30 vite pas rënies së regjimit komunist shteti shqiptar nuk ka mundur dhe as ka pasur përpjekje vërtetë serioze për dënimin e krimeve të diktaturës. Askush nga drejtuesit e nomenklaturës, nuk shkoi para drejtësisë për krime kundër njerëzimit. Ish të burgosurve dhe ish të internuarve e shkuara ju ble me këste parash dëmshpërblimi, si për të mbyllur një kapitull për cilin u hesht. Përkundër rastit shqiptar, Polonia përbën ndoshta shembullin më të mirë të drejtësisë mbi të shkuarën. Dallimi mes dy vendeve vihet re së pari në terma: nëse për ata të dënuarit e të vrarët janë heronj që kërkuan lirinë, për ne janë vetëm viktima.

Autoriteti i Dosjeve ka organizuar një vizitë studimore, në Institutin Kombëtar të Kujtesës në Poloni, që bashkon dokumentacionin, drejtësinë dhe kërkimin e të zhdukurve. Fokusi ishte marrja e përvojës për kërkimin e eshtrave të viktimave të Komunizmit dhe përkujtimin e tyre. Pjesë e delegacionit ishin deputetë të kuvendit të Shqipërisë, si Oriola Pampuri dhe Klevis Xhoxhi, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Anila Leka, policia e shtetit, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Admir Sinamati, pranë Ministrisë së drejtësisë dhe media.

Në prag të daljes së një Vendimi të Këshillit të Ministrave, që do të koordinojë punën e rolin e institucioneve qendrore dhe lokale për kërkimin e të zhdukurve në vendin tonë, grupi i punës, ndoqi përvojën 20 vjeçare, ku në ndryshim nga ne, instituti polak IPN, ka brenda strukturës së tij, prokurorë që urdhërojnë zhvarrimet, marrin në pyetje dëshmitarët, arkeologë e antropologë dhe një bazë të dhënash, të gjitha në një institucion. Ndonëse polakët kanë ndjekur edhe persekutorët, qëllimi është që shteti shqiptar e vë Autoritetin e Dosjeve, në rol koordinues në bashkëpunimin mes të dhënave të dosjeve, të dhënave të familjareve, veprimeve të policisë, prokurorisë dhe më tej të mjekësisë ligjore. Pritet që VKM-ja t’u japë të drejtë viktimave për një varr dhe familjarëve për nderimin e të humburve, ndërsa shtetit, dinjitetit e të respektuarit të heronjve që i cilësoi viktima.

Bashkimi Europian dhe prezenca e OSBE në Shqipëri po mbështesin avancimin e agjendës në kërkim të të zhdukurve bazuar edhe në marrëveshjen e ICMP (Komisioni Ndërkombëtar për të zhdukurit në forcë) me shtetin shqiptar.

Rasti i bankierit italian Giuseppe Terrusi është më flagranti, ku ndonëse i biri ka 30 vite që takon ministra e kryeministra shqiptarë, ende nuk ka mundur të marrë eshtrat e të atit që mendohet se prehen pranë burgut të Burrelit. Në Shqipëri ka 70 zona të raportuara me vendndodhje varresh që ende s’janë gërmuar ndërsa mendohet se ka rreth 6 mijë të zhdukur, të vdekur në burgje ose të ekzekutuar në Shqipëri në diktaturë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb