KOSOVE

Historia e dy vajzave jetime, që u adoptuan pastaj mbetën në mes të katër rrugëve preku çdo zemër që dëgjoi historinë e tyre. Edhe pse në moshë madhorë, makthet dhe traumat që kanë kaluar pas keqtrajtimit nga mësueset serbe edhe sot u prishin gjumin. Solidarizimi nuk mungoi. Elvisi dhe Fatma shkuan i takuan për tu thënë fjalë të ngrohta.

“Shpresojmë që ato ditë të vështira ti përkasin së kaluarës. Ato që i bëjnë keq shqiptareve, u mbetet edhe turpi. Sot ka ardhur dita që të jemi bashkë, ditët e vështira do kthehen në ditë të lumtura. Dielli në mëngjes shndërrit. Eja të shkojmë bashkë diku”- u thotë Elvisi vajzave. Është Fatma Naçi ajo që i dorëzon çelsin e apratamentit “Kemi një surprizë për ju”.

Vetëm para një ditë ato ishin në rrugë, sot Albina dhe Dafina kanë shtëpinë e re. Një apartament i mobiluar, i bollshëm dhe komod, dhuruar më shumë dashuri nga emisioni “Shqiptarët për Shqiptarët”.

https://www.youtube.com/watch?v=u1SkvGAjXTY&feature=youtu.be

Nuk munguan lotët nga emocionet “ më duket e pabesueshme, është një mrekulli, kjo u realizua kaq shpejtë” thotë Merita, gruaja që i ka ndihmuar vajzat me strehim kur mbeten mes katër rrugëve.

Këngëtarja e njohur e muzikës popullore në Kosovë Shyhrete Behluli u bëri një surprizë të këndshme vajzave duke i vizituar në banesën e tyre të re. Artistja u solli edhe disa dhurata simbolike duke shprehur solidaritet me vajzat. “ Ju do të keni një jetë të lumtur tani e tutje, do ti harroni dramat që keni kaluar. Unë e admiroj këtë emision të tillë. Shikoj njerëzit sa humanë janë dhe sa e shtrijnë dorën. Të falënderoj nga zemra dhe ju, lum ju që jeni kështu” iu drejtua Shyhrete Behluli, Elvis Naçit. Dy vajzat Dafina dhe Albina më në fund kanë buzëqeshur.

Cila është historia e Dafinës dhe Albinës?

Dafina dhe Albina kanë histori të trishtuar gati të pabesueshme. Historia e tyre i ngjan një skenari filmi. Fati i ka goditur me gurë qysh të vogla, nuk i kursen edhe tani në moshë madhore. Ato nuk i kanë njohur kurrë prindërit e tyre biologjikë. “Jam rritur në një jetimore Mitrovicë. Kam pasur mësuese serbe. Ato ishin shumë të këqija, janë sjellë shumë egër me ne. Nuk kam ndier kurrë kur isha fëmije një përkëdhelje, as dashuri prej mësueses. Një ditë më rrahën aq shumë sa më ra të fikët. Kur hapa sytë nuk e dija ku isha.  Atë moment e mbaj mend edhe sot. E kujtoj çdo herë dhe nuk e harroj kurrë. Ka qenë shumë e rënë të rritesh në një vend të atillë” thotë njëra nga vajzat. “Kam qenë një vit në spital, më ishte përkeqësuar shëndeti, pastaj më kanë çuar në jetimoren e Mitrovicës. Nuk pashë një ditë të bardhë në jetimoren e Mitrovicës. Më kanë keqtrajtuar. Nuk kemi pasur të drejtë as të flisnim shqip. Flisnim vetëm serbisht. As për të ngrënë nuk kishim. Dilnim dhe lypnim për bukë. Na kanë keqtrajtuar shumë keq. Nuk i harroj fëmijët kur i rrihnin, jo vetëm mua por edhe fëmijë të tjerë. Na torturonin në jetimoren e Mitrovicës. Na lidhnin tek krevati” thonë vajzat.

Albina dhe Dafina e kanë kaluar fëmijërinë në jetimoren e Mitrovicës. Vajzat nuk e kanë njohur kurrë prindërit. Ato u strehuan 8 vjet në jetimore, Në 1994 jetimorja u mbyll, rrezikonin të shkonin në Beograd. “Kur mbusha 8 vjeç me birësoi një familje në Prishtinë. Aty mësuam çfarë do të thotë dashuria prindërore. Kishim një jetë të lumtur. U regjistruam në klasë të parë. Prindërit birësues na falën dashuri, ngrohtësi” thonë vajzat. Lumturia e motrave në familjen birësuese nuk zgjati shumë. Gjithçka u përmbys kur mësuan se familja që i rriti nuk ishin prindërit e tyre. “Kemi menduar se ata ishin prindërit tanë, por disa persona na thanë të vërtetën se ata nuk ishin prindërit tanë. Kur e kuptuam se nuk ishim fëmijët e tyre jam prekur shumë”. Dëshira e vajzave është ti shohin qoftë edhe njëherë prindërit e tyre të vërtetë. Dy motrat kanë një pyetje që duan tua drejtojnë prindërve biologjikë “Përse i braktisën?”. Dëshirojnë që prindërit ti shikojnë qoftë edhe njëherë “ Dua të njoh prindërit që më sollën në këtë botë. Dua të di përse më kanë braktisur . Kaq dua. Dua ti them përse nuk më deshën kurrë?. Vajzat tashmë kanë një banesë, të dhuruar nga shqiptaria, ato kanë njëra-tjetrën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb