Nga: ENTON ABILEKAJ*
Mes të varfërve po krijohet një nënshtresë e re. Në rastin e së dielës, ajo mund të quhet nënshtresa e të përmbyturve, por kjo nuk i përfshin dot të gjithë. Janë edhe nënshtresa e azilantëve, nënshtresa e viktimave në punë, nënshtresa e të papaguarve, nënshtresa e të papunëve; për pasojë krijohen nënshtresat e të uriturve dhe të kequshqyerve, e të vetëvrarëve, e të paelektrifikuarve (për arsye financiare), e analfabetëve, e njerëzve pa fëmijëri, pa shoqëri, ata që nuk e kaluan dot fëmijërinë në shkollë, duke mësuar, por në një fushë të ftohtë a në një kodër të çngjyrosur nga bari.

Të gjithë këta, janë identifikuar me shtresën e varfër, por dallojnë prej të varfërve. Dallimi kryesor i tyre, nuk është se janë të varfrit e të varfërve, por se marrëdhënia e tyre me shtetin është e njëanshme. Në shtëpitë e tyre shteti shfaqet vetëm për të marrë. Vjen data e taksave, shteti shkon të marrë, duhen paguar dritat, ulet automati derisa të gjejnë paratë. Kur ikin dritat, luhatet tensioni dhe u prishen ato pajisje mbijetese që ushqehen me energji. Shteti, megjithëse përgjegjës, prapë kërkon t’u marrë për t’u rregulluar sahatin, linjën, fijen e telit të zhveshur a fidrin e vjedhur. Vjen dita e ujit dhe shteti shkon prapë t’u marrë. Brenda faturës së ujit është bërë zakon të shtohet edhe një taksë tjetër, që vetëm ata që e marrin e dinë për çfarë përdoret. Vjen dita e vaksinës së fëmijëve, gripi, shteti është aty, gati për të marrë. Vijnë zgjedhjet dhe shtetbërësit zbarkojnë në shtëpitë e rrënuara, bëjnë sikur nuk e kuptojnë që atyre u shembet shtëpia në tokë, që muret poroze vetëm sa e fshehin mundesën e strehës. Kanë ardhur për të marrë dhe, nëse nuk ua japin, nuk i lënë të votojnë, ose ua blejnë zemrën dhe mendjen. Nëse rezistojnë, ua rrëmbejnë vullnetin nëpër formularët e votimit.
E gjitha kjo situatë, pa fjalë, me shi e me lot, dergjej të dielën në Shqipërinë e Mesme. Jo në fshatrat më të humbura, në autostradën e krenarisë, në Bathoren dhe Laknasin e legalizuar në kohë rekord, në Fushë-Krujën e rekordeve, të përmbytur 5 herë në 2 vjet. Elektro-shtëpiaket janë objektet muzeale të sistemit askapitalist-askomunist, që nuk është më në tranzicion. Ata, banorët e nënshtresës së të përmbyturve, kanë tentuar 5 herë të kenë një sobë, një frigorifer dhe një televizor, por 5 herë i kanë humbur. Të dielën e humbën fijen e fundit të forcës dhe qanin para kamerave. Në anën tjetër, shtetbërësit fajësonin të përmbyturit. Ata kanë ndërtuar pa kriter, pa leje, mbi kolektor etj. Dhe, duke thënë këtë kujtojnë se shfajësohen; në fakt, këtu lind faji i tyre.

Deri dje shteti kishte vetëm përgjegjësinë që i la të ndërtonin në tokat e të tjerëve, i la të ndërtonin pa projekt, pa leje, mbi kolektorë. Por prej prillit të vitit 2006, kur ligji për legalizimet e ndërtimeve informale hyri në fuqi, shtetbërësit janë përgjegjës edhe për legalizimin e shtëpive pa kriteret minimale që garantojnë jetën e tyre. Për më tepër që, qeveria e motos “legalizim–urbanizim”, që nga viti 2013 kur erdhi në pushtet, krenohet me dhjetëra mijëra legalizime, pikërisht në zonat që u përmbytën më shumë. Dëshmitë e banorëve pardje, vetëm sa përkthenin gjuhën e ujit që kishte përfshirë gjithçka: asnjë investim për urbanizimin. Asnjë kanal në Laknas nuk kishte denjuar Xhelal Mziu, daullexhiu i bashkisë, t’u hapte votuesve të tij, as qeveria qendrore që ka dhjetëra institucione për të njëjtën gjë, në mënyrë që askush të mos ketë përgjegjësi dhe të gjithë të vjedhin.

Dje filluan aksionin për prishjen e ndërtimeve mbi kolektorë, për të treguar se nuk është faji i tyre. Por prapë konfirmuan fajin e tyre. Kjo situatë është 25-vjeçare, përmbytjet janë përsëritur të paktën 4 herë në çdo zonë. Çfarë duhej për qeverinë që ta shpallte këtë një çështje më prioritare se blerja e “Jaguar”-ëve, shatërvanët e bashkive, se rikonstruksionet korruptive të ministrive dhe gjithë institucioneve shtetërore që nuk kanë asnjë punë? Është e thjeshtë përgjigjja: shteti nuk do të dalë kurrë për të dhënë në ato anë. Do të vazhdojë të jetë korrekt sa herë i duhet të marrë.
Në mesin e katastrofës, përmbytja e autostradës Tiranë – Durrës qesëndiste. Si produkt personal i Edi Ramës, si kokëfortësi që fitoi mbi sugjerimet e specialistëve. Megjithëse të gjithë e dinë kush i mbolli palmat, drejtori i emergjencave civile kërkonte dje të ndiqeshin penalisht inxhinierët, ata që u dorëzuan para tekave të shefit dhe ndërtuan rrugën e destinuar të përmbytej, për ta bërë spektakolare goditjen e të përmbyturve. Për të thënë se, është dikush që mendon t’i shtojë një vuajtje më shumë mjerimit, një penelatë më shumë tragjikes, në pikturën që nuk do të ekspozohet kurrë me logon “Edi Rama”. Megjithëse e meriton më shumë se te tjerat.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: