Gazetarja Klodiana Lala në studion e News24 foli për të shtënat me armë të raportuara drejt ‘Top Channel’, ku mbeti i vrarë, roja Pal Kola 60-vjeç.

Gjatë bisedës në studio, gazetarja Lala e cilësoi një ngjarje teket të rëndë, ndërsa theksoi se fasada e katit të dytë u qëllua me breshëri.

“Një automjet i vjedhur në Shkodër disa kohë më parë, ka ardhur nga ura e Kasharit. Fiks në mesin e godinës është qëlluar gjithë fasada e katit të dytë, nga rreth 15 m.

E them se media asnjëherë nuk është bosh dhe të gjithë ata që kanë qenë brenda kanë qenë të rrezikuar. Roja ka qenë brenda kabinës së tij dhe ka qenë i ulur. Njëri nga rojet në momentin që ka ndodhur sulmi është larguar për pak minuta.

Automjeti më pas është larguar në rrugë dytësore dhe ka marrë drejtimin drejt Kavajës, ku edhe është gjetur i djegur. Është qëlluar në ecje e sipër, pra nuk kanë zbritur në tokë. Hetuesit janë duke parë të gjithë dinamikën. Deri tani nuk mund të flasim për një autor në lidhje këtë ngjarje. Shihet si një sulm i hapur ndaj medias.

Sot në ambientet e jashtme të Top Channel kam parë një klimë të ftohtë dhe një klimë pasigurie. Është përdorur një automjet Range Rover dhe është djegur në mes të rrugës si për të thënë krimi është mbi të gjithë. Ndaj edhe kjo ngjarje duhet hetuar sepse në të kundërt mund t’i japë zë krimit për t’u përsëritur”, tha ndër të tjera gazetarja Klodiana Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb