Të rinjtë e forumeve rinore politike protestuan sot para Ambasadës së Francës në Tiranë për të kërkuar lirimin e ish-kryeministrit, luftëtarit dhe politikanit të shquar të Kosovës, z. Ramush Haradinaj.

Rreth 500 të rinj morën pjesë në protestën paqësore, teksa në duar mbanin slogane “Me Ramushin”, “Ramush Haradinaj është Kosova”, “Francë, mos na zhgënje, thuaj jo lojërave të Serbisë” apo “LRI në mbështetje të lirisë,” “Haradinaj simbol i lirisë,” “Për Haradinaj, një komb një qëndrim”, etj.

Gjatë protestës drejtuesit e forumeve kryesore politike në vend bënë apel për lirimin e menjëhershëm të Ramush Haradinajt, i cili është ndaluar nga policia franceze në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia që në vitin 2004.

Në fjalën e saj, Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, znj. Floida Kërpaçi, kërkoi lirimin sa më parë të Ramush Haradinajt, për të cilin tha se është simbol i sakrificës për të gjithë shqiptarët.

“Më vjen mirë që sot jemi këtu së bashku me gjithë kolegët e mi të forumeve rinore dhe me të gjithë të rinjtë shqiptarë me një kauzë shumë të madhe për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ne jemi këtu sot për të kërkuar lirimin e z. Ramush Haradinaj dhe rikthimin e tij në Kosovë. Z. Haradinaj është një simbol i sakrificës, i cili ka bërë që të gjithë shqiptarët të gëzojnë lirinë, dinjitet dhe drejtësi. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të z. Haradinaj dhe kemi besim te Franca. Kemi besim tek ajo Francë, e cila ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ne kemi besim se kjo Francë nuk po ndihmon Serbinë e Millosheviçit”, – tha Kryetarja e LRI-së.

Gjithashtu, Kërpaçi theksoi se ekstradimi i z. Haradinaj do të ishte një veprim absurd, që nuk e ndihmon dialogun politik midis Kosovës dhe Serbisë dhe ndikon në klimën e bashkëpunimit mes vendeve.

“Ne besojmë se ekstradimi i Haradinaj është një veprim absurd dhe padiskutim ne kërkojmë lirimin dhe rikthimin e tij të menjëhershëm në Kosovë. Ekstradimi i tij është një veprim absurd, që nuk do ta ndihmojë dialogun politik midis Kosovës dhe Serbisë. Pa diskutim që ne duhet të kërkojmë krijimin e një klime të re bashkëpunuese, një klime pozitive dhe një klime komunikimi akoma dhe më të mirë ndërmjet Serbisë dhe Kosovë. Kështu që ajo për të cilën ne ishim sot në një protestë shumë paqësore midis të gjithë forumeve rinore me një përfshirje shumë të madhe të të gjithë të rinjve, ishte një kauzë shumë e madhe e të gjithë të rinjve, rikthimi i Haradinajt në Kosovë. Haradinaj është një njeri i cili ka sakrifikuar, ka luftuar, është një patriot, është heroi i të gjithë shqiptarëve, është heroi i të gjithë rinisë, dhe padiskutim që ne do të jemi këtu. Do të jemi edhe në ditët në vazhdim për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij dhe rikthimin në Kosovë”, – deklaroi ndër të tjera Kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi gjatë protestë paqësore para bllokut të ambasadave në Tiranë.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb