TIRANË

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka mbledhur qeverinë mëngjesin e kësaj të enjte, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi në tejkalimin e kësaj  situate të rëndë. Shefi i qeverisë tha se po punohet pa pushim, natë e ditë për të garantuar çdo nevojë ndaj familjeve të prekura.

Sipas tij, edhe pse situata vijon të jetë e rëndë, ekipet duhet të punojnë për inventarizimin e familjeve që strehohen në hotele, por dhe verifikimet konkrete në terren në banesat apo shtëpitë e shkatërruara. Shefi i qeverisë teksa foli gjatë para ministrave  pohoi se çdo familje e prekur do trajtohet me solidaritet të plotë.

“Ndërkohë që bilanci i të vdekurve është rritur, kërkimet pa pushim të trupave heroike të shpëtimit nuk kanë arritur të nxjerrin më jetë nga gërmadhat, ata të cilët kanë vijuar dhe vijojnë të punojnë në kushtet e një rrezikshmërie tanimë shumë të lartë, qofshin përfaqësues të trupave tona dhe jo vetëm. Është momenti për të ndihmuar psikologjikisht një popull të traumtizuar dhe nuk është momenti për audiencë, like dhe komente. Të gjithë të kontribuojnë sa të munden për të qetësuar shpirtrat e  stërtrazuar të njerëzve dhe për të përçuar informacion real.  Kjo është koha e psikologëve dhe jo e astrologëve. Nga mbrëmë nuk ka asnjë familje që nuk ka një strehë,  që nuk është e mbrojtur nga shiu dhe e garantuar me ushqime. Duhet të punohet me shumë këmbëngulje. Do të na duhet shumë vëmendje ndaj këtyre njerëzve, shumë dinjitet në shërbimin ndaj tyre dhe do të na duhet një durim i hekurt, të cilin ne duhet ta kemi. Ne duhet të garantojmë kushtet optimale për në këto kushte, kur kanë humbur pasurinë e tyre. Tani është momenti për të inventarizuar  të gjithë kuadrin e situatës së familjes duke bërë  verifikime strikte të familjeve që strehohen në hotele.  Duhet intensifikuar puna për banesat fizike dhe të iventarizohen. Komiteti Kombëtar i Rindërtimit është krijuar  që dje, është  në fazën fillestare të punës dhe unë do të doja që të theksoja që ministria e Infrastrukturës, e cila meriton mirënjohje për gjithë sakrificën  së bashku me kolegët e tjerë, që ju ka rënë detyra të përballajojnë situatën në vijën e frontit, duhet të garantojmë përfshirjen e të gjithë inxhinierëve nga të gjithë rrugët e jetës nga sektori publik e privat”-tha Rama.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: