Nga: BESIM NDREGJONI *

Fisnikëria e të përndjekurve politikë shqiptarë, nuk është thjesht kategori subjektive dhe as objektive. Ajo është kompleksiteti i vlerave njerëzore prej të cilave merr kuptim jeta, dashuria, humanizmi, dinjiteti, trashëgimia, prosperiteti, liria, dhe cilësia e jetës ne komunitet. Fisnikëria dhe shqiptaria janë lidhur fort në një organizëm virtual,duke udhëtuar së bashku që nga Ilirët, Arbrit e deri më sot, në rrugën e gjatë të kombit tonë, vlerat prej të cilave janë frymëzuar brezat dhe kanë kultivuar viganë të jetës publike, politike, artistike, ushtarake dhe humanitare. Në historinë e Shkodrës martire nuk mund të harrohen kontributet e familjeve të mëdha fisnike në mbrojtje të truallit amtar, që në këtë konferencë të I-rë nuk mund t’i përmend dot të gjithë, por disa prej tyre si Bushatllinjtë, Hodo Sokoli, Kazazi, Çoba, Lluja, Myftia, Koliqi, Hasani, Isufi, Repishtit etj, (Shkodër), Bajraktarët e Shoshit, Hotit, Dedë Gjo Lulit e Preng Calit, të Llesh Marashit e shumë familjeve të tjera mirënjohje dhe respekt elitës së ish-të persekutuarve të Shkodrës e qarkut të saj. Kombit tonë s’i mjaftuan pushtimet e gjata, por si një hije e zezë, u huajt nga qarqet antishqiptare komunizmi, duke shkatërruar e masakruar fisnikërinë kombëtare, ata që mbajtën dorë më dorë, e brez më brez flamurin, identitetin, vlerat më të larta të historisë sonë. Filozofia e dhunës dhe e antivlerës nuk mund të jetonte në paqe me vlerat e fisnikërisë shqiptare. Ndaj dhuna do të ishte arma dhe metoda e realizimit të pushtimit dhe sundimit komunist. Dhuna çnjerëzore filloi me pushkatime, burgosje dhe internime të fisnikëve shqiptarë. Njëzete e pesë vite mbas lëvizjes studentore të dhjetorit 1990, – për liri e demokraci- Shqipëria ka lëvizur. Gjendja ekonomike e shoqërore ka pësuar përmirësime, populli jeton pa friken e kërbaçit policor. Me gjithë varfërinë e të metat sociale që e mundojnë, Shqipëria ka avancuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Europa është shtëpia jonë, ashte zgjidhja e jone e vetme, si shtet ma pare dhe si komb shqiptar ma vone! Ky ishte ideali dhe motoja e të pushkatuarve dhe të dënuarve politikë të Shkodrës e mbarë Shqipërisë.
Në këtë udhëtim të gjatë, vendi i jonë ka dëshmue dhe padrejtesi të mëdha, njena nga të cilat ashte keqtrajtimi i viktimave të komunizmit. Sakrificat tona, qëndrimi i jonë heroik që nuk pranoi nënshtrimin ndaj “luftës së klasave” fenomeni ma negativ i shekullit 20-të. Me fitoren tone morale kunder çnjerezimit komunist, ne kemi fitue të drejtën me u quejte “kapitali moral i shoqenise shqiptare”. Kështu dëshmon ish-i dënuar politik, shkrimtari, shkodrani i madh Prof.Sami Repishti…
Këtë të drejte e konfirmon pafajësia e jone që ashte edhe stigma ma pozitive e zhvillimit politik në Shqipëri. Ne i thamë “JO!” diktaturës komuniste, jo pushtimit jugosllav, jo pushtimit sovjetik, jo marrëzisë kineze, jo kriminelëve injorantë të PKSH dhe PPSH-së. Sot ne kemi të drejtën me akuzue mosperfilljen e pushteteve qeveritare në vendin tonë, sepse jemi të pafajshëm. Pafajësia ashte thelbi i sakrificave tona i rezistencës anti-komuniste në Shqipëri!
Koncepti i qeverisjes në kohën tonë ashte nji sfidë që Shqipëria nuk e fitoi, fatkeqësisht. Mungesa e nji “pranvere shqiptare”, e zgjimit nga gjumi i rënde i shqiptareve, tregon ekzistencën e të metave strukturale në shoqenine tonë. Por e meta e madhe sot ashte humbja e frymës së bashkësisë qytetare.
Nji shtet dhe shoqni e tillë nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësi! Kështu veproi Europa e qytetnueme e mbasluftës, që dërmoi diktaturën fashiste-naziste. Tek ne, edhe sot, mbas 25 viteve nuk ashte dënue krimi komunist 45-vjeçar, me gjithë sjelljen tonë fisnike që përbuzi hakmarrjen. Na jemi breznia që keputëm zinxhirin e hakmarrjes, nji fitore historike e shpirtit shqiptar.
Dokumentimi i krimeve komuniste në Shqipëri po nxjerr në dritë gënjeshtrën, urrejtjen e dhunën që kanë karakterizue regjimin e gjakut. Sot, në Shqipëri, viktima e komunizmit vuen për bukën e gojës, për nji strehë mbi kokë, për nji shërbim mjekësor – vuen për nji fjalë të mire. Ashte mëkat, ashte harresë, ashte vrasja e dyte e viktimës!
Ne duhet të udhëhiqim nji kryqzate që do të shpëtojë dhe Shqipërinë tonë, Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve.
Sot për të gjithë ne është një ditë e madhe, është dita kur ne i kthehemi historisë së vërtetë dhe merremi me të ardhmen. Të parët tanë na kanë lënë shumë pasuri shpirtërore dhe morale, të cilën e vlerësojnë kombet më të mëdha e të qytetëruara të botës. Është nën përgjegjësinë tonë historike, është njësi matëse e vlerave të pamohueshme tona, për t’i ridhënë kombit fisnikërinë e mohuar, në çdo tregues të jetës, në atë social, kulturor, politik dhe institucional. Çdo qelizë e shoqërisë tek ne duhet te udhëhiqet dhe të frymëzohet nga fisnikëria, nga ato vlera ideale dhe virtyte humane për të cilat ka nevojë të ushqehet shteti demokratik, shteti i së drejtës. Elita historike e kombit, e përndjekur nga regjimi komunist, duke njohur si pikë referimi vlerat më të larta njerëzore e ka parë Shqipërinë në përkatësinë e vet Europiane në çdo aspekt të jetës dhe veçanërisht në aspektin politik. Orientimi perëndimor i kombit, mendimi dhe filozofia e jetës së fisnikëve në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë të mundur ruajtjen e marrëdhënieve me kombet e mëdha dhe të nderuara të botës, me kombet që sot më shumë se kurrë janë pranë Shqipërisë sonë, në aspektin e integrimit tonë.
Ndaj sot siç na tregon historia, lind thirrja e madhe për t’i dhënë më të mirën tonë, këtij kombi, këtij shteti, demokracisë, drejtësisë dhe paqes sociale. Por kjo kërkon angazhim dhe pjesëmarrje, gjithëpërfshirje aktive në të gjitha aspektet e jetës. Ashtu si gjithëherët fisnikëria ka qenë në krye të proceseve historike të zhvillimit social-politik edhe sot është e nevojshme dhe e domosdoshme për të qenë në krye të integrimit dhe zhvillimit kombëtar. Është përgjegjësi e gjithkujt prej nesh për t’i bërë shërbim kombit, me angazhimin e vet politik dhe institucional, në këtë kohë të rëndësishme ku kombi ynë po ngrihet krahas me kombet Europiane për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, për të qenë i barabartë në vlera me kombet e Bashkimit Europian. Historia na ka treguar se fisnikëria Shqiptare iu ka dhënë udhëheqës të shquar edhe vendeve te tjera, duke filluar nga perandoria romake, Vatikanit, ajo bizantine e osmane, e deri në kohët më të vona. Fisnikëria Shqiptare ka shkëlqyer në Greqi, Turqi, Rumani, me kryeministra që i kanë shpëtuar këto kombe dhe i kanë qytetëruar. Këto personalitete i gjejmë përmes dokumenteve në Perandorinë Romake, P.Osmane, Egjipt, etje. Është e vështirë të identifikosh me pak rreshta atë që fisnikët shqiptarë kanë kultivuar në shekuj, por është thjesht një përkufizim i asaj që të gjithë ne e ndiejmë se ekziston, e asaj që ne e dimë se kështu është, se fisnikëria e ka gjallëruar këtë komb, se ajo e bën atë më krenar, më të fortë, e më madhështor. Besoj se kjo është dëshira e çdo shqiptari fisnik ish-i përndjekur politik. Për të gjitha këto del domosdoshmëri që politika shqiptare të jetë e orientuar, e frymëzuar edhe nga këto vlera. Komunizmi e zhduku këtë raport të natyrshëm të shoqërisë shqiptare me shtetin. Por dekomunizimi i shoqërisë shqiptare kërkon patjetër kthimin e vlerave të fisnikërisë. Në emrin tuaj dua t’i bëj të ditur faktorit politik se, pa përfshirjen dhe pjesëmarrjen e këtyre familjeve të mëdha fisnike në jetën politike dhe shoqërore në të gjitha sferat politike, ekonomike, gjyqësore, ekzekutive e sociale, ne do të jemi tepër të vonuar, siç kemi qenë gjatë kësaj periudhe të gjatë tranzicioni në ndërtimin e demokracisë, dhe ndërtimin e shtetit ligjor.
Fisnikëria është baza morale e shtetit që në krijimin e tij. E tillë është ajo në mënyrë të natyrshme, ndaj ne duhet ta konsiderojmë këtë fakt si një domosdoshmëri shtetërore, për të ndërtuar dhe për të patur një komb dhe një shtet mbi baza të shëndosha vlerash, se vetëm në këtë mënyrë do të jemi dinjitoz përpara qytetërimit perëndimor, vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të përmbushim ëndrrat e fisnikëve shqiptarë që u vranë nga sistemi diktatorial komunist.
Por absurditeti i një zhvillimi të tillë shfaqet sot kur sistemi komunist është përmbysur dhe metodat e tij vazhdojnë të aplikohen nga qeveritarë të indoktrinuem që refuzojnë të pranojnë kuptimin e mirëfilltë të pronës private: Jetë të lirë e të pavarur nga “shteti”. Është absurde kur shihen viktimat e regjimit komunist të sillen vërdallë zyrë më zyrë me kërkue të drejtën e tyre, pasurinë e trashegueme, dhe të sorollaten nga një administratë shurdhmemece që ‘sundon” dhe nuk “qeveris”, nga “aparatciket” e sistemit komunist e jo nga “shërbestarët” e demokracisë, të shoqërisë së lire.
Gjendja e sotme në Shqipëri është mjaft shqetësuese.
Nuk jetohet vetëm me bukë dhe për bukë. Një jetë pa liri, pavarësi e dinjitet nuk vlen të jetohet.
Heshtja vret; indiferenca vret. Është e vështirë me besue se ndërgjegjja e popullit shqiptar është aq e fjetur sa të lejojë vdekjen e atyre që gjetën guximin me sakrifikue gjithçka, ndoshta edhe jetën e tyre, për një Shqipëri të lirë, dhe një shoqëri shqiptare të lirë e demokratike. Dhe për shumë kohë armiku ma i madh do të jetë Harresa. Të gjithë të përndjekurit duhet të mobilizohen në një përpjekje me mbajt gjallë kujtimin e viktimave me ruajt në memorien e të gjithë shqiptarëve peshën e rëndë të krimit komunist dhe kjo është detyrë kryesore për të gjithë ne që kaluam atë kalvar vuajtjesh dhe martirizimi. Apeli i sotëm kombëtar është jo indiferentizmit, jo heshtjes. Po angazhimit në politikë të këtyre familjeve fisnike ish-të përndjekura politike të regjimit komunist. Angazhimi i këtyre familjeve në politikë do të jetë një shërbestare e demokracisë, do ti japë qeverisjes dhe shtetit ligjor moralin dhe vlerat njerëzore të cilat për 25 vite klasa politike nuk mundi ti ndërtojë dhe të implementojë përpara shoqërisë post komuniste. 100.000 familje ish-të përndjekura politike e kanë tagrin, kanë kapacitete për të dhënë kontributin e tyre në politikëbërje që shtetit shqiptar, demokracisë së cenuar nga kjo klasë politike 25-vjeçare ti kthehet morali dhe presporiteti i një demokracie funksionuese në shërbim të vendit.
Le të na shoqërojë në këtë nismë kombëtare thënia e pavdekshme e ikonës së fesë dhe vuajtjes së dhjetëra vjeçarëve në burgjet e diktaturës komuniste At Pjetër Mëshkalla SJ (Botuar më 1933). Prej të parëve pritëm një Shqipni të lirë!
Nipat presin prej nesh një Shqipni të lumtun!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: