Të rinjtë e Partisë Agrare Ambientaliste, me anë të një deklarate për mediat, shprehin indinjatën e tyre për ndalimin në Shqipëri të mësimit online në universitetet publike dhe private në vendin tonë.

PPA thekson se mësimi online, jo vetëm që nuk duhet ndaluar, por kjo mënyrë duhet që të nxitet dhe të gjejë mbështetje, në mënyrë që të veprohet njësoj si në vendet europiane të zhvilluara.

Njoftimi i të rinjve të PAA-së:

Deklaratë – Të rinjtë e PAA-së

Protestojnë për ndalimin me ligj të mësimit online në arsimin e lartë në Shqipëri

Mësimi online po bëhet gjithnjë e më shumë një mundësi e jashtëzakonshme e mirë-arsimimit  të rinjve dhe demokratizimin e dijes kudo në botë.

Jo vetëm për shkak covid-19 por për avantazhet që sjell mësimi online, ai jo vetëm duhet lejuar por duhet mbështetur me politika publike si për universitetet publike edhe për ato jopublike.

Universitetet publike dhe private kudo në botë ofrojnë një larmi të pafund të leksioneve të hapura ku çdo nxënës dhe student të përzgjedhë lirisht lëndët që preferon, profesorët që beson më shumë, të trajnohen dhe ri-trajnohen jo vetëm nëpërmjet diplomave por edhe nëpërmjet kurseve më të reja. Edhe universitetet më të mira dhe më të shtrenjta në botë ofrojnë sot një larmi të jashtëzakonshme diplomash të programeve bachelor, programeve master profesional dhe shkencor.

Përfitimet nga mësimi online janë të jashtëzakonshme sidomos nga të mësuarit gjatë gjithë jetës me fleksibilitet maksimal të njohurive për të mbyllur gapin e tregjeve të reja të punës.

I nderuar z. Kryeministër përse pengoni me ligj mësimin online?

Përse i detyroni fëmijët dhe studëntët shqiptarë të humbasin një nga mundësitë më bashkëkohore për tu mirë-arsimuar pa u futur në borxhe por me eficencë maksimale të shpenzimeve të tyre dhe të familjeve të tyre?

Përse universitetet publike dhe private ndalohen të ofrojnë diploma bachelor nëpërmjet mësimit mbasdite, mësimit në fundjavë dhe mësimit online?

Edhe në kohën e diktaturës universitetet kishin të drejtë të kishin mësim natën, të kishin diplomim nëpërmjet sistemit të mos shkëputjes nga puna.

Edhe universitetet si Harvard, MIT, Yale, Staford, Berkley kanë mësim pa shkëputje nga puna. Ka disa qindra studentë të diplomuar online në universitetet amerikane dhe europiane që Ministria e Arsimit nuk njeh diplomat. Nga dallon diploma nga mësimi në klasë me diplomat në mësimin online, kur të dyja janë të ligjshme në ato vende? Kjo është shumë më shumë se thjesht padije.

Kryeministër sipas Bankës Botërore 44.1% e familjeve shqiptare jetojnë me 160 $ në muaj ndërsa kësti i një muaj shkollimi i fëmijëve të tyre është nga 150 -200 euro. Këta fëmijë të pa arsimuar rrezikohen të trashëgojnë varfërinë prindërve të tyre. Shumë nga këto familje heqin deri edhe bukën e gojës dhe nuk blejnë dot as ilaçet vetëm që fëmijët e tyre të mos mbeten të varfër si ata. Përse studentët shqiptarë të mos reduktojnë në maksimum kostot e arsimit të tyre dhe familjeve të tyre gjate gjithë jetës duke punuar dhe mësuar siç bëjnë studentet kudo në botë përveç në Shqipëri? Shqipëria mund të bëhet një vend i begatë vetëm nëpërmjet dijes e cila duhet të jetë lehtësisht e arritshme në çdo mënyrë, e shpejtë dhe me kosto të vogël për çdo shqiptar. Rrëzimi i barrierave për tu mirë-arsimuar duhet të jetë prioritet i prioriteteve të çdo shqiptari. Dija, jo vetëm e elitave ta bëjë Shqipërinë një vend të begatë. Babëzia do ta lërë Shqipërinë një vend të pa-arsimuar dhe përherë të varfër.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb