Partizani e nisi në mënyrën më të mirë serinë e ndeshjeve miqësore që po zhvillon gjatë fazës përgatitore në Slloveni. Të kuqtë mundën ditën e shtunë vendasit e Murës me shifrat 1- 2, me përmbysje. Kjo ndeshje ishte më shumë një test për të parë gjendjen fizike të skuadrës, e cila u paraqit mjaft mirë dhe tregoi personalitet. Në lidhje me këtë ndeshje, por jo vetëm me të, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, foli trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti. Trajneri tregoi për gjendjen fizike të skuadrës ndaj Murës dhe për nevojat në merkato.

Profesor, si po shkojnë përgatitjet në Slloveni, si janë kushtet dhe klima atje?

Kushtet janë shumë të mira, fusha e stërvitjes, ndeshjet miqësore. Prandaj ka qenë shumë e rëndësishme që ne të vinim këtu. Në vend të Maqedonisë përzgjodhëm Slloveninë, sepse këtu kemi mundësinë që të kemi ndeshje miqësore të një niveli europian si Mura dhe Maribori. Klima është shumë në rregull. Normalisht temperaturat janë pak të larta në drekë, por në mëngjes në orën 10 dhe në darkë në orën 6, kur ne zhvillojmë seancat stërvitore, është perfekte.

Si ishte gjendja fizike e Telushit dhe Romeros, si dhe Hotit, i cili debutoi me gol?

Hoti dhe Telushi janë në gjendje goxha të mirë fizike. Romero është pak mbrapa me përgatitjet. Shpresojmë që ta marrë veten dhe të na shërbejë. Telushi ka pasur një dëmtim të rëndë, por duke pasur parasysh karakterin e tij të fortë dhe punën e madhe që bën, mendoj se pas kësaj ndeshjeje kur tregoi se është gati, mendoj se në nisje të kampionatit do të jetë 100% dhe mund të na shërbejë.

Me aq sa u pa në ndeshjen e djeshme (pardjeshme), cili nga repartet ka më shumë nevojë për ndërhyrje?

Të tria repartet kanë nevojë për ndërhyrje në merkato. Nëse në një skuadër si Partizani nuk do të kishe dublim të të gjitha pozicioneve, do të ishte e vështirë arritja e objektivave madhorë që Partizani ka gjithmonë. Konkurrenca e rrit edhe cilësinë. Po punojmë fort me drejtorin e ri. Të shohim, sepse duhet kujdes, sepse duhet të marrim lojtarë që kanë karakterin apo cilësinë e duhur dhe i përshtaten filozofisë së një klubi si Partizani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: