NGA BEN ANDONI

Ka pasur kundërthënie të shumta për godinën e Teatrit, por ajo që ra në sy më shumë këtë fillimjavë ishte një dhe vetëm një. Mungesa e transparencës. Artistëve iu tha se nuk kishte projekt, se teatri ishte në gjendje të rëndë, ndërsa çuditërisht më 12 Mars 2018, një projekt impozant iu shpalos para syve. Pas kësaj, nuk u kërkua falje për kundërthëniet e projektit, ashtu si nuk u paraqitën projekte alternative.

Teatri aktual Kombëtar gjendet në një parcelë të qendrës së kryeqytetit dhe kap hapësirën e mijëra metrave katrorë tokë publike. Teatri është i konceptuar si një ngrehinë e përbërë nga dy dykatëshe pothuaj identike. Projektin e ndërtoi arkitekti italian Giuglio Bertè gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ngrehinat kanë shërbyer herë si kinema, herë si ndërtesë gjyqi pas lufte, shfaqje të ndryshme, Bingo, por jetëgjatësinë më të madhe e kanë si Teatër Kombëtar, të paktën që nga viti 1947.

Është një fakt i pamohueshëm se ku kapet aktualisht Qeveria dhe Bashkia e Tiranës për prishjen e tyre: Ndërtesat janë të degraduara, nuk kanë qenë të konceptuara për teatër dhe nuk mund të mirëmbahen ashtu siç duhet. Madje, pak javë më parë qeveria u kërkoi aktorëve të largohen duke pretenduar se një godinë tjetër priste për ta. Ndërkohë shqetësimi i madh i komunitetit të artistëve dhe intelektualëve ka qenë se çfarë do bëhet me këtë hapësirë dhe pse po i përdorin në këtë mënyrë?! Po ashtu, me atë formë që ka ngrehina mund të rikonceptohej, duke ruajtur jo thjesht historinë por edhe funksionet.

Të jenë vallë kaq naivë artistët? Të jenë kaq të paskrupullt politikanët? Duke e nisur nga këta të dytët është afërmendsh që politikanët shqiptarë nuk njohin as një skrupull. Jo thjesht për ato që artikulojnë por për të gjithë sjelljen e tyre në këto 27 vjet Demokraci.

E tillë ishte edhe këtë 12 Mars, kur i ndanë artistët e ftuar që me ftesat dhe diferencimi tregoi se mungesa e transparencës ishte prezentë edhe në këtë ditë. Si zakonisht, iu dha pesha kryesore autoritetit të kryeministrit Edi Rama, që prerë tha se nga këtu fillon projekti i ri. Më pas iku, duke ua lënë në gojë fjalën atyre që donin të artikulonin diçka. Robert Ndrenika me peshën e moshës dhe profesionit artikuloi drejt, por nxorri edhe shqetësimin real: Artistët ishin përdorur dhe kjo nuk ishte e drejtë, sepse projekti që kishte parë nuk ishte fare ky. Arkitekti danez, Bjorke Ingles, që e prezantoi projektin në mënyrë profesionale ndaloi edhe në vlerësimet e tij për të rrëfyer se e vlerësonte Tiranën që po ndryshon në një qytet sa më të jetueshëm për banorët e vet.

“Kam ardhur këtu për herë të parë 7 vjet më parë dhe e pash Tiranën që kishte filluar të gërmonte nga energjia dhe transformimet por ishte një qytet krejt tjetër nga ai që shoh sot. Unë kam që nga ajo kohë që vij të paktën 1 herë në vit dhe është frymëzuese për mua që të shoh një qytet dhe një komb kaq të mobilizuar në një përpjekje për ta bërë qytetin, hapësirat dhe rrugët e tij më të banueshme dhe më të këndshme për njerëzit që jetojnë këtu”, tha Ingels.

Me shumë pathos foli edhe për projektin e Teatrit Kombëtar në këtë transformim të Tiranës. Në fakt përballë ishte mirë të kishte grupet e interesit shqiptar dhe mbi të gjitha një përballje reale me profesionistë, por kjo nuk u mundësua. Ashtu si nuk u mundësua një projekt tjetër alternativ. Kjo është një nga vuajtjet reale të Tiranës: Mungesa reale e transparencës.
Pavarësisht teatrit të fundit me teatrin, deri më tani na ka dalë plani i ngritjes së disa kullave më pas dhe një godinë e re e teatrit, që është përfolur disa herë. Më keq nga të gjitha u harrua premtimi i zero i ndërtimeve.

Në Shqipëri gjithnjë e më shumë mbetet shqetësues mënyra e bashkëpunimit të ndërtimit me koncesion ose siç thuhet rëndom Partneritetit-Publik-Privat. Koncesionet kanë një pasqyrim jo të mirë në vendin tonë. Dhe, jo më kot, Fondi Monetar Ndërkombëtar e këshilloi qeverinë Rama “të vetëpërmbahet nga nënshkrimi i kontratave të tilla” për shkak të përfitimeve dhe kostove të paqarta për taksapaguesit. “Kuadri i qeverisë për përzgjedhjen dhe priorizimin e projekteve të investimeve, si dhe për vlerësimin e kostove dhe rreziqeve fiskale, mbetet i pamjaftueshëm, sipas vlerësimit të FMN”, tha përfaqësuesi i FMN në Tiranë Jens Reinke.

Shkrimin e plotë e lexoni në Gsh.al: http://www.gsh.al/2018/03/18/teatri-ri-kombetar-realiteti-te-ardhmes-nxjerre-te-verteten/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: