Publikohet një dokument arkivor me siglën “Sekret”, të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) që i përket muajit korrik të vitit 1990, ku ndodhet procesverbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, të mbajtur më dt. 23 korrik të vitit 1990, e cila nën drejtimin e Ramiz Alisë mori në analizë dhe diskutoi deri me detaje të gjitha ngjarjet e ndodhura në fillimin e atij muaji, ku me qindra e mijëra shtetas shqiptarë, të të gjitha moshave, shpërthyen muret e kangjellat e ambasadave të huaja që ishin të akredituara në atë kohë në Tiranë dhe u futën aty duke kërkuar që të emigronin jashtë shtetit si azilantë politikë.

Procesverbali i plotë i asaj mbledhje ku merrte pjesë edhe Nexhmije Hoxha, në funksionin e kryetarit të Frontit Demokratik të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, ku përveç tyre diskutuan edhe sekretarët e Komitetit Qendror të PPSH-së, Foto Çami e Xhelil Gjoni, sekretari i parë i Komitit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, Lisen Bashkurti, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranë e anëtar i Komitetit Qendror, Pirro Kondi etj.

Diskutimi i plotë i Ramiz Alisë dhe debatet e tij me pjesëmarrësit e asaj mbledhje, për shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, lidhur me mospranimin e tij për të dhënë një intervistë në gazetën “Zëri i Rinisë”, ku të prononcohej hapur kundër atyre që u futën nëpër ambasada, si dhe “indiferencën e intelektualëve shqiptarë, që nuk thanë asnjë fjalë për ftesën që Presidenti francez, Fransua Miterand, i bëri Kadaresë për të shkuar në Francë dhe për të marrë pjesë si i ftuar special, në festimet e 200- vjetorit të Revolucionit Francez”?!

DOKUMENTI SEKRET ME PROCESVERBALIN E
MBLEDHJES SË SEKRETARËVE TË KOMITETIT
QENDROR TË PPSH-SË, MË 23 KORRIK 1990
SEKRET
MBLEDHJA E SEKRETARËVE TË KOMITETIT
QENDROR TË PARTISË
23 korrik 1990
ZHVILLIMI I MBLEDHJES

SHOKU RAMIZ ALIA: Desha të bisedoj sot me ju për situatat dhe ngjarjet që po kalojmë. Kurrë ndonjëherë imperialistët reaksioni dhe tërë armiqtë e komunizmit nuk janë hedhur kundër tij me një sulm kaq të tërbuar sa tani.

Ata synojnë të zhduket kudo fara e socializmit dhe e komunizmit. Duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se Shqipëria ndodhet në qendër të këtij sulmi: Synohet të përmbyset pushteti ynë popullor, të shuhet socializmi.

Këto synime spikatin akoma më qartë pas ndryshimeve e ngjarjeve që ndodhën në Evropën Lindore, duke përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik. Prova më e re për këtë janë ngjarjet që po ndodhin në Bullgari. Presidentin Mlladenov e hoqën, edhe pse e kishin zgjedhur me votime pak kohë më parë.

Edhe atje, po e marrin pushtetin forcat e hapura antikomuniste siç ndodhi në Çekosllovaki e Hungari. Sipas Kushtetutës së re që kanë bërë, Presidenti mund të ndryshohet, ai mund ta mbyllë Parlamentin dhe të bëjë zgjedhje të reja që të fitojë partia e tij. Këto synime, forcat e reaksionit, kërkojnë t’i realizojnë edhe në Shqipëri.

SHOKU FOTO ÇAMI: Kjo është pikënisja, çështja themelore në bazë të së cilës duhet gjykuar për çdo ngjarje, për çdo qëndrim.

SHOKU RAMIZ ALIA: Njerëzve tanë duhet t’ua bëjmë shumë të qarta synimet e armiqve. Të bisedohet shtruar me të gjitha kategoritë: punëtorë, fshatarë, shkrimtarë, artistë etj. T’u thuhet që shtrohet çështja për ta mbrojtur pushtetin tonë, Shqipërinë, socializmin.

A jeni ju për t’i mbrojtur këto, çka kemi me të vyerat apo kërkoni t’u nënshtrohemi kërkesave e tekave të borgjezisë, imperializmit e reaksionit? Duhet tu bëhet e qartë gjithashtu se në ç’rrugë kërkon t’i realizojë reaksioni këto synime.

Veçantia e situatës së sotme është se armiqtë përpiqen që t’i realizojnë synimet e tyre jo në rrugë violente, ushtarake, me okupacion, por në rrugë paqësore dhe për këtë qëllim po përdorin tri armë të forta: E para, kërkohet demokraci, por në kuptimin që i jep këtij termi borgjezia: Kjo demokraci për borgjezët, për reaksionin, për antikomunizmin.

Kjo demokraci synon t’u hapen rrugë e mundësi çdo qëndrimi e veprimi antikomunist dhe të përpunohet opinioni sipas interesave të borgjezisë. E dyta kërkohet pluralizëm. Disa njerëz nuk e kuptojnë se ku synon pluralizmi që pretendon e inkurajon borgjezia dhe mendojnë me mendjelehtësi se nuk ka ndonjë të keqe të ketë në dy-tri parti.

Por kjo do të thotë të krijohet një opozitë kundër Partisë sonë, e cila nuk do të ishte thjesht luajale, po një armë në duart e reaksionit për të përmbysur pushtetin popullor. Në Shqipërinë e sotme nuk mund të krijohet asnjë lloj opozite serioze kundër PPSH-së, sepse askush nuk ka influencë t’i kundërvihet terrenit, në të cilin ka qenë e ka luftuar deri dje.

Cilido punonjës, intelektual, shkrimtar apo shkencëtar i kësaj toke dhe i socializmit nga gjiri i të cilit ka dalë është bashkudhëtar i tij dhe nuk mund të dalë kundër. Por reaksionit i duhet një njeri i tillë, i duhet një parti që të jetë antisocialiste, antikomuniste.

Kështu e kërkoi, dhe e gjeti në Çekosllovaki, një Havel se nuk i hynte në punë Dubçeku ngaqë ishte i kompromentuar me komunizmin. E kërkoi dhe e gjeti një të tillë në Hungari.

Dhe ja së fundi tani, në Bullgari po ndodh e njëjta gjë. Njerëzit tanë nuk e kuptojnë se krijimi i një opozite antikomuniste në Shqipëri do të thotë t’i hapet rrugë pajtimit kombëtar, t’u hapet rrugë disa emigrantëve të shitur të vijnë e të krijohet parti këtu, shkurt të vijnë dollarët amerikanë dhe të blejnë votat e popullit tonë.

Ajo nuk mund të jetë kurrë opozitë politike në kuptimin demokratik të fjalës, por një parti e formuar nga njerëz “të hurit e të litarit”, që s’kanë asgjë të përbashkët me demokracinë e me atdheun, pas nocioneve të të cilëve fshihen.

Këta njerëz mund t’i pasojnë elementë të tjerë brenda vendit, qofshin vagabondë, të rinj të fantaksur apo dhe ndonjë element intelektual që përtej “demokracisë” mendon se “zbulon Amerikën”. Modelet e partive e të idealeve të tyre të kopjuara do t’u ngjallin filialet e partive gjermane, të subvencionuara prej tyre në Hungari apo në Çekosllovaki.

Shembull tipik i përpjekjeve të tilla në vendin tonë ishte aktivizimi i agjenturave të huaja dhe organizmi i koordinuar i tyre për futjen e njerëzve tanë nëpër ambasada. Pra, pluralizmi që armiqtë u përpoqën ta inkurajonin, nuk është një pasqyrim i demokracisë, por një mjet për të likuiduar pushtetin popullor në rrugë paqësore, nëpërmjet votave të blera, korrupsionit, presionit politik dhe ekonomik.

Kjo është sot arma e preferuar e reaksionit. Mund t’ju sjell disa shembuj për ta argumentuar këtë ide. Mjafton t’u përmendim vetëm zhurmën e madhe propagandistike e premtimet e bujshme që iu bënë Polonisë për t’i dhënë miliarda, në qoftë se pushtetin do ta merrte Solidarnosti. Synimi i reaksionit ishte të siguroheshin vota për Solidarnostin, por më pas asnjë ndihmë në para nuk iu dha Polonisë.

SHOKU FOTO ÇAMI: Duhet përpunuar opinioni, të krijohen bindje për ndryshimet që kanë ndodhur e ndodhin për rrugën e vijën tonë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ne duhet të jemi kurdoherë në sulm ndaj çdo parulle që hedh armiku dhe për këtë duhet ndërtuar një punë e veçantë. Për shembull, u hap fjala në Tiranë se bota kërkon fuqi punëtore dhe ka ndonjë që pyet: “Pse të mos çojmë fuqi punëtore në eksport?”

Askush nuk ka nevojë sot për fuqi punëtore të pakualifikuar. Në Çeki u hoqën nga puna emigrantët vietnamezë. Shqiptarët që hynë në ambasadën italiane e shkuan në Itali po i çojnë vetëm në bujqësi. Edhe ata vetë tani po thonë: “Pse, për të punuar në bujqësi erdhën ne”!? “Kurse të tjerët që shkuan në Francë, filluan të vjedhin”.

Radio Parisi njofton se Policia Franceze po kërkon refugjatët shqiptarë që kanë dalë e po vjedhin njerëzit e shtëpitë në qytetin e Resit. Për refugjatët që shkuan në Gjermani, janë vënë shpallje: “Shqiptarë, mos na vidhni biçikletat”. Si është e mundur të mendohet që vendet e Evropës apo vendet të tjera të botës duan të marrin nga ne fuqi punëtore!?

Edhe në qoftë se diku mund të ketë nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar, a mund të pranojmë ne të shkatërrojmë ekonominë tonë, duke i çuar gjetiu njerëzit tanë më të kualifikuar? Veç kësaj, kujt do t’i shërbente ky lloj morali që pranon shitjen e fuqisë punëtore? E rëndësishme është të përpiqemi t’u gjejmë njerëzve punë, t’u krijojmë mundësi të punojnë brenda atdheut, për interesat e tyre dhe të Shqipërisë.

Prandaj duhet ndërtuar një punë shumë efektive, që njerëzit të binden për këtë çështje themelore dhe pastaj së bashku të luftojmë për çka duhet rregulluar. Por kjo punë ndesh mjaft vështirësi dhe kërkon sakrifica. Mirëpo mos do të ishte më e ndershme dhe më e moralshme braktisja e atdheut!? Mos duhet që përpara vështirësish ta lëmë pushtetin, t’ua shesim vendin të tjerëve?!!

Fotoja, Pirroja, dhe ti Lisien, këtu në Tiranë duhet të hartoni një program pune edukative për të ngritur në këmbë opinionin e shëndoshë. Mund të mbani rreth jush edhe disa intelektualë të njohur e me autoritet, si Dritëro Agolli etj… se Ismail Kadareja nuk po ndihet.

SHOKU LISIEN BASHKURTI: Ismailit i kemi shkuar tri herë në shtëpi për t’i kërkuar një intervistë për gazetën “Zëri i Rinisë”, por nuk pranoi ta përgatiste…

SHOKU RAMIZ ALIA: Po pse nuk shkruani në gazetë që Ismail Kadare nuk pranoi të jepte intervistë!? Kështu do ta vinit para përgjegjësisë morale dhe para opinionit të mbarë rinisë.

SHOKU LISIEN BASHKURTI: Kur bisedoi me të gojarisht Remzi Lani i tha se intervistën tjetër që ia paraqiti “Zërit të Rinisë” me dëshirën e tij, ia botuam menjëherë, kurse tani ka nevojë vetë redaksia t’i drejtohet atij. Në njëfarë mënyre e vuri para përgjegjësisë…?

SHOKU RAMIZ ALIA: Këtyre njerëzve ne kemi të drejtë t’u themi: “Këtë situatë në Tiranë e nxiti dhe e krijoi armiku. Ja ç’kërkon armiku! Po ti që hesht me kë je”!? A është në nderin e intelektualit tonë të mos i thotë një fjalë Presidentit Mitterrand që e ftoi Ismail Kadarenë për vizitë në Francë, pikërisht në këtë kohë kur kryheshin tërë ato veprime të kurdisura armiqësore dhe propaganda e tyre borgjeze villte vrer kundër Shqipërisë?

Demokracia e humanizmi për të cilat flet Ismaili, nuk janë të drejta abstrakte, as nuk mund të konceptohen si të tilla. Për cilët njerëz kërkohen këto të drejta në qoftë se nuk gjejnë shprehjen konkrete tek interesat e atdheut e të popullit? Jashtë këtyre interesave çdolloj demokracie është demagogji.

A mund ta mohojë kush tani se temat për Partinë, Enver Hoxhën, atdheun, socializmin, janë boshti kryesor që përshkon tërë veprën e Ismailit, që nga poemat “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart” e deri te romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Dimri i madh”, “Koncert në fund të dimrit” etj.? Situata e tanishme kërkon që Ismaili me emrin e qëndrimin e tij prej intelektuali të njohur t’i bëjë një shërbim të ri popullit, Partisë dhe atdheut.

Ky qëndrim do ta lartësonte, ndryshe ai mund të qëndronte në krahun tjetër e të premtonte si Tuxhmani se ka gabuar dikur kur ishte i ri? Është koha kur ndonjë intelektuali të tillë i duhet thënë: “Ti që flet me kaq zjarr për demokracinë lirinë e individit, e indinjohesh pse polici përdor shkopin, e sheh se ç’po bën i huaji kundër lirisë së Shqipërisë?! Kujt do t’i vlenin botimet e tua kur nuk thua një fjalë për këto që sheh?

Desha të tërheq vëmendjen se ka disa tipa njerëzish me prirje negative e formim jo të shëndoshë. Në përgjithësi ata janë intelektualët e rinj, si ndonjë pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ndonjë punonjës në Kinostudio apo në shtypin letrar, ndonjë piktor etj. Me ta duhet punuar me durim e duhen mbajtur afër për t’ua thyer mitet për të mos i lejuar të bëhen përçues të një vije të gabuar.

SHOKU XHELIL GJONI: Ndoshta ka nevojë të organizohen me këta njerëz disa debate në grupe të ngushta për probleme të ndryshme që kërkojnë të sqarohen. Për shembull, ka pasur mjaft pyetje për çështjen e marrjes së kredive. Mund të ftohen në auditorë të ndryshëm njerëzish, shokë kompetentë e me nivel, si Farudin Hoxha.

Po kështu mund të veprohet për çështje të tjera. Diskutohet mjaft për problemin e Kosovës, si dhe për pozicionin e inteligjencës kosovare. Reaksioni dhe në këtë çështje përpiqet të hedhë vrer kundër nesh. Flitet për problemin e bashkimit me Kosovën me ne, për të cilën thonë se është e interesuar edhe Amerika që pas këtij bashkimi vetvetiu mund të arrihet një zgjidhje e përgjithshme.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ka dhe nga ata që e përziejnë këtë çështje me pozitën e disa intelektualëve kosovarë që propagandojnë se duhet braktisur ideologjia dhe të merremi me nacionalizmin. Parulla e tyre është Shqipëria Etnike. Por të pranosh nacionalizmin, do të thotë të pranosh Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Ne nuk mund të sakrifikojmë idealet tona për një Shqipëri të tillë etnike.

Mund të ketë ndonjë tjetër që ekzaltohet për një shtëpi evropiane, krejt të hapur me plot kate e apartamente po të dojë, veç me një ideologji të borgjezisë!! E theksoj se përballë këtyre dëshirave e parullave nuk duhet të tërhiqemi, por të hidhemi në sulm. Veprimtaria jonë duhet të jetë e efektshme. Mitingu që u organizua në Tiranë, për shembull ishte mjaft i mirë dhe e arriti qëllimin, por ai nuk u shoqërua më pas me punë intensive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb