BERLIN

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë pasi sulmues të panjohur hapën zjarr në dy kafene në një qytet gjerman në afërsi të Frankfurtit.

Mediat lokale, të cilat raportojnë për personat e vdekur dhe të plagosur, theksojnë se të shtënat kanë ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së kaluar në qytetin Hanau, i cili ndodhet rreth 20 kilometra në lindje të Frankfurtit.

Të shtënat sollën në vendngjarje një numër të madh të forcave policore, të cilët janë në kërkim të autorëve të të shtënave.

Duke mos dhënë informacion mbi viktimat, policia në një deklaratë të shkurtër tha se motivi i të shtënave ende nuk dihet.

Policia tha se një automjet është parë duke dalë nga vendi ku ndodhën të shtënat e para dhe se pas një kohe të shkurtër të shtëna të tjera u raportuan në një lokacion të dytë. //AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb