NGA: DRITAN KABA*
Në një takim të disa ditëve më parë, me temë “Partneriteti për qeverisje të hapur”,ambasadori amerikan z. Lu, u shpreh për krijimin e një njësie antikorrupsion duke marrrë si shembull nje film të Hollywood,“The untouchables”, ku flitet për një njësi të U.S. Treasury Department, në shqip Departamenti i Thesarit. Kjo njësi bëri të mundur arrestimin e mafiozit të famshëm Al Capone. A është ky shembulli që i duhet shqiptarëve në luftën kundër korrupsionit apo është thjesht një “lapsus” frojdian i z. Lu.

“Lapsusi” i ambasadorit Lu me Al Caponen
Në vitet 20 të shekullit të kaluar, në kohën e depresionit të madh dhe Prohibicionit në Chicago u ravijëzuan organizatat e para mafioze të kontrabandës së pijeve alkolike. Kur fitimet janë të paligjshme dhe lufta e grupeve për ta zotëruar tregun është shumë e ashpër edhe me viktima të shumta, të fajshme ose të pafajshme. Afërsisht si vrasjet që ndodhin në vendin tonë me sfond trafikun e drogës ose të lidhura me të. Tani jemi mësuar me deklaratat e policisë ku pas cdo vrasje ose grup vrasjesh, të ndjerët ende pa u varrosur, marrin pas emrit të tyre togfjalëshat, me precedent penal ose i dyshuar për trafikim droge. Ndërsa vrasësit kanë më pak epitete ose me pagesë ose profesionistë. Sa ndonjëherë vrasësit janë më të pafajshëm në sytë e njerëzve se vetë viktimat.

Të kthehemi në Chicagon e fundviteve 20. Al Capone ishte njeriu që po vepronte me dorë të hekurt ndaj kundërshtarëve dhe konkurentëve. Numërohen mbi 100 viktima të ekzekutuara nga banda e tij Al Capone nuk u akuzua për asnjë nga këto vrasje. Në vitin 1927 u zhvilluan zgjedhjet bashkiake në Chicago. Capone financoi mbi 250 mijë dollarë, afërsisht 25 milion dollarë sot, si dhe vuri në shërbim të z. Thompson bandën e tij. Al Capone nuk ishte politikan, por një lojtar që mbështeti njerëz politikë për të ardhur në pushtet. Z, Big Bill Thompson u zgjodh pas 8 vjet ndërprerje sërish major i Chicagos.
Një kuriozitet, emërtimi Billboard, i tabelave të reklamave vjen pikërisht nga emri i këtij kryebashkiaku. Tabelat shërbenin për të pastruar paratë që paguanin firmat e ndryshme si gjoba nën presionin dhe kërcenimin e bandës se Al Capone.

Pasi u shpall i pafajshëm në vitin 1929 nga një juri federale, nën ndikimin politik të z. Thompson dhe fshehjen e fakteve nga policia lokale,, për akuzat për shkelje të ligjit të Prohibizmit ai u bë edhe më i pushtetshëm. 6 prill 1931 fillon rënia e Al Capones, dita e humbjes në zgjedhjet bashkiake të Big Bill Thompsom, i cili ishte edhe sponsori politk i tij. Në fund të prillit, Chicago Crime Commission, një sindikatë e biznesmenëve e përbërë më së shumti nga ata që paguanin Billboardet, e shpallën Al Caponen, tani pa mbështetje politike, si number 1 “Public Enemy”, armiku numër 1 i publikut.

Në nëntor të vitit 1931 ai u dënua me 11 vjet burg dhe 50 mijë dollarë gjobë, për akuzën e fshehjes së të ardhurave, nga të cilat bëri vetëm 7 vjet e gjysëm dhe më pas u lirua me kusht. Një kryegangster me mbi 100 vrasje të urdhëruara me vendosjen e një pasurie të pamatë përftoi këtë dënim. Bill Thompson nuk u morr asnjëherë i pandehur. Kur vdiq në kasat e tij bankare u gjetën mbi 1.5 milionë dollarë, afërsisht 150 milionë sot. Al Capone nuk e mori ndëshkimin e merituar nga drejtësia por nga p…ussy. Ai vdiq në moshën 47 vjecare në liri, në shtëpinë e tij në Miami, i sëmurë nga sifilizi.

A është ky shembulli i ndëshkimit aq më shumë i zyrtarëve të lartë? Aspak, në këtë rast z. Lu bëri lapsus frojdian, që duhet të ketë lidhje me një deklaratë të bëre më parë prej tij. Me deklaratën e të paprekshmëve ngatërroi edhe eksponentët e dy partive PD e PS. Të dy palët kujtuan se të paprekshëm, z. Lu cilësoi Al Caponen. Nxituan ta gjejnë të paprekshmin Al Capone tek tjetri. Të paprekshëm në fakt ishin ata që e arrestuan, jo Al Capone. Sqarim për PD e PS. të paprekshmit janë personazhe pozitivë.

“The untouchables” dhe “J. Edgar”
Njësia që coi para gjykatës Al Caponen të zhveshur nga imuniteti politik,nuk ishte pjesë e FBI, por një njësi e ngritur nga departamenti i thesarit., si të thuash njësi e hetimit tatimor në Shqipëri. Besoj se z. Lu nuk e ka pasur idenë se do të forcojë hetimin tatimor në Shqipëri. FBI mori formën e duhur pas ardhjes në fuqi të presidentit të vetëm amerikan të zgjedhur 4 herë me 12 vjet qeverisje z. Franklin D. Roozvelt. Në vitin 1935 ai dekretoi krijimin e FBI si një agjenci në luftë kundër krimit të organizuar. Roosvelt e mori këtë nismë pas një sëre nismash të tjera shume te suksesshme në drejtimin ekonomik. Ai shfuqizoi ligjin e prohibicionit, duke i hequr kështu një mundësi fitimi organizatave kriminale. Ai njihet si krijuesi i 100 ditëve të para të qeverisjes. Roosvelt gjithashtu njihet për krijimin e agjencisë së punësimit ku brenda pak viteve u punësuan miliona amerikanë. FBI pati sukses në eleminimin e një sërë bandash të famshme në atë kohë si Dillinger, “Baby face” Nelson etj. Por FBI e drejtuar nga Hoover nuk pati asnjë sukses në luftën kundër korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë në SHBA. Në 37 vjet të drejtimit nga Hoover janë arrestuar apo dënuar për korrupsion dhe konflikt interesi vetëm 8 kongresmenë e senatorë dhe asnjë drejtues i lartë i qeverisë amerikane.

“J. Edgar”, na e paraqet qartë rolin e FBI dhe drejtuesit të saj pa mandat kohor dhe që nuk i jep llogari askujt, por vetëm popullit amerikan. Nën interpretimin e Leonardo Di Caprio, Hoover tregohet si i shkonte cdo Presidenti amerikan menjëherë pas betimit me dosjen e tij të “sekreteve”. Ato i viheshin përpara cdo presidenti dhe kishin të bënin me përgjime të jetës së tyre private apo të bashkëshorteve të tyre. Kështu ai mbizotëroi jetën politike amerikane për 37 vite deri sa vdiq në detyrë. Në film tregohet që Hoover vdiq nga një infarkt pasi Nixon i kërkoi dorëheqjen dhe “piu” një caj në zyrën e Presidentit.

Më pas u ndryshuan edhe rregullat e lojës për drejtorin e FBI, tani ai zgjidhet me një mandat 5 vjecar, jo më shumë se dy herë, i propozuar nga Presidenti dhe i votuar nga Senati. Besoj se z. Lu mendon se amerikanët mësuan nga gabimet e bëra me njerëz që nuk japin llogari kund. Drejtori i FBI raporton para Presidenti dhe përgjigjet para Senatit. Pas kësaj periudhe që ju referua z. Lu me “lapsusin” e tij, ndryshoi jo vetëm procedura por edhe lufta kundër korrupsionit. Në të njëjtën kohëzgjatje, si në epokën Hoover, janë cuar para drejtësisë mbi 50 kongresmenë e senatorë dhe mbi 20 sekretarë dhe ndihmës sekretarë shteti.

“Casino Jack”, shembulli që i duhet shqiptarëve
Do i rekomandoja ambasadorit Lu që kur të bëjë deklaratën e rradhës të marrë një Kevin tjetër si shembull, jo Costnerin tek “The untouchables”, por Spacey tek “Casino Jack”. Ky është më i afërt në kohë, produksion i vitit 2010. Për të gjithë ata që nuk e kanë parë filmin, është një hisori e vërtetë që flet për ngritjen në majat më të larta të politikës amerikane të z. Jack Abramoff. Njeriu që të hapte dyert në administratën e Presidentit Bush. Ky shembull është më pranë shqiptarëve, se vetë Abramoff ka luajtur rolin e lobistit për qeverinë shqiptare pranë Shtëpisë së Bardhë.

Pas një hetimi kryekëput të FBI, që tani vepronte sipas rregullave të reja coi para gjykimit z. Abramoff dhe 20 zyrtarë të tjerë të lartë të administratës amerikane, përfshirë dhe kongresmenë. Jack u dënua për korrupsion dhe një sërë ceshtjesh, ku përfshihej dhe një rryshfet prej 25 milion dollarësh në lidhje me dhënien e një license të një kazinoje, në një rezervat indian. Ai tashmë e ka kryer dënimin me 4 vite burg. Abramoff, i është kthyer jetës normale dhe ka botuar një libër për jetën e tij. Gjithashtu ai merret me një rrjet blogistësh kundër korrupsionit dhe lobizmit. Gjithashtu ai drejton një emision politik në radio, “Jack Abramoff Show” në stacionin “Talk Radio” në SHBA.

Përvec këtij shembulli ambasadori Lu mund të sillte dënimin nga drejtësia të Jim Trafikant një kongresman i njohur në Shqipëri. Ai u dënua me 8 vjet burg për korrupsion financiar. Por edhe rastet e tjera për dënimet e kongresmenëve për shpërdorime të fondeve të fushatës si znj. Jasse Jackson, të konfliktit të interesit si Lester Crawford apo dhe mos deklarim të ardhurash, Joe Koller. Albert Bustamante për marrje rryshfeti e shumë raste të tjera skandalesh, si në rastin e gjeneral Dany Petraus ish drejtori i CIA.

Në vend të mbylljes
Këto kohë është miratuar në Parlament një ligj për sigurinë e shtuar. Ministri Tahiri i tha se ky ligj është aq i domosdoshëm sa shqiptarët vullnetarisht duhet të privohen nga liria dhe privatësia e tyre për më shumë siguri. por harroi t’i thoshte qytetareve e bizneseve se do privohen shumë edhe nga paratë e tyre. Nejse këtë do e lëmë për herën tjetër, sot do merrem vetëm me thënien. Në raportin e paraqitur që shoqeron projektligjin për në komisionet kuvendore thuhet se për këtë ligj është marrë edhe mendimi i ICITAP.

Një nga etërit themelues të shtetit dhe demokracisë amerikane, Presidenti Benjamin Franklin ka thënë, Ata që janë të gatshëm të japin lirinë e tyre, në këmbim të premtimit se do kenë më shumë siguri, nuk meritojnë as njërën as tjetrën. Doja të dija mendimin e ambasadorit Lu, për këto dy argumentime, por kësaj rradhe pa lapsusin frojdian. Kë të besojmë Saimir Tahirin apo Benjamin Franklin?!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: