TIRANE- Drejtori i Spitalit Ushtarak ka dhënë detaje rreth gjendjes së personave që mbetën të lënduar gjatë protestës që zhvilloi sot opozita, ku mori dëmtime në kokë kryeredaktori i RD-së, Bledi Kasmi si dhe disa punonjës policie.

Në një komunikatë për mediat, drejtori i Spitalit Ushtarak bëri me dije se gjendja e të lënduarve paraqitet e stabilizuar.

“Në spital kanë mbërritur 9 policë të dëmtuar. Kryesisht me dëmtime në regjone të ndryshme të organizmit dhe një gazetar i ardhur 10 minutash para tyre. Gjendja është e mirë, pa probleme për jetën. Janë bërë ekzaminimet e nevojshme, janë marrë edhe mjekime në urgjencë. Tre nga policët janë kartela të hapura dhe do të observohen nga ora në orë, ndërsa pjesa tjetër e policëve dhe gazetarit do të largohen pas pak minutash.”, tha drejtori.

Kujtojmë se përfaqësues të PD-së dhe LSI-së, së bashku me shumë qytetarë iu bashkuan protestës në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, e më pas iu drejtuan Ministrisë së Brendshme, ku kërkuan dorëheqjen e Xhafajt, ndërsa brohërisnin ‘Rama ik’. Në këtë tubim nuk munguan as konfrontimet mes protestuesve dhe policisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb