Diplomati Bashkim Zeneli foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për librin e tij më të ri “Berlin 1945 – Maji i fitores”.

Në këtë libër historik, kushtuar 16 ditëve të ofensivës së madhe për marrjen e Berlinit, diplomati Zeneli tha se mes rreshtave zbulohen shumë të pathëna për ditët e fundit të diktatorit Hitleri, i cili qëndroi i fshehur për 105 ditë në bunker dhe më pas vrau veten.

Sipas Zenelit, në libër janë dëshmitë e dy sekretarëve më të afërt të Hitlerit, i cili në bunker ishte në krizë të thellë nervore e psikologjike, madje mbahej nga mjekët edhe me drogëra.

“|Librin e nisa për ta botuar në maj të këtij viti, në kuadër të 75-vjetorit të luftës antifashiste. Unë nuk jam historian dhe nuk mora përsipër ta shkruaj librin si historian, por kam lexuar mjaft libra. Kam qenë në Gjermani, gjatë pandemisë, kam parë arkiva, dokumente. Kam gjetur një mori dokumentacionesh.
Nuk kam marrë rolin e historianit dhe 16 ditët e përshkruara në libër janë ditët e ofensivës së madhe. Nuk kam marrë përsipër të shkruaj për luftën në tërësi, por vetëm këto ditët e fundit të koordinuara nga të gjitha anët për të marrë Berlinin. Ka episode mjaft interesante, disa janë të njohura. Unë, duke lexuar këto libra, dokumente, ditarë të gjeneralëve gjermanë e nazistë. Kam sjellë dëshmi të të afërmve të Hitlerit, i cili qëndroi për një kohë të gjatë në bunker.
Hitleri qëndroi 105 ditë në bunker, deri në vetëvrasje. Ishte në krizë totale nervore, që sa vinte e shtohej. Ishte nën mikëqyrjen totale të mjekëve, me medikamente e deri me drogëra. Ka momente interesante kur në ato kriza psikologjike e nervore bën edhe testamentin e famshëm, që ngarkon kush do jetë presidenti i Gjermanisë, apo Kancelar, ku në këtë post zgjodhi bashkëpunëtorin e tij më të afërt Gëbëls. Fill pas kësaj, të nesërmen, vrau veten. Kancelari i ri kërkoi menjëherë armëpushim, që nuk u pranua. Ka detaje shumë interesante, sidomos nga dy sekretarët shumë të afërt të Hitlerit”, tha Zeneli.

I pyetur se pse është e rëndësishme të kujtojmë ato kohë”, diplomati u shpreh se “Mendoj se është shumë e rëndësishme, së pari për rininë, që të njohë historinë e vërtetë. Me keqardhje them që sot lexohet pak. Por edhe për faktin se historia përsëritet. Është thirrje për paqe, për një Evropë të bashkuar. Kur them përsëritet, nuk përsëritet në nivelet e asaj lufte, çmendurie të Hitlerit, por po të shikojmë situatat në Evropë, rajon, raportet mes vendeve, ka një lloj gatishmërie për t’u përplasur dhe për të mos i zgjidhur problemet me dialog. Një thirrje për rikujtesë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb