Nga: Mariglen Mërtiri
Një ndërthurje e zonës historike me detaje të moderniteti i mungonin kryeqytetit shqiptar. Megjithëse u deshën disa vite që ky kombinim të mishërohej në një zonë të vetme, sot Pazari i Ri ja arriti të bindë edhe më skeptikët se kjo vepër me shumë shije e projektuesve dhe dekoruesve të këtij vendi, na bën krenar të gjithëve. Krijimtaria e veçantë e “Krisiko Art” dhe projektimi i studios “Atelier 4” pasuruan me krijimtarinë e tyre këtë zonë si në imazh dhe freski ashtu edhe në arkitekturë.

Motivet tradicionale dhe objektet historike komunikojnë mes tyre duke krijuar një harmoni që të bën për vete që në hyrje të Pazarit të Ri. Lidhja mes rrugëve të vjetra, lidhja mes godinave dhe komunikimi ndërnjerëzor në këtë zonë sa tregtare aq edhe turistike ka qenë synimi i bërë realitet i projektuesve.

Shumëkush tërhiqet nga “Lejleku” i cili thuajse ndodhet kudo, mes qytetarëve dhe në hyrje të zonës. Por domethënia e tij ka simbolikë të fortë të cilën vetëm krijimtaria e Ergys Krisiko mund ta realizojë në përmasa të tilla. Ndërsa fasadat me dekore tradicionale si qilimi i vjetër ka një tjetër domethënie.

Kjo zonë me shërbime komerciale dhe turistike nuk do të humbasë identitet pasi qytetarët do të mund të blejnë fruta perime dhe zarzavate ashtu si para shumë vitesh vetëm se markata e konceptuar me 308 tregtarë do të shërbejë edhe për aktivitete argëtuese.

Kryebashkiaku i Tiranës, i cili ka qenë iniciatori kryesor për ta vazhduar më tej këtë projekt duke qenë edhe pjesë e inspektimeve natën dhe ditën, megjithëse është përballur me skeptikët që nuk lëshonin tezgat dhe dyqanet me të drejtë, sepse me to mbanin familjet, sot për Erion Velinë patën vetëm mirënjohje për transformimin e pa ndodhur prej dhjetëra vitesh.

Kryeministri Edi Rama kujtoi se asnjë ndryshim nuk ka ndodhur në këtë zonë ku pluhuri, pusetat dhe mizat kishin zaptuar tregun.

Dhe pas kaq vitesh përpjekje dhe mundimesh tregtarët kanë një vend ku mund të bëjnë biznes denjësisht, qytetarët e Tiranës kanë një vend ku mund të kthehen pas në kohë për të kujtuar Pazarin e vjetër ndërsa turistët një destinacion turistik më shumë për të vizituar kaluar kohë dhe shpenzuar para.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb