Trajneri i Tiranës, Ndubuisi Emmanuel Egbo është treguar modest pasi mmposhti 5-1 Partizanin duke kritikuar të vetit se bënë një nga lojët më të dobëta në kampionat për këtë vit.

Nigeriani i cili mposht për herë të dytë radhazi Partizanin si trajner i bardhebluve shprehet se Tirana duhet të qëndrojë me këmbë në tokë pasi nuk ka fituar kampionatin. Sa i përket akuzave nga drejtori sportiv i Partizanit Olsi Rama, Egbo shprehet se nuk pa që Tiranën ta ndihmonin gjyqtarët dhe madje kur ata kanë bërë gabime ndaj bardhebluve tekniku nigerian kujton se nuk ka bërtitur bashkë me kolegët e tij në gazeta apo televizore.

”Sot më kënaqin shumë 3 pikët dhe lojën që kemi zhvilluar. Nuk u demoralizuam pas golit të pësuar. Doja që të barazoja ndeshjen shpejt dhe pas kthimit u liruam. Pas daljes së Bitrit ndryshoi loja.

Jam i qetë, pasi djemtë po japin 100%. Zoti do na shohë dhe do na e kthejë punën tonë.
Pavarësisht se fituam 5-1 nuk jam shumë i kënaqur me lojën që kemi zhvilluar. Luajtëm si të barabartë dhe kur Partizani ishte me një lojtar më pak. E njëjta gjë ndodhi me Teutën. Loja e sotme ishte ndër më të dobëtat e kampionatit.
Nuk mendoj se e kemi nxjerrë Partizanin jashtë garës për titull. Ka dhe 12 ndeshje dhe është rrugë e gjatë. Nuk mund të them se jemi për kampion dhe kemi fituar kampionatin. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Takimin me Flamurtarin e fillojmë që sot.
Diskutimin e bëjnë analistat. Nuk e pashë se si Tiranën e kanë ndihmuar gjyqtarët. Si mund të na kenë ndihmuar ne? Kur kanë bërë gabime ndaj nesh nuk kemi bërtitur në gazeta apo televizore. ”- tha Egbo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb