NGA: Klodjana Haxhiaj
DURRES- Teatri ‘Aleksandër Moisiu’ ka festuar ditëlindjen e tij të 65-të, në një takim jubile midis brezash në ambientet e këtij teatri. Pavarësisht se ky institucion, i kthyer në djepin e kulturës mbushi 65 vjet nga krijimi i tij, suksesi i shfaqjeve që ka tejmbushur sallën me qindra herë në vit, është treguesi i qartë se publiku e ka marrë mesazhin e përçuar nga shfaqja në shfaqje. Drejtori i teatrit Bashkim Hoxha ka sjellë në kujtesë themeluesit e teatrit Aleksandër Mosiu të cilët u kthyen në idhujt e brezave të tërë me talentin e tyre, duke nënvizuar se edhe brezat e aktorëve të tanishëm janë po aq të talentuar e të përgatitur.

Aktori Lutfi Hoxha 84-vjecar me mbi 100 role, është i vetmi i mbetur gjallë nga brezi i themeluesve të teatrit në vitin e largët 1953. Edhe ai ka një mesazh për brezin e ri të teatrit me të cilin ndan edhe kohën pas daljes në pension. Aishe Stari, Mirush Kabashi, Driada dervishi, janë disa prej ikonave të teatrit, të cilët japin mesazhe të qarta për vijimësinë e Teatrit Mosiu.

Mbështetje për projektet kulturore ka dhënë edhe bashkia Durrës. Vangjush Dako kryebashkiak deklaroi se me prioritet është parë teatri dhe bashkia do të vijojë të financojë për kulturën. 2018 është konsideruar si viti i Skënderbeut, dhe këtë vit janë planifikuar dy shfaqje të reja për të. Me pesë premiera në vit, me bashkëpunime të teatrove kryesorë në vend e nga Kosova spektatori është kthyer në teatër si kurrë më parë, duke gjetur aty emocionin e vërtetë të të parit e të ndjerit të një shfaqje.

Veprimtaria e teatrit “Aleksandër Moisiu” lidhet kryesisht me godinën aktuale të saj, e cila është përuruar më 8 shkurt të vitit 1965. Salla me cilësi shumë të mira akustike dhe e pajisur me aparaturat e domosdoshme teatrale jo vetëm që i dha një impuls të ri punës së trupës, por afroi gjithnjë e më shumë spektatorë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb