TIRANE – Mbas përplasjes së drejtorit të TK-së, Hervin Çuli me regjisoren Sesilia Plasari, sa i takon shfaqjes “Liri në Bremen”, shfaqja u dha pa aprovimin e regjisores. Shkak u bë në fakt, fakti që teatri nuk ra dakord me Florian Çangën, personin e kontraktuar për të realizuar gjatë shfaqjes pjesën e zhurmave që shoqërojnë interpretimin e aktorëve si edhe videoprojeksion. Ndërsa Çuli u shpreh se Çanga (grafist skenik) kërkoi më shumë para se ç’kishte mundësi teatri t’i jepte, vetë Çanga thotë krejt të kundërtën, në të parën deklaratë për çështjen. Deklarata po botohet më poshtë e plotë. (Emri i punonjësve të teatrit, të cilën në deklaratë është pa mbiemër, “GSH” e boton me vetëm shkronjën e parë Xh.)
Deklarata
Deklaratat e Z. Çuli mbështeten mbi fakte që nuk janë të vërteta. Për më tepër ai ka shkelur mbi mirëbesimin dhe mirëkuptimin që kam treguar ndaj Teatrit Kombëtar dhe shfaqjes në veçanti. Dëshira ime për të punuar në Teatër është shtyrë nga qëllime dhe interesa të një niveli artistik dhe jo për qëllime përfitimi, të cilat për më tepër janë të pamundura në Teatrin Kombëtar. Nga ana tjetër, puna paguhet dhe unë jam paguar me 280 mijë lekë për 10 shfaqjet e para (përfshirë këtu dhe orët e gjata të provave), pra 28 mijë lekë për një shfaqje (shumë në të cilën janë përfshirë jo vetëm audiot dhe projeksionet, por edhe produksioni dhe krijimi i përmbajtjes). Kjo shumë mund të verifikohet shumë lehtë në zyrat e Financës së Teatrit Kombëtar.
Në fund të muajit nëntor, Z. Çuli më tregoi se për shfaqjet e muajit shkurt kishte një buxhet prej 50 mijë lekësh, shumë kjo që nuk justifikon punën. Për këto arsye, unë arsyetova se zgjidhja në ato kushte ishte të gjeje një sponsor që të mbulonte pjesën që nuk mbulonte dot Teatri Kombëtar. Dhe pse sponsori u gjet (përfitoj ta falenderoj këtu) dhe kontaktet e tij iu transferuan Zyrës së Marketingut, Z. Çuli kërkoi që sponsori të vinte në Teatrin Kombëtar që ta takonte. Përfaqësuesja e Zyrës së Marketingut, Xheni (për të cilën kam mësuar se aktualisht është nën procedurat e shkarkimit nga puna) është kontaktuar mbi 10 herë në telefon për të kuptuar sesi po ecte procesi. Sipas saj, sponsori është kontaktuar, por Departamenti i Financës ka qenë shumë i zënë me procedurat financiare të mbylljes së vitit.
Duke pasur një angazhim tjetër për një shfaqje në Venecia, e caktuar që në tetor, kam ngulmuar që kjo gjë të zgjidhej sa më shpejt në mënyrë që e gjithë shfaqja të transferohej në një server të dytë dhe të evitoheshin problemet. Por Teatri nuk pati asnjë lloj kontakti me mua mbas shfaqjeve të nëntorit.
Në datën 21 janar 2015 i kërkoi Zyrës së Marketingut që të bëjmë një kontratë financiare me mua dhe sponsorin. Nuk pati asnjë përgjigje. Në datën 4 shkurt lajmëroj regjisoren e shfaqjes, znj. Sesilia Plasari, që për arsye teknike dhe mungesë kontakti dhe pagese, nuk mund të jem në shfaqje. Dhe për arsye sigurie teknike, e kam të pamundur që t’i besoj sekretares pajisje të një vlere prej miliona lekë. Qe pikërisht në këtë moment që “Teatri” filloi të reagojë.
Gjithashtu, të dhënat e shfaqjes që ka deklaruar drejtori i Teatrit Kombëtar, Z. Çuli nuk janë të sakta. Projekti i shfaqjes dhe renditja e skenave ndodhen në skedarë, në arkivat e shfaqjes së Teatrit. Shfaqja është e ruajtur në një program kompjuterik që hapet me programin përkatës. Këtë program “Teatri” duhet ta blejë në internet te firma që e prodhon. (Shumë kjo që përsëri mund të ishte mbuluar nga sponsori).
Gjithsesi, më datë 5 shkurt kam shkuar në takimin që kishim vendosur me Z. Çuli, por ai nuk është paraqitur. Për më tepër, deri në 7 shkurt kam informuar sekretaren e drejtorit çdo ditë në telefon. Në pamundësi, kam lënë të gjithë skenarët si dhe ndihmësen time, sepse për respekt të profesionit tim, kam dashur që shfaqja të funksionojë. Në të kundërt, kam qenë i befasuar nga sjelljet joetike dhe joprofesionale prej drejtuesi të Z. Çuli, përkundrejt regjisores, në prani time dhe të aktorëve të tjerë, të cilat kanë shkuar deri në ofendime. Ndërkohë, në të kundërt të mungesës së komunikimit të drejtorit të Teatrit apo mungesës së etikës, regjisorja gjatë provave ka treguar tolerancë dhe mirëkuptim dhe mbi të gjitha, profesionalizëm dhe njohje të teatrit klasik dhe modern.
Me të drejtë do të kërkoja që të ngremë zërin fort që puna e njerëzve profesionistë të vlerësohet më shumë dhe të mos bjerë pre e tekave dhe dëshirave të një personi të vetëm”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: