Tirana u rikthye tek rezultatet pozitive, dy fitore radhazi kanë sjellë qetësi në shtëpinë e bardhebluve, por kampionët në fuqi nuk dëshirojnë të ndalen këtu. Këtë të shtunë udhëtojnë në transfertë përballë Skënderbeu, një ndeshje e lehtë në letër por jo për Nevil Deden, i cili kërkon përqendrim maksimal përballë një ekipi që ka bërë historinë. Dede pranon se klima është pozitive por duhet të korrigjojnë mënyrën se si shkojnë tek goli. Trajneri i Tiranës është ndalur shkurtimisht edhe tek gara për titull, ku në mënyrë surprizë për Deden dhe jo vetëm, kampionati kryesohet nga Vllaznia:

“Ndeshja me Skënderbeun? Me rëndësi është ta vlerësojmë. Respektojmë kundërshtarin dhe historinë që ka, si dhe atë që bëjnë. Janë një ekip që po mundohen të bëjnë gjëra të mira. Shkojmë në një qytet që ka bërë histori, por shkojmë me objektiv maksimal. Uroj të shkojë gjithçka fair. Kam nostalgji për ata periudhë që kam punuar atje. Është garë dhe duam të fitojmë.Po mendojmë vetëm për ndeshjen me Skënderbeun. Pa kaluar ajo ndeshje nuk mendojmë për të radhës.

Normalisht është një periudhë me shume ndeshje. Rezultatet i japin besim ekipit. Me një klimë pozitive lojtarët japin më të mirën. Do mundohemi të jemi pozitivë. Ana psikologjike është e mirë, por duhet të mundohemi të shënojmë sa më shpejt edhe më shumë. Kemi elementë të rinj që duan qetësi dhe minuta.

Lojtarët? Sasraku është lojtar i rëndësishëm për skuadrën. Ka ndihmuar ekipin, por duhet të nisë edhe të shënojë. Më pas do ketë tjetër rendiment. Edhe skuadrën e ndihmon. Sa i takon Muçit, ai po rritet nga ndeshja në ndeshje. Shifrat i kemi të mira në aspektin e mbajtjes së topit, apo gjuajtjeve në portë. S’është e nevojshme të shënojnë vetëm sulmuesit. Po shënon edhe Batha, edhe mbrojtja po bën mirë. Gjithashtu edhe portieri po bën ndërhyrjet e tij në momente të caktuara.

Vllaznia? Rivalë për titull janë disa. Di që kanë bërë pikë, vetëm kaq. Nuk më takon të bëj rolin e analistit. Nuk e kisha parashikuar këtë ecuri, por nuk jam Zoti dhe nuk di gjithçka.

Humbja me Vllazninë peng? Kur humb në fund të vjen keq, por vetëm kaq. Më intereson ndeshja e radhës për momentin, si dhe skuadra ime”, tha Dede përpara medieve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb