TIRANE– Një lajm i mirë për vogëlushen dy-muajshe, Reanta Balliu, e cila kishte nevojë për një transplant, por i duheshin 26 mijë euro.

Tashmë të gjitha paratë janë siguruar, ndërsa vajza do të niset bashkë me dy prindërit e saj drejt Italisë, atje ku do të bëhet dhe transplanti. Ka qenë pikërisht këngëtari Noizy, ai që ka mbledhur paratë për transportin me avion të familjes Balliu, ndërsa ata do udhëtojnë me një mjet fluturimi sanitar. Mësohet se shuma që ka mbledhur Noizy me miqtë e tij ka qenë 14 500 euro.

Sakaq, familja Balliu pret të marrë vizat mjekësore për udhëtimin. ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ falenderon të gjithë njerëzit që ndihmuan Reantën dhe iu përgjigjen apelit të prindërve për ndihmë, falënderim që i bashkohet dhe familja Balliu.

Foshnja e çiftit Balliu lindi me një sëmundje të rrallë, sipas diagnostifikimit të mjekëve me anomali në aparatin tretës. Vetëm pak orë pasi lindi, Reanta iu nënshtrua një operacioni tepër të vështirë e të komplikuar në kirurgjinë e spitalit pediatrik në QSUT.

Ashtu siç u tha dhe nga mjekësia, asnjë fëmijë në spitalin “Mbretëresha Geraldinë” nuk ka lindur me këtë anomali në aparatin tretës dhe se rasti i Reantës është tepër i rrallë por fatkeqësisht në vend nuk ka asnjë spital të specializuar që mund të kryeje transplantin. Ka qenë ndihma dhe mbështetja e madhe e Drejtoreshës Ekzekutive të “Fondacionit Spitalor të Nënës dhe Fëmijës”, Gerta Hagen, e cila gjeti spitalin e specializuar për të operuar Reantën në Romë, ndërsa është marrë përsipër nga profesori italian Pietro Bagolan.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb