SARANDË

Të rinjtë e katër forcave politike në Sarandë janë bashkuar dhe kanë bërë thirrje për protesta.
Mësohet se të rinjtë e FRPD-së, LRI-së, PR-së, PAA-së, PBDNJ-së kanë dalë me një deklaratë të përbashkët.

“Në 8 Dhjetorin e gjashtë të kësaj qeverisjeje, Saranda, Konispoli e Finiqi vazhdojnë të tkurren e të plaken nga ikja e të rinjve në emigracion. Numri i të rinjve të kësaj zone që kanë zgjedhur të largohen përfundimisht nga Shqipëria është i frikshëm dhe po rritet cdo orë e cdo ditë me shpejtësi”, deklarojnë të rinjtë opozitarë.

Ata thanë se ne sot solidarizohemi me studentët që vijojnë prej ditësh protestën në kryeqytet dhe i bëjmë thirrje çdo të riu banor i Bashkive Sarandë, Konispol e Finiq, t’i bashkohet kësaj proteste dhe të përhapë frymën e saj kudo.

DEKLARATA E PLOTË
Në këto ditë të vështira e në këtë kohë mungese shprese për banorët e Sarandës, Konispolit e Finiqit, 8 Dhjetori i sivjetëm vjen si rreze drite për të ardhmen.

Jemi këtu si një forcë e vetme opozitare, bashkë me aleatët tanë të LRI, PBDNJ, PR dhe PAA, ai aleanca më e madhe rinore politike për të nisur rrugëtimin për çlirimin përfundimtar të zonës sonë nga oligarkia mafioze që ka hedhur tentakulat e saj në cdo nivel përfaqësimi publik, duke rrënuar jetesën e bashkëqytetarëve tanë dhe shuar shpresën e të rinjve.

Në 8 Dhjetorin e gjashtë të kësaj qeverisjeje, Saranda, Konispoli e Finiqi vazhdojnë të tkurren e të plaken nga ikja e të rinjve në emigracion. Numri i të rinjve të kësaj zone që kanë zgjedhur të largohen përfundimisht nga Shqipëria është i frikshëm dhe po rritet cdo orë e cdo ditë me shpejtësi.

Administrata publike është mbushur me militantë, shpeshherë të paaftë e shumicën e rasteve të ekspozuar fort ndaj aferave korruptive që ne i kemi bërë e do vazhdojmë ti bëjmë publike, por më e rëndë akoma është mbajta në punë e punonjësve të devotshëm të partisë që tashmë duhet të ishin duke marrë pensionin e jo rrogën që marrin në vend të një të riu. Administrata juaj është produkt i votave të blera në qershor 2017, është produkt i aferave në drekat e luksit restoranteve të Sarandës dhe produkt i planit tuaj mafioz për shtrirjen e hegjemonisë zaptuese në cdo institucion. Hiqni dorë njëherë e mirë nga presioni mbi të rinjtë e ndershëm në administratë duke i detyruar të marrin tesera për të kënaqur gajasjet e liderit tuaj në Limanin e Sarandës, sepse ju garantojmë se më shumë gajasen qytetarët për derexhenë ku jeni katandisur.

A e dini ju se mungesa e një alternative për të rinjtë ka sjellë sot fatkeqësisht edhe faktin e rëndë, atë të burgosjes së dhjetra djemve nga zona jonë në burgjet e Greqisë, për shkak të shfrytëzimit të tyre nga organizatat e trafikut të drogës, të cilat sot hedhin valle me përkrahje qeveritare mbi shpinën e familjeve të varfra. E nëse nuk dini këtë, kini burrërinë të tregoni se pse në KZAZ e Sarandës në qershor 2017 sollët trafikantë droge nga Vlora e cili ishte roli i tyre atë ditë.

Ne sot solidarizohemi me studentët që vijojnë prej ditësh protestën në kryeqytet dhe i bëjmë thirrje cdo të riu banor i Bashkive Sarandë, Konispol e Finiq, t’i bashkohet kësaj proteste dhe të përhapë frymën e saj kudo. Tarifat universitare janë një tjetër barrë e rëndë për të rinjtë shqiptarë, një tjetër goditje e fortë në ekonominë familjare.

Të nderuar bashkëqytetarë, të rinj e të reja, prindër, njerëz të ndershëm, të majtë, të djathtë e të qendrës, harrojini ngjyrat politike, mendoni për të ardhmen tuaj, bashkohuni dhe reagoni me forcë kundër kësaj qeverisje sepse zona jonë po lëngon në ditët e saj më të zeza.

E megjithatë, Saranda ka akoma djem dhe vajza që e duan fort atë dhe janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë e duhura për rikthimin në vend të dinjitetit ashtu sic i ka hije. Ora ka ardhur!
E nëse kjo quhet luftë, e tillë le të jetë. Ne do e fitojmë atë…me cdo mjet…me cdo cmim!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb