TIRANË- Nën moton “Kundër betonizimit” shoqëria civile është mbledhur sërish pranë kantierit në parkun e liqenit artificial ku po ndërtohet këndi i lojërave për fëmijët. Aktivisti Ervin Goci denoncon edhe njëherë faktin se bashkia e Tiranës nuk ka leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit për këtë ndërtim.

“Kemi mbledhur disa fakte, tani le të thotë sa të dojë bashkia që këtu nuk ka nevojë për leje mjedisore unë këtu kam faktet e betoniereve e drurëve të prerë dhe me këto fakte sot vajtëm tek Ministria e Mjedisit. Kemi kërkuar takim me këshilltarët e bashkisë me komisionin e mjedisit në kuvend dhe takim me Ministrinë e Mjedisit. Tani presim takime me institucione të cilat janë përgjegjëse sidomos për vlerësim i ndikimit në mjedis sepse vlerësimi i ndikimit në mjedis këtu nuk ekziston. Tani ne kemi fakte. Fakti ka ndodhur dëmi është bërë shikoni çfarë i kanë bërë rrënjëve të pemëve”, tha Goci.

Sakaq në mbështetje të shoqërisë civile ishin edhe përfaqësues nga Partia Demokratike. “Kemi dal këtu sot për të ndaluar vazhdimin e betonimit dhe jam i sigurt që do dalim kështu çdo ditë qoftë dhe në orët e vona të natës pasi ata e kanë bërë praktikë pune që hedhin beton kur errësohet ose mbas mesit të natës siç e bënë dje. I bëj apel qytetarëve të Tiranës atyre që janë rritur tek ky park të vijnë dhe protestojnë dhe të ndalojnë betonin. Ky beton nuk mbaron me sot. Ky beton i hap rrugën betonimit të mëtejshëm të parkut të liqenit dhe ky është mashtrimi më i madh që i bëhet sot qytetarëve të Tiranës”, tha deputeti demokrat, Gert Bogdani.

Grupi i të rinjve ka vendosur të qëndrojë dhe të bëjë rezistencë pranë kantierit të ndërtimit. Qëllimi i aktivistëve është vetëm të mos lejojnë të nisin punimet befasisht gjatë natës.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: