Bosi më i kërkuar i drogës në Kolumbi dhe kreu i bandës më të madhe kriminale të vendit, është arrestuar. Sipas mediave të huaja, Dairo Antonio Úsuga, i njohur ndryshe si Otoniel, u kap pas një operacioni të përbashkët nga ushtria, forcat ajrore dhe policia.
Qeveria kishte ofruar një shpërblim prej 800,000 dollarësh për informacion rreth vendndodhjes së tij, ndërsa SHBA vendosi një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për të.
Otoniel u kap në “fshehjen” e tij rurale në provincën Antioquia në veriperëndim të Kolumbisë, afër kufirit me Panamanë.
Siç bëjnë të ditur mediat, operacioni përfshinte 500 ushtarë të mbështetur nga 22 helikopterë, ndërsa gjatë këtij kërkimi një polic u vra.
Otoniel kishte përdorur një rrjet shtëpish të sigurta rurale për të lëvizur dhe për t’iu shmangur autoriteteve dhe nuk përdorte telefon. Ai mbështetej te korrierët për komunikimin me personat e tjerë të bandës dhe ndarjen e punës.
Shefi i policisë Jorge Vargas ka thënë se bosi i drogës kishte frikë nga kapja, “duke mos iu afruar kurrë zonave të banuara”.
Shefi Vargas tha se lëvizjet e tij u gjurmuan nga më shumë se 50 ekspertë të inteligjencës sinjalizuese duke përdorur imazhe satelitore.
Agjencitë e SHBA dhe Britanisë së Madhe u përfshinë në kërkim.
(BalkanWeb)