Demokratët e vlerësojnë të pamjaftueshëm buxhetin e akorduar për rininë dhe fëmijët. Në seancën dëgjimore me Ministren e Shtetit Bora Muzhaqi, në komisionin për çështjet sociale, deputetja e PD Grida Duma tha se në dispozicion të çdo fëmije shqiptar janë vendosur 0.7 euro, që në shumicën e rasteve përvetësohen nga OJF-të partiake të lidhura me pushtetin.

“Ministria e Shtetit për Rininë dhe Sportet nuk është dhe nuk mund të reduktohet në pallatin e pionierëve, metaforë sepse kështu është shndërruar. Thoni lojëra, mbjellje pemësh, nuk flisni troç, qartazi që nëpër shkolla nuk ka topa plastikë. Ju duhet të thoni që buxheti që kemi ne është qesharak”, deklaroi Duma.

Në përpjekje për t’iu përgjigjur kritikave që të zbresë në terren dhe jo ta bëjë punën nga zyra, ministrja Muzhaqi listoi vendet ku ka qenë dhe planet për të vizituar të tjera, çka shkaktoi hilaritet në sallë.

“Unë pjesën më të madhe të kohës jam në terren duke takuar të rinj. Qëkur jam bërë ministre kam qenë në Shkodër, Lezhë, Kavajë, Kurbin, Korçë, Durrës, Cërrik, Vorë, Elbasan, Belsh, Gramsh, Kamëz, universiteti i Durrësit dhe universiteti Bujqësor dhe ndërkohë deri në fund të vitit unë do të shkoj në Peqin, Krujë, Mallakastër, Skrapar, Berat, Fier, Dibër, Vlorë, Selenicë, Sarandë, Kukës, Has, Tropojë, Pogradec, Gjirokastër…”, tha ministrja.

Në komisionin për çështjet sociale u zhvillua edhe një seancë dëgjimore me drejtorin e Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, i cili foli për rritjen e indeksit të pensioneve për vitin e ardhshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb