Kur janë bere dy muaj nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, situata në fshatrat e Krujës paraqitet e vështirë për banorët, të cilëve iu janë dëmtuar shtëpitë e që jetojnë në çadra.

Sabie Beka është e braktisur nga fëmijët e saj. Jeton e vetmuar prej vitesh e thotë, se vetmia i është bërë shoqëruesja e ditëve të jetës së saj të vuajtur. E gjetëm teksa ziente disa vezë, për shkak se e ka të vështirë të gatuajë. Dhe për të ngrënë gatuan brenda në shtëpinë e dëmtuar, duke rrezikuar jetën e saj.

Image2
Image2

E vështirë situata paraqitet edhe në shtëpinë e Xhemile Metës, nënës 70-vjeçare, e cila me lot në sy tregon vuajtjen që ka pasur këto 60 ditë. Çadra për të është shumë e ftohtë, e për këtë arsye janë detyruar të improvizojnë një kasolle, ku gjithashtu i ftohti është i pranishëm. Sipas nënë Xhemiles një kontejner do të mundësonte që djali 4 muajsh i familjes të jetë më i sigurt e të mos qajë nga i ftohti.

Xhemile Meta tregon se përgjatë këtyre dy muajve kanë qenë të shumtë grupet e ekspertëve që kanë shkuar në shtëpinë e saj, por së bashku me autoritetet lokale, nuk i kanë dhënë një përgjigje se kur mund të nisë nga ndërtimi banesa e saj.

Të vështira këto ditë kanë qenë edhe për vajzën e vogël të shtëpisë Lauretën, e cila na tregon se i ftohti është bërë i padurueshëm, madje ikja e dritave bën që e vogla t’i bëjë detyrat nën dritën e qiririt. Lauretën e gjetëm teksa përkundte vëllain e saj të vogël.

Kjo është situata në fshatin Mazhe e Vogël të Krujës. Një fshat tashmë i braktisur nga autoritetet, të cilat sipas banorëve nuk interesohen më për hallet e tyre. Çadrat që u janë dhënë nuk i mbrojnë ata nga i ftohti i dimrit, e as nga shiu. Dhe ajo se çfarë u ka mbetur këtyre banorëve është lutja ndaj Zotit, që dimri të largohet sa më shpejt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb