Kreu i Unionit të të Përndjekurve Politikë Besim Ndregjoni ka reaguar në lidhje me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri. Ndregjoni deklaron se zgjedhja e Kryetarit të shtetit nga shtresa e të Përndjekurve Politikë dhe Pronarëve do t’i jepte vendit një besueshmëri dhe vizion perëndimor demokratik, por dhe një kthim në shinat e demokracisë dhe lirisë.

“Të gjithë të zgjedhurit në krye të shtetit nga viti ’92 e në vazhdim kanë qenë personalitete të lidhura me partine komuniste, ose intelektuale të ideologjizuar të diktaturës që më së shumti janë kontestuar nga partitë politike që i promovonin vetë dhe për interesa pushtetit të tyre i delegjitimonin dhe ata kanë dështuar në mbrojtjen dhe zbatimin e kushtetutës dhe në besueshmërinë morale të kreut të shtetit”, shprehet Ndregjoni.

DEKLARATA E PLOTË
Të Burgosurit dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë pjesa antikomuniste e shqiptarëve që përballoi krimet e tmerrshme të diktaturës po ndjek me vëmendje situatën politike në vend ku diskutohet për institucionin më të rëndshëm në vend për zgjedhjen e Kryetarit të shtetit. Shoqëria shqiptare gjatë tre dekadave ka ndjekur tamtamet ideologjike që çdo mazhorancë i lëshon në kohën e zgjedhjes të Kryetarit të shtetit. Fatkeqësisht dy partitë kryesore politike Partia Socialiste me Kryetar Edi Ramën dhe Partia Demokratike me ish Kryetar Sali Berishën në vitin 2008 ndërhyn në kushtetutë duke e degraduar institucionin e Presidencës dhe zgjedhjen e Presidentit dhe duke ja lënë zgjedhjen mazhoranës pa pasur nevojë për votat e opozitës.

Sikur po në vitin 2008 ata ndërhynë në ligjin e zgjedhjeve duke futur në kushtetute rolin e Kryetarit të Partisë si vendimmarrës për deputetet pa i dhanë të drejtë votuesit të zgjedh individin që konkurron por partine. Këto ndërhyrje në kushtetutë nga këta dy drejtues politikë solli një fenomen të rrezikshëm për mosfunksionimin e shtetit ligjor. Ata nuk patën problem ndërtimin e shtetit ligjor, por forcimin e pushtetit të kryetarit të partisë dhe aspak ndërtimi dhe funksionimi i institucioneve të shtetit siç e kërkon kushtetuta dhe funksionimi i shtetit ligjor në një sistem demokratike. Këto ndryshime kushtetuese sot mbas 13 vitesh po i vuajnë shqiptaret, institucionet janë kthyer në vartësi të Kryetarit të mazhorancës qeverisëse, dhe institucioni i votës është dhunuar dhe ka mbi 9 vite që nuk ka rotacion politikë dhe ndërrim pushtetesh. Gjendja e sotme në Shqipëri është shumë shqetësuese nga mosfunksionimi i institucioneve.

Një opozitë e ndarë, pa vizion, pa program të djathtë që s’ka ndërtuar identitetin e saj politik që s’është as e qendrës as e djathtë. Një mazhorancë e fuqishme trashëgimtare ideologjike e diktaturës e ardhur në pushtet me një sistem politikë të dyshuar votimesh si rrjedhojë e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.

Kryetari i mazhorancës Edi Rama ka hedhur idenë që Presidenti të zgjidhet dhe me dakordësinë e opozitës dhe nuk do të jetë pjese e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në qoftë se se qëndron në deklaratën e tij, atëherë përveç opozitës duhen marrë në konsideratë dhe aktorët e tjerë të shoqërisë, siç janë, të përndjekurit politikë dhe pronarët që përfaqësojnë 35% – 40% të popullsisë dhe elektoratin e djathtë shqiptare, shtresën antikomuniste, dhe Organizatat e shoqërisë civile.

Kryetari në detyre i Partisë Demokratike Zoti Alibej nxori një draft ku theksonte që Presidenti mos të jetë ish komunist, dhe mos të ketë qenë bashkëpunëtorë i ish sigurimit të shtetit të jetë antikomunistë. Shqetësimi erdhi menjëherë nga dy grupime politike që gjate tre dekadave e kanë zgjedhur Presidentin o ish-komunist o ish-i privilegjuemi i diktaturës komuniste. Si Kryetari i grupit parlamentar të PS, zoti Balla, si grupi i themelimit i drejtuar nga Zoti Berisha, filluan sulmet banale ndaj këtij drafti se i shqetësonte që në krye të shtetit të vihet një antikomuniste që do ta shkëpuste institucionin e kreut të shtetit nga ideologjia komuniste dhe do ta vinte në funksion të kushtetutës dhe në zhvillimin e vendit.

Zgjedhja e Kryetarit të shtetit nga shtresa e të Përndjekurve Politikë dhe Pronarëve do t’i jepte vendit një besueshmëri dhe vizion perëndimor demokratik, por dhe një kthim në shinat e demokracisë dhe lirisë. Të gjithë të zgjedhurit në krye të shtetit nga viti ’92 e në vazhdim kanë qenë personalitete të lidhura me partine komuniste, ose intelektuale të ideologjizuar të diktaturës që më së shumti janë kontestuar nga partitë politike që i promovonin vetë dhe për interesa pushtetit të tyre i delegjitimonin dhe ata kanë dështuar në mbrojtjen dhe zbatimin e kushtetutës dhe në besueshmërinë morale të kreut të shtetit. Ne të përndjekurit politikë dhe pronarët u drejtohemi deputeteve të parlamentit shqiptarë të shkëputen nga e kaluara komuniste të dalin mbi partitë dhe të votojnë për Kryetar shteti një personalitet antikomunist që mos të ketë as ideologji dhe mos t’i ketë shërbyer regjimit diktatorial. Edhe Ukraina ka qenë pjese e diktaturës komuniste por zgjodhi një personalitet Kryetar shteti që i jep mësim gjithë botës dhe ka fituar përkrahjen e vëmendjen e të gjithë liderëve botëror të vendeve të zhvilluara demokratike për drejtimin e shtetit.
Dhe shoqërisë shqiptare nuk i mungojnë kapacitete nga shtresa antikomuniste për të drejtuar shtetin shqiptar dhe politika i ka aq borxhe morale e ligjore këtij komuniteti sa mbas 31 vitesh kjo shtresë megjithëse ka mbi 5000 të vrare dhe të zhdukur kufomat nuk ka kërkuar hakmarrje por ka predikuar paqe, duke kërkuar drejtësi për te zhdukurit paqe për të gjallët. Zgjedhja e një personaliteti antikomunist si President i Shqipërisë do ti jepte një moral besueshmërie dhe respekt institucionit më të rëndësishme të vendit dhe do të ishte vizion për të ardhmen duke ndërtuar institucione në shërbim të shtetit dhe jo të pushteti siç është vepruar gjatë këtyre dekadave pluralizëm të cunguar në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: