarata la pas mjaft kureshtje, mbi atë se çfarë ‘kujton’ e do të shkruajë ish-ministri Lleshaj nga dhomat e pushtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb