Pas arrestimit të mjekut të Spitalit të Traumës i arrestuar për ryshfet, Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë kanë reaguar duke thënë ndër të tjera se çdokush që shkel ligjin duhet të dënohet, por shtojnë se pamje të atij operacionit dhe arrestimi i tij me uniformën e punës, nuk kanë qenë aspak të drejta.

“Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë po ndjek me shumë vëmendje rastin e ndalimit të kolegut tonë anestezist në Spitalin e Traumës, F.M. Ndërkohë që mbështesim çdo veprim të organeve ligjzbatuese për hetimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje të kryer nga kushdo gjatë ushtrimit te detyrës, shprehim shqetësimin tonë për mënyrën denigruese të ndalimit të mjekut.

Pamje të tilla, të bëra publike, ku mjeku me uniformë shoqërohet nga policë të maskuar nuk i shërbejnë askujt që kërkon me të vërtetë përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vend.

Vlen të kujtojmë se operacione të tilla, të organizuara me kaq bujë mediatike, nuk i kemi parë as në rastet e ndalimit të kriminelëve të rrezikshëm apo zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion të përmasave të mëdha! Jemi të sigurt që kolegu mjek do të ishte paraqitur pranë organeve përkatëse edhe me një fletëthirrje të thjeshtë.

Të mos harrojmë as vijën shumë të hollë që ndan simulimin gjatë hetimit dhe provokimin, gjë që ata që organizojnë operacione të tilla e dinë shumë mirë. Urojmë që kolegu të provojë pastërtinë e figurës së tij, nëpërmjet një procesi të drejtë ligjor”, thuhet në reagimin e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb