Nga: NATASHA LAKO*
Kisha shumë arsye që, pasfi lmit “Tri dritare dhe një varje”, të Isa Qoses, të kujtoja menjëherë legjendën e famshme të Meduzës. Në këtë legjendë Meduza përdhunohet nga Posedoni në tempullin e Athinës, e cila vendos ta kthejë në një monstër të frikshme, që, në vend të flokëve ka gjarpërinj dhe ka aftësi të kthejë në gur çdo njeri që i ngul sytë. Ky është shkaku që kokën më vonë ia rrëmben Perseu, i trajtuar edhe nga Ovidi. Kjo maskë e fytyrës së gruas si vetëmbrojtje ose mallkim u shfrytëzua si mjet shprehjesh dhe marrëdhëniesh të bazamentit njerëzor, jo vetëm nga Ovidi, por më parë nga Pindari, deri te botimet e Frojdit dhe emblema e disenjatorit të famshëm të sotëm Versage, që respekton figurën e sofistikuar të gruas, pa folur pastaj për një numër të sotëm filozofësh dhe filozofesh feministe, që e vënë Meduzën në bazamentin e të gjitha diskutimeve të sotme për dhunimin e njeriut, posaçërisht dhe mbi të gjitha njeriut femër, si në shtresime dhe nënshtresime të vazhdueshme.
Më kujtohet me këtë rast një gazetare suedeze me emrin Moberg, që dinte se do të vdiste nga kanceri, por që deklaroi se po vdiste e qetë që nga dita kur legjislacionet botërore, pas luftës së Bosnjës i përfshinë përdhunimet masive në krimet kundër njerëzimit. Tepër-tepër vonë, në vitin 1996.
Meduza dhe tragjedia që vazhdoi deri në luftën e Kosovës dhe vazhdon ende në shumë qoshe të errëta të kësaj bote, u shfaq edhe në filmin e Isa Qoses. Në një fshat që, si thotë një nga personazhet, ka 13 udhë, kanë mbetur të përdhunuara nga paramilitarët apo militarët serbë katër gra, të cilat nuk duhet të flasin kurrë për atë fat. Filmi flet për pasojat e një akti çnjerëzor të zhvendosur në kohë, por i shprehur nga ana tjetër me drama marrëdhëniesh dhe personazhesh të denatyruar, para syve tanë. Filmi e trajton këtë dramë delikate, të shprehur si realiteti i marrëdhënieve të denatyruar, ku ka rëndësi vetëm bota mashkullore, e ku mezi shfaqet një frut ftoi, në një insistim regjisorial për të dhënë një fije jete dhe dashurie. Në film përjetohet një traumë e zgjatur, që pothuaj i ka ngurtësuar njerëzit, si e rrëmbyer nga vështrimi i Meduzës. Mos e fol dhe mos e prek dhimbjen time kaq të rëndë. Ngjarja është e rëndë për gjithë fshatin, mbi të gjitha për atë grua që e ka përjetuar. Por regjisori ka vendosur ta lërë të ngrirë dhe të pashfaqur deri në fund detajimin e dhembjes jetësore dhe sociale të të plagosurave për të gjithë jetën nga trauma që kanë kaluar, por që po jetojnë edhe një traumë tjetër. Të pamundurën për ta pranuar këtë tragjedi nga një fshat i tërë ku mbizotëron bota e burrit që i tejkalon lashtësitë shqiptare. Është e çuditshme se si riciklohet dënimi dhe kjo dhimbje mijëravjeçare në lidhje me gruan. Nuk është më Perseu që edhe më i pret kokën Meduzës, për t’i rrëmbyer aftësinë për t’i ngrirë njerëzit në gurë, por bashkëshortët e këtyre grave martire, që vuajnë nga ngjarja, jo thjesht si brejtje ndërgjegjeje që nuk kanë qenë pranë tyre kur në fshat arrijnë militarët, por nga turpi dhe nga poshtërimi që vazhdojnë të ndjejnë nga akti çnjerëzor, duke denatyralizuar veten edhe më. I fundit që ka shkas ta mësojë ngjarjen edhe më të ngjeshur dramatikisht, është bashkëshorti i mësueses së fshatit, kjo qenie e vetme sociale, që guxon t’u afrohet burrave edhe gjatë ritualit të vdekjes (e denatyralizuar edhe kjo për botën e sotme reale), e që padashur me deklarimin e saj shkakton rrathë tërmeti. Një prej grave të përdhunuara vetëvritet nga një traumë e dyfishtë, në mënyrë paradoksale për të shprehur dashurinë ndaj atij që do.
Filmit nuk i intereson aq thellësia e ndjenjave, sepse ato janë të mbytura. Personazhet nuk guxojnë ta shohin njëri-tjetrin në sy si në kohët mitike, të cilat prishen vetëm nga një buri plastike e vënë në një motor të dashnorit më të ri. Kryetari i fshatit ose aktori Luan Jahja, që luan rolin e tij e që i di të vërtetat, nuk i ka shpëtuar, sigurisht, si pothuaj shumica, vëllazërimit të tij me botën e fallusit, si botë e burrave në luftë me të vërtetën, duke krijuar vetëm ëndrra, shpresa, iluzione, alkool, si do të thoshte diku një shkrimtar i madh. Është ky lloj arketipi që e quan gruan e tij të përdhunuar kurvë, e qëllon kur i del në mbështetje vajzës, ndërsa gruaja e martirizuar duhet të qëndrojë pranë tij, duke pranuar se përdhunuesi i saj më çnjerëzor e ka mundur në jetë të jetëve. Duket sikur gjithë Kosova, dhe jo krijuesit e filmit me dramaturgjinë e tyre, nuk kanë mundësi tjetër vetëm t’u qajnë hallin burrave të grave të përdhunuara, në vend që të zbusin honet e grave që kanë përjetuar tmerrin dhe kanë nevojë për rehabilitim. Filmi i mëshon me realizëm kësaj drame burrash, që duhet t’i fshehin vetes gjithçka, paçka punës së regjisorit për një parapërgatitje të madhe deri në psikanalizë, kur shfaq në një lojë hijesh atë që nuk është zbuluar ende dramaturgjikisht, vetëvrasja që ekziston gjithnjë si kërcënim pothuajse të pranuar. Gruaja që do të vritet pret të shoqin që e do, pranë shkallëve, ku duket hija e këmbëve të saj, aq sa i shoqi tronditet për atë që do të ketë ndodhur. Dhe ajo ndodh vërtet. Tensioni i burrave është edhe më i brendshëm se i grave, pasi bota duhet të rrëshqasë brenda rregullave të një bote të marrëdhënieve të ndrydhura. Një mal me një majë të lartë është në sfond, në një nga skenat më domethënëse të filmit, sikur të na kujtojë burrërinë e një vendi të tërë, dhe dy burra godasin njëri-tjetrin deri në dhembje, si mënyrë e vetme dialogimi dhe hapjeje me njëri-tjetrin. Pothuaj të vetëvrara mbeten edhe të tjera, pos një ftoi që mbillet përsëri për të prodhuar fruta dashurie. Në këtë skenë regjisura është kujdesur ose ne vëmë re edhe disa zbukurime lulesh delikate, por artificiale në perdet e shtëpisë. Por vetëm kaq! Ndryshe, filmi do të ishte gënjeshtër.
Kur klithma nuk del jashtë, drama bëhet më e thellë. Atëherë kupton se sa tragjik është fanatizmi dhe shtypja që shfaqet si traditë e murosur, në këtë botë të fallusit, e mbushur me burra që duket madje sikur kanë harruar se kanë luftuar për lirinë e Kosovës.
I vetëdijshëm për atë problematikë më tepër sociale që ka marrë përsipër, regjisori duket se nuk mund t’i afrohet pothuaj një teme tabu në forma të tjera më personale përpos këtij interpretimi kaq kolektiv të dramës.
Duke qenë i vetëdijshëm se po përballet me një dramë të thellë gati pa cak, ku raportet burrë-grua nuk janë ende të zgjidhura as jashtë, as brenda shtëpisë, filmi nga ana kompozicionale rrethohet me disa rafinitura të lehta humori, si një melhem mbi plagën që as spektatori nuk e suporton dot si është në të vërtetë.
Ballafaqimi me pasojën ndjek edhe zgjidhjet regjisoriale, që denatyralen e jetës njerëzore e vendos në skenografinë e natyrës dhe një curril uji që do ta spërkasë prapëseprapë edhe komandantin e asaj jete. Por përballimi është edhe më i rëndë se ballafaqimi dramatik. Kur ngjarje çnjerëzore nuk jepen drejtpërdrejt, edhe përballimi nuk mund të shprehet drejtpërdrejt. Në shumicën e filmit muzika pothuaj nuk ndihet fare dhe kamera punon qetë, derisa nga tri dritaret që duan të hapin botën deri te një varje dramatike, imazhi i tmerrit nuk ka forcë të dalë përballë, po jepet vetëm me fokusin te këmbët e gruas dhe fustanin e derdhur, si balon i sjellë prej luftës dhe masakrës së saj.
Interpretimi i vetëm regjisorial dhe tematik i ngjarjes, pasi regjia mban timonin e balancës mes botës femërore dhe mashkullore, është kornizimi i filmit me tre pleq që e quajnë njëri-tjetrin të lënë mendje, duke ndenjur në një rrap, gjë që prapëseprapë na kthen në kohën e Meduzës.
Qëndrimi ndaj femrës tregon gjithë stadin e një shoqërie dhe qëndrimi i militarëve serbë ndaj grave shqiptare deshifron edhe tragjedinë e gjendjes së tyre psikike-sociale, që arrin kulmin në kohën e Millosheviçit.
Më kujtohet me këtë rast një grua e bukur shkodrane, ish-ministre e Kulturës, që ka mbledhur dhjetëra e dhjetëra dëshmi të treguara nga vetë gratë e përdhunuara të Kosovës. Duket si e pabesueshme për botën njerëzore, por nuk ta nxë as goja, as shpirti, që mund të kenë qenë 20.000 raste të tragjedisë personale dhe kombëtare që ka ndodhur në mes të Europës si po ndodh sot në konflikte të tjera.
Gjatë një vizite në Bukuresht, jo vetëm për të folur hapur se çfarë ka ndodhur në Ballkan, por edhe në kujtim të amanetit të Esmeralda Uruçit të bukur, para se t’i ndodhte një aksident automobilistik, e shoqëruar nga Adrian Kyçyku, i kërkova një aktivisteje të njohur, poetes Ana Blandiana të gjenim ndonjë mënyrë për të botuar dhe për të paraqitur në Europën tonë, dëshmitë e grave më të pambrojtura të këtij kontinenti, si e dëshmon edhe Isa Qosja. Filmi i tij vjen pas prodhimit të Angjelinë Zholisë për përdhunimet e Bosnjës.
Plaga është hapur më në fund në formën më efektive, atë të ekranit. Plaga është shtamposur edhe në një film nga Kosova, që u shfaq këto ditë me rastin e një festivali në kinema “Millenium”, por edhe në koshiencën e njeriut të sotëm. Filmi i Isa Qoses e bën këtë me kujdes, me një shpalosje pothuaj statike të turbanit-qefin që çdo malësor e ka pasur të lidhur në kokë, si në kohën e Urës së Qabesë. Ndoshta ai po e kontrollon plagën. Dhe, pikërisht për këtë qefinin nuk mund ta hedhë përfundimisht. Sepse plaga duket sikur duhet atje brenda.
Në këtë film nuk mund të mos përgëzohet puna e aktorëve, por në radhë të parë e aktoreve gra, të cilat e kuptojnë më shpejt atë aftësi ngrirëse të Meduzës dhe na kanë lënë në ekran fytyrat e tyre të tronditura pa skaj, të mbetura ende si viktima të përjetshme, ose si gjysmëhije. Me gjithë tragjedinë e ndodhur, kjo botë e denatyralizuar dhe e teatralizuar që nuk ka forcë të çlirohet nga tradita që vetëm ngurtëson si stalaktitet e shpellës së famshme të Prishtinës, ka mbetur si një plagë në imazhin e Isa Qoses. Ja pse më kujtoi edhe Meduzën mijëravjeçare, që ende nuk e ka thënë dot të tërën.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: