PEJE- Policia e Kosovës tha se persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri që kanë kaluar pa dëme në njerëz në një fshat të banuar me shumicë serbe në Kosovën perëndimore.

Sipas policisë, të rreth orës 2: 50 të hënën në rrugën kryesore që përshkon fshatin Gorozhdec, të komunës së Pejës ka ndodhur një incident, ku nga të shtënat me armë zjarri është dëmtuar një shtëpi private dhe është dëmtuar me forcë edhe një përmendore në atë fshat, që ishte ngritur për të përkujtuar, siç thuhet, viktimat e sulmeve të NATO-s.

Njësitë e policisë thanë se kanë gjetur një makinë të djegur, ndërsa një shtëpi banimi është qëlluar me katër plumba. Policia tha se po kryen hetime intensive dhe tash për tash nuk mund të thuhet asgjë për autorët apo motivet e mundshme të incidentit. Ndaj incidentit reaguan autoritetet në Beograd, duke akuzuar shqiptarët si autorë të tij.

VUÇIÇ: SULM KUNDËR GJITHË POPULLIT SERB NË KOSOVË
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, tha se ky ishte “një sulm kundër gjithë popullit serb në Kosovë”.
Ai tha se nuk pret asgjë nga Prishtina, ndërsa është “koha e fundit që komuniteti ndërkombëtare të marrë masa për mbrojtjen e serbëve në Kosovë”.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviç, dënoi incidentin në Gorozhdec, duke theksuar se “sulmet ndaj popullatës serbe kanë tejkaluar çdo masë”. Në një komunikatë të zyrës së tij thuhet se “ky është momenti kur në Kosovë të gjithë ata që mendojnë mirë duhet të pyeten ku shpie kjo sjellje. Jemi dëshmitarë se provokimet, frikësimet, dëmtimi i përmendoreve dhe i shenjtoreve por edhe sulmet e armatosura, nuk po ndalen. Ftoj të gjithë kompetentët t’ua presin rrugën autorëve të veprave të tilla”.

REAGON OSBE
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Jean-Claude Schlumberger dënon aktin. “I dënoj fuqishëm këto incidente. Intensiteti i këtij të fundit dhe fakti se ky është një shqetësim që po përsëritet kontribuon në ndjenjën e pasigurisë në mesin e komunitetit serb të Kosovës,” thuhet në një komunikatë të këtij misioni. Në të cilin nxiten agjencitë për zbatimin e ligjit që të hetojnë rastet në mënyrë efektive dhe urgjentisht të sjellin përgjegjësit para drejtësisë.

“Incidentet e tilla duhet të trajtohen si përparësi, në mënyrë që të gjitha komunitetet, pavarësisht nga vendbanimi i tyre, të mund të ndihen të sigurta dhe të mbrojtura,” thuhet në reagimin e ambasadorit Schlumberger. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson ndërkaq se “incident i sotëm në fshatin Gorazhdec të Pejës, është një incident i rëndë dhe shumë i dyshimtë, që ndodh në një moment tepër të ndjeshëm”, shkruan VOA. Pa dashur të paragjykojmë se kush mund të qëndrojë pas këtij incidenti, ai është bërë me qëllim të ndaljes së procesit të integrimit të pakicave në sistemin e Kosovës, një shembull i mirë i të cilit ka qenë edhe vetë Gorazhdeci.

“U bëjmë me dije të gjithë atyre që bëjnë kalkulime politike, se sulmet e tilla nuk do të mund t’i minojnë përpjekjet tona që serbët e Kosovës të jenë qytetarë të lirë e të barabartë me gjithë të tjerët, e as përcaktimin tonë se në asnjë situatë nuk do të pranohet rikthimi i ndikimit të shtetit të Serbisë në Kosovë”, thuhet në reagimin e kësaj partie në të cilin kërkohet nga organet e rendit të bëjnë të pamundurën që ta zbardhin incidentin e fshatit Gorazhdec dhe ta njoftojnë opinionin publik se kush qëndron prapa skenarëve të tillë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: