Prindër, luani me fëmijët tuaj!

Që sa përmendim fjalën fëmijë , automatikisht krijohet asosacioni me termin LOJË.

Situata që shumica e prindërve po kalojnë sot, në kohën kur janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, ka avantazhet e saj…të shpenzojmë kohë të shëndetshme duke luajtur më fëmijët, por nuk është kaq e thjeshtë sigurisht. Gjatë punës time të përditshme me fëmijë dhe prindër kam vënë re se shumë prindër hasin vëshirësi në këtë aktivitet edhe pse loja duket si diçka e lehtë.

Në vëmendjen e profesionistëve loja merr një vëmendje të veçantë, pasi me të lidhen shumë arritje në fushën e zhvillimit dhe edukimit të fëmijës. Po e njëjta vëmendje duhet të ekzistojë edhe për prindin I cili eshtë edukatori I parë dhe kryesori në zhvillimin dhe mirërritjen e fëmijës.

Realitetin sot të gjithë prindërit e shohin, orë të zgjatura në TV, në celular, në lojra kompjuterike. Të gjithë e shohin, por pak prindër mundohen të ndërhynë, përmirësojnë, stopojnë këtë realitet për një zhvillim më të shëndetshëm të fëmijës së tyre.

Faji! -Zhvillimi I teknologjise –Urbanizimi dhe mos pasja e një tereni të përshtatshëm ku fëmija të luajë – Mbingarkesa e prindërve dhe shpenzimi I shumë orëve në punë – Vendosja e një dadoje thjesht për kujdesin fizik dhe dhëndetësor të fëmijës,- Mos informimi I prindërve për rëndësinë e lojës tek zhvillimi I fëmijës, – Reklamat e mëdha për “ lodrën e gabuar” apo “lodrën e papërshtatshmë”

Gjej rastin që nëpërmjet këtij shkrimi të jap një orientim prindërve përsa I përket rëndësisë që ka loja në zhvillimin e fëmijës, edukimin e tij, socializimin dhe të ndjerit më I sigurt në të ardhmen. Gjithashtu më poshtë prindërit do gjejnë këshilla se si ta menaxhojnë mardhënien prind-lojë-fëmijë.

Çdo prind duhet ti bëj pyetje vetes – Cfarë do luajë fëmija im tani? –Me çfarë do luajë? –Me kë do luajë? Nëse e ka të vështirë ti përgjigjet vet këtyre pyetjeve, prindi duhet ti drejtohet profesionistëve të zhvillimit të fëmijës apo të gjejnë informacione nga burime alternative.

Pse është kaq e rëndësishme që fëmija të luajë?

Nxiten aftësitë njohëse të fëmijës. Gjatë lojës fëmija ushtron shqisat, pasuron të folurin, zhvillon proceset psikike. Duke luajtur fëmija fillon të njohë ngjyrat, objektet, format, kafshët, madhësinë. Nëpërmjët lojës fëmija mëson cdo ditë gjëra të reja, mëson të kapërcejë dështimet dhe të fitojë mbi vështirësitë.

Nxiten aftësitë krijuese dhe imagjinata. Kur fëmija luan, ai shpik, krijon lojra të reja. Lehtësisht fëmija mund të transformojë një dërrasë në një veturë ose një kuti në një shtëpi, kjo falë fantazisë që fëmija vë në punë. Në këtë moment fëmija fillon të krijojë histori dhe situate imagjinare të cilat mund ti përjetoj vetëm ose me moshatarët.

Përmbushja e nevojave emocionale. Gjatë lojës fëmija ka më të lehtë të përjetojë dhe shpreh emocionet apo andjenjat. Nëse një fëmijë ka hasur vështirësi nga ndonjë situatë  apo ngjarje e mëparshme ( frikë, shqtësim, pasiguri, ankth, abuzim etj) nëpërmjet  lojës fillon ti rikrijojë këto situata duke I kthyer në situate më të përballueshme psikologjikisht për ta. Loja arrin të reduktojë frikën, ankthin, zemërimin dhe të zëvendësojë këto ndjenja më gëzim, lumturi vetëvlerësim.

Gjatë lojës me moshatarët fëmija ndeshet me rregulla. Këtu ai  fillon dhe kupton që loja ka rregulla dhe ato janë të nevojshme për ti zbatuar në mënyrë që loja të vazhdojë si dhe rregulla të cilat do ti nevojiten në jetën e përditshme kur ai të rritet.

Nxitet zhvillimi fizik (motorika fine dhe globale). I gjithë trupi përfshihet në aktivitet fizik nëpërmjet lojës, loja aktive zhvillon muskulaturën, ndihmon në kordinimin më të mirë të gjymtyrëve. Motorika fine zhvillohet nëpërmjet lodrave që fëmija manipulon nëpër gishta dhe duar.

Nxitja e zhvillimit gjuhësor. Loja ndihmon në hedhjen e themeleve gjuhësore. Loja që një fëmijë zhvillon në moshën 13-24 muajshme ndikon në zhvillimin gjuhësor të tij në një moshë më të rritur. Fëmijët në këtë moshë aktivizohen në lojra shkak-pasojë, fillon të ndjejë kënaqësi nga loja paralele me moshatarë apo prindërit, fillon të manipulojë me sende dhe ti japi funksion atyre. Gjatë këtyre aktiviteteve fëmija fillon të mendojë si të përdorë të folurin dhe komunikimin për të arritur qëllimet e tij. Fëmijët e të gjitha moshave u pëlqen të luajnë me gjuhën sepse duke bërë këtë, ata ndjejnë se e kontrrollojnë atë dhe loja është arena për të eksperimentuar dhe për të kuptuar tingujt, rrokjet, fjalët dhe strukturën gramatikore.

Nxitja e aftësive sociale. Njerëzit janë qënie sociale dhe aspekti se si një fëmijë ndërvepron me prindërit, moshatarët, kujdestarët, familjarët, mësuesit etj ndryshon nga fëmija në fëmijë. Loja nxit motivin për shoqëri, dëshirën për tu shmangur nga vetmia dhe për të ndjerë kënaqësi nga ndërveprimi me njerëit e tjerë. Nëpërmjet lojës fëmija rrit ndjenjën e ematisë, ndjenjën e ndarjes së gjërave me të tjerët.  Në lojë fëmijët mund të provojnë modele të reja sjelljeje, të udhëhiqen nga të tjerë apo të udhëheqin duke njohur më mirë veten.

Këshilla për prindërit. Si mund të nxisin lojën tek fëmijët e tyre.

1-Loja dhe karakteristikat e moshës. Duhet patur fort parasysh që cdo etapë zhvillimi tek fëmija, kërkon lodra apo lojrat e saj. Prindër, kini kujdes sidomos në lodrat që I blini fëmijës por sigurisht edhe në lojrat që bëni me ta apo lojrat që pretendoni që një fëmijë mund të bëj në një moshë të caktuar. Shumë lodra e kanë të shënuar në paketim moshën e përshtatshme për tu përdorur nga fëmija. Nëse keni të vështirë përzgjedhjen më poshtë keni disa orientime…

0-6 muajsh ( lodra të buta, me ngjyra, lodra lëvizëse që mund të tërheqin vëmendjen e fëmijës  ose të lehta për tu kapur nga dora e tij)

6-18 muajsh (lojra të thjeshta që mund ti eksplorojë vet si psh loja shkak-pasojë, lojra që kur shtypen bëjnë tinguj apo muzikë, loja e parë me puzzle me 1 pjesë, loja me vendosjen e rrathëve në piramidë, loja me gjetjen e vendit të formave në kuti, jo më shumë se 4 forma apo ndërtimin e një kulle me kuba të mëdhej)

18 muaj-3 vjec ( fillon loja paralele me moshatarë dhe të rritur, këtu keni hapsirë të luani me fëmijën sikur gatuani, sikur ushqeni kukullën, sikur I jepni makinës, apo loja e fshehjes dhe gjetjes së një objekti. Lejoni fëmijën në këtë moshë të zhvillojë fantazinë në natyrë, të eksplorojë, të bëhët pis, të hidhet, kacavirret, të përfshihen në lojë me moshatarët. Në këtë moshë fillojnë librat e parë me muzikë, sende, kafshë, ngjyra)

3-5 vjec (loja bëhët më kreative duke pëlqyer futjen e sa më shumë elementëve në të, pëlqen të ndërtojë, formojë, puzzle me shumë pjesë apo ndërtimi I pallateve, rrugëve me kuba apo lodra të tjera. Në këtë moshë fëmijës I pëlqen të ndajë lojë simbolike dhe lojë me role me moshatarët apo të rriturit, psh të bëhet si mësuese  si shofer apo si kuzhinier.

2- Mos kini tendencë të blini shumë lodra. Fëmija duhet të nxitet të eksplorojë dhe të rrisi përqëndrimin në një lodër. Nëse para tij gjenden një mori lodrash, fëmija do ketë tendencë të shperqëndrohet, të mos inkuriozohet dhe të mos I eksplorojë sic duhet ato. Prezantoini 2,3 lodra jo më shumë.

3- Mos lejoni fëmijën të qëndrojë për një kohë të gjatë në celular apo në TV edhe nëse mendoni se program është I përshtatshëm për të. Deri në mohën 2 vjec fëmija nuk e ka të nevojshëm shikimin e TV apo celularit. Koha e shikimit të një programi në TV pas moshës 2 vjec mund të jetë 15 min dhe programe me muzikë apo histori të shkurtra të animuara. Mos I lini pasiv fëmijët edhe kur shohin TV, ju mund të bëheni pjesë e kënaqësisë së tyre duke kënduar dhe imituar bashkarisht tingujt, fjalët apo lëvizjet në muzikën apo programin që fëmija po ndjek.

4- Mos u ndjeni në faj edhe nëse koha që shpenzoni me fëmijën duke luajtur nuk është e madhe për shkak të angazhimeve tuaja të tjera. Mjafton kohë e shkurtër por cilësore, vëmendja të jetë e drejtuar vetëm tek fëmija pa shpërqëndrues të tjerë dhe duke ndjekur këshillat e lartëpërmendura.

5-Mos kini frikë të lini fëmijën të lirë të luajnë në natyrë, të bëhen pis me rërë apo baltë. Sa më shumë kontakt me natyrën dhe tokën, aq më zhvillim të shëndetshëm fizik dhe mendor do ketë fëmija.

Mos harroni: “Loja bashkon mendjen, trupin dhe shpirtin”(J.Levy 1978)

Anisa Dizdari- Psikologe shkollore

Drejtore Qendra TISS- Qendra e Sherbimeve dhe Trajtimit Psikosocial

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: