TIRANE

Emisioni  “Jeta pa filtër” ka sjellë këtë javë rrëfime tronditëse dhe përjetime që vijnë për herë të parë në media nga personazhe publike mbi vështirësitë që krijoi përhapja e virusit korona. Temë kryesore ishte distancimi social që u krijua nga nevoja për të qëndruar larg njëri-tjetrit për t’u mbrojtur nga Covid-19. Autorja dhe psikologia e emisionit, Ervisa Lula vendosi të shkëpusë fragmente impresionuese nga biseda në Skype me një avokate shqiptare në Itali e sëmurë me Covid-19.

Esilda Palluqi me një gjendje shëndetësore pak më të përmirësuar tregon pengun e saj më të madh nëse sëmurej edhe i shoqi, dhe makthin e familjeve që u merreshin njerëzit në gjendje të rëndë e ndoshta përfundonin në kremator. Më tej gazetari i terrenit në TV “News24”, Erjon Skëndaj është parë ndryshe nga herët e tjera kur i është dashur të raportojë.

Ai ka folur mbi frikën e infektimit pasi grupi i gazetarëve ishte direkt i ekspozuar duke bërë lidhje direkte pikërisht nga vatra më e madhe e infeksionit në vend, spitali Infektiv, i kthyer në spital Covid-19. Çfarë ka ndodhur në familjen e tij dhe si e ka përjetuar e bija distanën që ai duhet të mbante për shkak të sigurisë, është një nga pikat kulminante, bashkë me pamundësinë e tij për të parë prindërit për disa muaj me radhë.

Mjeku Arjan Harxhi, të cilin e kemi ndjekur shpesh në media me informacione sqaruese për virusin korona, këtë herë në emision e shohim në dimensionin personal, ku tregon me dhimbje dramën e rëndë që përjetohej me pacientët brenda në pavion. Ai tregon se si qëndronte edhe vetë në shtëpi në distancë nga fëmijët dhe e shoqja, madje shkëput me keqardhje faktin se nuk ka mundur dot të shohë të jëmën apo dhe vjehrrën e tij.

Në një pjesë të emisionit, intervista e shkurtër me një luleshitëse tek dera e varrezave të Tufinës dëshmon ceremonitë e pazakonta me vetëm pak njerëz, duke i vënë vulën titullit të këtij episodi: Korona, virusi që na ndau për së gjalli.” Psikologia dhe autorja e “Jeta pa filtër”, Ervisa Lula bën një analizë mbi fenomenin e distancimit social duke bërë thirrje për t’u drejtuar tek specialistët në rast të një gjendje jotë të mirë të shëndetit mendor shkaktuar nga një situatë e vështirë që preku gjithë botën me pasoja psikologjike, ekonomike e shoqërore. Emisioni “Jeta pa filtër” vjen çdo javë në “News24” të mërkurën në orën 10:30 si edhe në Youtube: News24Albania.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: