Publikohet historia e panjohur e ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje shumë të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë fare të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tula-s, ku ai punonte si minator, (pak kohë pasi i kishte shpëtuar arrestimit, i akuzuar për “mbështetje të armiqve të popullit”) dhe ajo u rrit me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi qyteti i tyre vazhdonte të ishte nën bombardimin e forcave gjermane, që kishin arritur deri në afërsi të Kurskut. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha dhe filluan jetën në qytetin e Tiranës, ku Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkina, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me 16 vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndëruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”, kujtime të cilat, i biri i saj, Aleksandër Pisha, ia ka ofruar me dashamirësi për botim, në Memorie.al

Shpresuam dhe mbijetuam

I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA

Ky është libër kujtimesh. Në të dua të rrëfej për jetën time dhe të shoqeve të mia, grave sovjetike, që provuan burgun për disa vite vetëm sepse morën guximin dhe u martuan e lidhën fatin e tyre me atë te studentëve shqiptarë. Burgu ishte pjesë e GULAG-ut të madh në vendin e vogël ballkanik, Shqipëri, ku për shumë vite sundoi regjimi gjakësor komunist i Enver Hoxhës, që ishte nxënës besnik i Stalinit dhe vazhdues i kauzës së tij.

Nëpërmjet këtij libri do të doja që çdokush të mësonte për provat çnjerëzore që përjetuam ne dhe për vitet e tmerrshme qe kaluam në burgjet shqiptare, vetëm sepse… dashuruam! Dhe që askush dhe kurrë të mos harrojë, ç’është totalitarizmi, despotizmi dhe ç’pasoja sjell me vete ky sistem.

Vijon nga numri i kaluar

Por të gjitha këto ndodhën pastaj, më vonë, kurse tani ne prisnim të na dërgonin në kamp. Atje kaluam plot 8 vjet e gjysmë. Tani rri dhe kujtoj honin e tmerrshëm, nga i cili mundëm të kacavaremi. Të gjitha i kujtoj, nuk mundem t’i harroj. Shumë shpejt na nisën për në kamp. Për jetën atje do t’ ju rrëfej në pjesën tjetër.

Pjesa e dytë: Kampi

(Puna në kamp)

Kanë kaluar shumë vite, që nga ajo kohë e vështirë, kur na futën në burg dhe shumë gjëra janë harruar, por mjafton të krijohet një situatë e ngjashme dhe para syve më dalin pamjet…! Para shtëpisë sonë, ku unë jetoj sot, në Izrael, një ditë të nxehtë korriku, dy djem të rinj po hapnin një kanal, teksa para syve të mi kam verën e nxehtë shqiptare dhe ne, disa gra, jo më të reja, që s’ishim marrë kurrë me punë fizike, punonim në fushë, hapnim kanale, korrnim grurë, prashisnim, mbillnim dhe nxirrnim patate. E të gjitha këto pas një rruge disa kilometërshe nën mbikëqyrjen e rojeve, nga kampi deri në vendin e punës. Mua, Volën dhe Ingën, na çuan në kamp pas një burgimi të gjatë, hetimit të rëndë dhe gjyqit… të dobëta, të stërmunduara… dhe pas një jave na çuan në fushë, në punë. Kur po na nxirrnin nga ndërtesa e burgut, Vola u pengua, ra dhe ndrydhi këmbën. Megjithëse ecte me shumë vështirësi, e nisën me të tjerat për në punë. Sipas ligjit në fuqi, të huajt që vuanin dënimin në burgjet e Shqipërisë, nuk ishin të detyruar të punonin nëpër kampe. Por pozicioni ynë nuk ishte i qartë. Gjatë hetimit nuk e përcaktuan dot se kush ishim ne. Nga njëra anë ishim nënshtetase sovjetike, nga ana tjetër na detyruam të merrnim edhe nënshtetësinë shqiptare. Kam shkruar më sipër se sa zgjatën përpjekjet për ta zgjidhur këtë problem para gjyqit. Atje ngrihej çështja për punë të nenit në akt-padi. Kurse në kamp, kishte problem tjetër. Po të na quanin të huaja, duhej të na jepnin ushqim të veçantë dhe nuk do të punonim. Më së fundi morën “vendimin e Solomonit”: ushqim të veçantë të mos na jepnin dhe në punë në fushë të mos na nxirrnin. Mirëpo, vetëm disa muaj para se të na sillnin në kamp, dy shoqet tona, i’u lutën drejtorit të kampit, t’u jepte ndonjë punë. E kërkuan, sepse s’kishin nga t’ia mbanin, nuk i ndihmonte kush dhe ato ishin të uritura. Ato që punonin kishin ushqim më të mirë, kurse ato që nuk punonin dhe nuk merrnin ndihmë nga të afërmit, shumë shpejt katandiseshin distrofike. Prandaj në kamp, katër shoqe të mia punonin në fushë dhe ne u bashkuam me to.

Më kujtohet dita e parë e punës. Në orën 7 të mëngjesit ne marshonim me gjallëri në ajrin e ftohtë, në rresht, pa vegla pune. Atë ditë duhej të bartnim thasë me misër. Punonim, nuk ndaleshim, nuk donim të mbeteshim prapa të tjerëve, donim të tregonim që nuk u trembemi vështirësive. Tani më vjen për të qeshur: përse dhe kujt duhej t’i provonim diçka? Kurse atëherë kjo na dukej me rëndësi. Në kamp ktheheshim në orën 4 pasdite; ishte fundi i gushtit, vapë, në diell temperatura arrinte 40-45 gradë. Nuk ecnim dot nga lodhja. Deri në kamp na ndihmonin vajzat e reja fshatare, vajza të fuqishme. Për fatin tonë të mire, dita e parë e punës qëlloi e shtunë. Të dielën ishte pushim. Pushuam dhe e morëm pak veten. Të hënën sërish në fushë. Ishte shumë e vështirë. Dy muajt e parë patëm fat: iu lutëm drejtorit të kampit dhe ai na caktoi në brigadën që punonte me orar të reduktuar, sepse në mbrëmje mësonim në kurset e punëtorëve të bujqësisë. Ne e përfunduam me sukses këtë kurs dhe diplomave tona të universiteteve dhe instituteve të Moskës, u shtuam diplomën e punëtorit të bujqësisë, kategoria e 2-të. Pastaj… sërish në fushë, me ditë të plotë pune. Dora-dorës u mësuam. Përpiqeshim të punonim mirë për te evituar te bërtiturat e rojeve dhe gardianeve. Vështirë e kishim të ngriheshim në mëngjes, i gjithë trupi na dhimbte pas punës së një dite më parë. Në dimër duhej të ngriheshim nga shtrati i ngrohur gjatë natës, drejt në të ftohtin e fushës. Ngrehina e kampit ishte si arkë betoni dhe nuk ngrohej kurrë. Në dhomë flinim aq ngushtë, sa na duhej të ngriheshim me radhë, me radhë, ndreqnim krevatet dykatëshe; midis dy krevateve, mund të kalonte vetëm një njeri. Pasi laheshim shpejt e shpejt, e rrufitnim supën e hollë të mëngjesit dhe merrnim ç’kishim përgatitur që në darkë për të ngrënë në fushë, vraponim jashtë, në sheshin para derës, ku rreshtoheshin brigadat. Apeli, numërimi dhe dilnim nga porta.

Brigadat ishin të përziera; me ne punonin edhe të burgosurat ordinere. Në fillim vajzat e vogla të dënuara për vjedhje, imoralitet, ose vese rrugaçërie, na binin në qafë, sepse ne quheshim… armiq; dhe ato e besonin. Me të dalë nga porta, ne vraponim drejt kolibes ku mbanim veglat. Punonim me skuadra (në skuadrën tonë ishin vetëm ruset). Në fund të turnit lidhnim bashkë belat, kazmat, lopatat, shatat. Dora-dorës i zgjodhëm veglat për vete, u mësuam me to dhe i ruanim. Veglat duhej t’i merrnim në kohë, ndryshe mund të na i vidhnin. Lidhur me këtë shpesh ndodhte edhe ndonjë sherr. Një dite, Yllka, një vajzë e re, e vjetër në kamp, me afat të gjatë dënimi dhe me autoritet, mbërtheu lopatën tonë më të mirë dhe deshi të ma shkëpuste nga duart, por pesë palë duar të tjera, duart e shoqeve të mia, e kapën lopatën. Yllkës s’i mbeti tjetër, veçse të largohej me bisht ndër shalë. Te gjithëve ju treguam se ishim kolektiv kompakt, përpiqeshim ta ndihmonim njëra-tjetrën sa mundnim, ta mbështetnim njëra-tjetrën. Kujtoj me mirënjohje brigadieret nga sektori i të burgosurave ordinere; midis tyre kishte jo pak gra të mira, që na ndihmonin shumë në fushë. Vendi ku ndodhej kampi ishte kodrinor, gati e gjithë puna jonë ishte në shpatet e kodrave. Ne ndërtonim tarraca, pastronim fushat nga gurët, hapnim kanale, bënim dhe punë të tjera krahu. Ishte e vështirë t’u ngjitesha kodrave me lopatë apo kazmë në sup, me çantën e ushqimit në brez. Largësia deri te vendi i punës qëllonte të ishte 5-7 kilometra. Puna afër kampit mund të quhej përjashtim fatlum. Në verë bënte vapë e tmerrshme, sa të binte të fikët. Në dimër… shi, ftohtë, baltë e pakalueshme…! E ku i numëron dot të gjitha?

Por disa ditë më janë ngulitur në kujtesë, ngaqë ishin veçanërisht të vështira. Po punonim në dy kodra fqinje të lëruara. Do thërrmonim plisat që kishte lënë traktori. Në majë të njërës prej kodrave ishte një tendë; ishte qendra e brigadës së fermës, në fushat e të cilës punonim edhe ne. Binte shi dhe toka ishte bërë si brumë balte. Që në mëngjes brigadierët ndanin punën dhe të gjithë shpërndaheshin nëpër kodra. Befas nisi një shi i rrëmbyer. Pas fërshëllimës së rojave, të gjithë duhet të mblidheshim në qendrën e brigadës. Duke u çapitur me vështirësi nëpër baltë, rrëzoheshim, ngriheshim sërish, me kazmat në supe, zbrisnim nga kodra e lartë dhe ngjiteshim në majë të tjetrës. Rrebeshi s’kishte të pushuar. Qëndruam nen një strehë. Pas dhjetë minutave shiu u ndërpre. Dëgjuam një tjetër fërshëllimë bilbili. Dhe ne sërish përziemë baltën me këmbë, e filluam te ngjitemi në kodrën tjetër te vendi i punës. Por ende pa nisur mirë puna, ja krisi sërish shiu, tjetër fërshëllimë…zbritem prapë dhe u ngjitëm në kodrën tjetër. Me të arritur nën tendë, shiu pushoi… Kjo punë s’kishte të sosur… u përsërit pesë apo gjashtë herë atë ditë të mallkuar. Ordineret, që nuk donin t’ia dinin, bërtisnin, u kërkonin rojeve t’i çonin në kamp. Ata e kishin këtë të drejtë në kohë me shi. Mirëpo shefi ynë i rojeve, njeri jo i keq, por shumë frikacak, nuk guxonte ta merrte përgjegjësinë mbi vete dhe ne vazhdonim të zbrisnim e të ngjiteshim kodrave. Klima në Shqipëri është subtropikale, dimri është me shira. Ka ndodhur të na kapte në fushë i tillë qamet, sa nuk shihje dot as fqinjin në krah, as rojet. Për shkak të zhurmës së shiut, edhe bilbilat e rojeve nuk dëgjoheshin. Qëndronim nën shi, ose ecnim kuturu. Kurse brigadieret, gardianet, rojet vraponin në të katër anët, mblidhnin brigadat. Kishte edhe ditë me acar. Në Shqipëri gjatë dimrit ndodh të ketë 2-3 javë me temperaturë nën zero, shpesh fryn erë e fortë dhe shumë e ftohtë.

Në mot të tillë ishte shumë e vështirë të punoje majë kodrës, përballë erës së fortë, sa mezi mbaheshe në këmbë, ose që të merrte lopatën nga duart. Nga i ftohti dhe era e tillë nuk mbrohesh dot. S’kishim ku të ngroheshim pakëz, të thanim rrobat; nuk lejohej të ndiznim zjarr në fushë. Edhe nga shiu s’kishim se si të mbroheshim. Me shumë të lutura ata të fermës na dhanë ca mushama të gomuara ushtarake, mirëpo ato ishin aq të rënda, sa ne mezi ecnim me to krahëve, pa folur pastaj që të mbanim edhe kazmat e lopatat dhe të punonim. Vramë mendjen se ku të gjenim copa plastmase dhe të qepnim pelerina me to. Dhe na ndihmoi rasti fatlum. Nuk thonë kot, kush kërkon, gjen. Ne punonim pranë serrave, të cilat i mbulonin me plastmasë. Papritur na zunë sytë një pako goxha të madhe me plastmase, që nuk i duhej kujt. Duhej marrë. Por si ta mbanim, për ta çuar deri në kamp? Atje nuk na linin të fusnim gjë pa leje. Ishte goxha pako e madhe, nuk e fshihnim dot. Vendosëm të lypnim lejë. Atë ditë gardiane-rojë ishte Zana, s’ishte grua zemërmirë, por dhe jo fort e ligë. I’a paraqita, si munda, pozitën tonë të vështirë dhe i’u luta të na linte ta merrnim plastmasin. Zanës i erdhi keq na e dha lejen. Ne e futëm plastmasin në një çantë të madhe, që unë me Volën e kishim qepur nga lecka të vjetra dhe bartnim në të dru, shkarpa, rrënjë, që mblidhnim në fushë. E hodha çantën krahëve dhe me vështirësi e çova deri në kamp. Me atë plastmas sajuam katër pelerina, të cilat për mjaft kohë na mbrojtën nga shiu.

Edhe një ditë tjetër pune

Të gjitha brigadat punonin bashkë, hapnim një hendek ose më saktë, një kanal, me thellësi 2 metra dhe shumë të gjerë në krye. Në fillim puna nuk qe fort e vështirë, por kur kanali u thellua, mezi punohej. Duhej hedhur lart balta me lopatë. Na mësuan se si ta mbanim lopatën, të mbështeteshim në murin e kanalit. Puna duhej mbaruar me ngut, kurse ne s’kishim më fuqi. Të gjitha brigadat ishin rreshtuar me kohë, rojet qëndronin në buzë të kanalit dhe na bërtisnin. Papritur dëgjuam që dikush u hodh nga prapa në pjesën tonë të kanalit. Kthyem kokën. Ishin dy fshatare nga korpusi ynë, Mailja dhe Sulbia. Ato ishin të fuqishme, të mësuara me punë të tilla. Shumë shpejt na ndihmuan të hidhnim edhe lopatat e fundit me baltë. Sa mirënjohëse u ishim! E ky nuk ishte rast i vetëm. Ato na ndihmonin shpesh, na mësonin si të punonim, na jepnin kurajë. Tani i kujtoj me ngrohtësi dhe mirënjohje. Kur shkonim në punë, rruga na binte shpesh pranë një grope të rrumbullakët me diametër 60-70 metra dhe thellësi 100 metra, a më shumë. Banorët vendas e quanin “Gropa e djallit” (ajo qe formuar nga shembjet karstike, që nuk ishin të rralla në këto anë). Faqet e gropës ishin shumë të pjerrëta. Një ditë na çuan atje dhe na urdhëruan të zbrisnim poshtë. Duhej të bënim tarraca në faqet e saj të veshura me shkurre, ku s’kishe ku të mbështetje këmbën. Ne kapeshim pas shkurreve, me shumë vështirësi hapnim një shkallë, ku mund të qëndronim dhe fillonim punë. Puna ishte me rrezik, nga një çast në tjetrin mund të shkëputej këmba dhe të fluturoje poshtë.

Një ditë njëra nga brigadat u vonua pak në tarracën e sipërme, kurse tjetra nisi punë më poshtë. Një gur, që u rrokullis nga sipër, plagosi rëndë një grua që punonte poshtë. U dëgjua një britmë e dëshpëruar dhe nisi paniku. Ndërkohë, midis të burgosurave kishte edhe të sëmura me epilepsi. Atyre u filluan krizat, disa deshën të hidheshin poshtë; mezi i mbajtën në buzë të honit. U dha urdhër të ngjiteshim të gjitha lart. Të sëmurat i nxorën nga gropa në duar. Ato që nuk ecnin dot i hipën në karrot që na sillnin ujë në fushë dhe brigadat i nisën me nxitim për në kamp. Atë ditë nuk bëhej më fjalë për të vazhduar punën. Punuam shumë ditë në atë gropë, bëmë tarracat, hapëm vendet për të mbjellë pemë frutore. Mirëpo doli që ajo nuk i duhej kujt (si shumë nga ato që bëheshin në Shqipërinë Socialiste); nuk ishin llogaritur fare të gjithë faktorët. Bëhej puna, fitohej tokë e re, njoftohej në komitetin e partisë e më lart. Mirëpo në gropë nuk kishte ujë, nuk kishte rrugë dhe pas një viti ne kalonim pranë gropës ku fidanët ishin tharë…! Për plotësimin e normës na paguanin pak, por gjithsesi, diçka. Tejkalimi i normës deri 125 për qind, shpërblehej edhe me 20 pikë të tjera. Për çdo 100 pikë, të hiqnin një ditë nga afati i burgimit. Por për ne realizimi i normës ishte gati utopi. Por edhe ndodhte… rrallë, shumë rrallë, kryesisht kur punonim për mbjelljen apo shkuljen e patates. Punonim si brigadë; gjithkush bënte një punë të caktuar. Çdo gjë me dorë. Mua, zakonisht, më vinin të sillja plehun organik. Punë jo fort e këndshme. E bartnim me arka ose thasë të lagësht, në shpinë. Një herë po punonim në një arë të madhe, në shpatin e kodrës. Për të gjithë brigadën na kishin dhënë një qerre (ishte hera e parë, që na ndihmonin me qerre). Rreth qerres u mblodhën vajzat e reja, që përpiqeshin, kush t’i pëlqente më shumë qerrtarit dhe për t’i mbushur mendjen të çonte pleh në ngastrën e saj.

Edhe unë u ndodha aty pranë… plakë, e dobët, e thinjur (nuk isha as 50 vjeç atëherë, por dukesha si 70). I’u luta edhe unë qerrtarit me zë të ulët të hidhte pak pleh në ngastrën tonë. Papritur atij i erdhi keq për mua, më bëri shenjë me dorë dhe unë marshova fitimtare para qerres, për t’i treguar rrugën deri te ngastra jonë. Shoqet e mia u habitën pa masë kur unë erdha me një qerre të tërë mbushur me pleh. E shkarkuam shpejt e shpejt qerren; plehu mjaftoi për të gjithë ngastrën tonë. Atë ditë e realizuam normën, kurse unë fitova titullin “furnitore”. Një herë tjetër mezi siguruam patate për farë. Farë kishte pak, po të mos mbaje rezervë, prit kur të sillnin sërish, teksa koha kalonte dhe norma nuk realizohej. Papritur, zbuluam se dy thasë me patate i kishin marrë dy vajza të dënuara për vjedhje, që punonin në ngastrën ngjitur. Me shumë vështirësi u’a zhvatëm…! Na u desh të rriheshim me to. Ne punonim ndershmërisht, nuk bënim hile, nuk dinim të bënim hile, nuk ishim mësuar. Ishim mësuar të punonim pastër. Atë që bënim, e bënim me cilësi të mirë. Brigadierët e dinin këtë dhe puna jonë cilësore disa herë i kishte nxjerrë nga situata. Një ditë po punonim, gërmonim tokën me bel, në thellësinë 40 cm. Papritur në anën tjetër të arës u shfaq komisioni i kontrollit, agronomi i Fermës dhe përgjegjës të tjerë. Ata kontrollonin cilësinë e punës. Brigadierja, Liza, menjëherë ndaloi pranë ngastrës sonë dhe priti komisionin. Ishte e bindur se thellësia te ne ishte brenda normës dhe se ne nuk do ta turpëronim. Komisioni u afrua, mati thellësinë në disa vende… gjithçka në rregull! Komisioni u largua i kënaqur. Edhe po të gjenin parregullsi më tutje, përshtypja e parë e ndihmonte brigadierin të merrej vesh me kontrollorët. Por edhe brigadierja jonë nuk mbetej borxh; në rastin më të pare, na ndihmonte të fitonim pak pará. Kjo për ne ishte me shumë vlerë; mund të blinim në dyqanin e kampit ndonjë ushqim, kryesisht sheqer, vaj, miell. Por kishim edhe një detyrim tjetër, të rëndë dhe tejet të pakëndshëm. Ne punonim në fushë të hapur ose në kodra të zhveshura dhe “tualetin”, duhej ta sillnim me vete.

“Tualeti” ishte: 4 hunj të gjatë, ku lidhnim 4 batanije të vjetra. Këto i merrnim me vete nga kampi, me radhë, dy nga dy. Dhe nuk duhej vetëm t’i bartnim, por edhe ta “ngrinim”, ta ruanim mos binte “tualeti”, pastaj ta kthenim në kamp. Marshonim në rresht dhe, në njërën dorë mbanim hurin e “tualetit”, në tjetrën kazmën ose lopatën. Dora-dorës puna në fushë u bë e zakonshme. Ne u dobësuam ndjeshëm, lodheshim tmerrësisht, mezi çapiteshim deri në kamp, megjithatë ngriheshim çdo ditë dhe shkonim për të punuar në fushë. Kur ktheheshim duhej të sillnim, veç “këmbëve”, edhe kazmat, lopatat, belat, shatat, por edhe dru zjarri. Për ujë të nxehtë nuk bëhej fjalë, kurse ne do të laheshim, do të lanim ndonjë rrobë, por edhe do të gatuanim diçka. Me ato që na jepnin në mensë, nuk siguroje dot forca për të punuar në arë. Nga kominoshe të vjetra qepnim çanta të mëdha, që i mbushnim me kashtë, shkarpa, rrënjë shkurresh. Të gjitha këto i bartnim në shpinë dhe i sillnim në kamp. Një ditë Sulbia, kur më pa të ngarkuar me çantën e madhe plot me dru, tha: “Në fillim Tajën e sillnim ne në kamp, pastaj ajo nisi të vinte vetë, pastaj vinte vetë, sillte dhe veglën e punës, kurse tani vjen, sjell kazmën a lopatën, por edhe dru”. Ju shkrova më lart si na ndihmonin fshataret nga veriu. Si na mësuan të punonim. Për herë të parë në jetën time mora në duar drapër dhe zura të pres misër. Befas u dëgjua britma e Minës: “Nadire, merrja draprin, tregoji si punohet me të, se po na pret ndonjë këmbë”. Një ditë kur u ulëm për të ngrënë drekë, Nailja më pa që po përtypja bukë thatë në fushë, më dha gjysmë kokrre qepë dhe më tha: “Do mësohesh, mos u mërzit, gjithçka do të rregullohet. Edhe ne s’kishim gjë prej gjëje në fillim… Do mësohesh”! Këto fjalë ma ngrohën shpirtin. Punonim në një arë të madhe, hapnim kanale kullimi. Duheshin hapur shumë kanale paralele, të fusje tuba në to, pastaj zhavorr, etj. Kanalet nisën t’i hapim nga ana më pranë rrugës. Për të hapur kanalin tjetër duhet të kapërceje të parin me lopatë apo kazmë në sup. Kjo për ne ishte e vështirë, sepse gjerësia e kanalit ishte mbi 1 metër. Por na vinte në ndihmë Hasimja. Ajo qëndronte pranë çdo kanali dhe na ndihmonte të kalonim në anën tjetër. (Hasimja ishte fshatare, vajzë e re, e fuqishme, shumë e bukur; e kishin burgosur sepse kishte dashur të arratisej jashtë shtetit me të dashurin). E si ta harroj atë vajzë?! /Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb