Dekani i Fakultetit të Artit Skenik, Petrit Malaj ka reaguar në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar, ndërsa ka risjellë në vëmendje një fjalim të tij lidhur me këtë debat që në 2018-ën. Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Malaj ka dënuar ngjarjen e 17 majit, ku në 4:20 të mëngjesit fadromat shembën teatrin. Po ashtu ai dënoi ashpër dhe dhunën ndaj studentit të tij, Blendi Shahun.

Petrit Malaj thotë se nuk beson se ka artistë që të mos jetë ndjerë i shqetësuar me pamjet e asaj nate të shembjes së ndërtesës.

MESAZHI I MALAJT
“Kjo video eshtë pjesë e debatit mbi teatrin kombëtar, mbajtur në vitin 2018.

Shumë gjëra mund të ndodhnin me godinën e teatrit kombëtar, por kurrsesi mendja ime nuk mund të pranojë atë që syri pa në 4.20 të mëngjesit të 17 Majit. Nuk besoj se ka artistë në Shqiperi e gjithë trevat shqipfolëse, që të mos jetë i shqetësuar me pamjet e asaj nate.

Në qershor të vitit 2018, e shpreha këtë frikë, duke thënë se zgjidhja nuk mund të jetë kurrsesi me dhunë dhe fjalë të fundme e me ekstremizma. Ato pamje që pamë, janë ekstremizma. Teatri kombëtar, ashtu si kish mbetur, për nga trashëgimia që mbarte, ishte padyshim një pasuri e artit shqiptar.

Shqipëria ka pasur nevojë gjithëherë për një teatër të ri. Por me papërgjegjësinë më të madhe, politika po i ndan dhe artistët, shumë prej të cilëve miq të ngushtë, pikërisht për të hedhur mjegull në sytë e kujtdo, se gjoja dikush e do një teatër të ri e dikush jo. A ka mundesi që i verbëri te mos dojë sy? E pra dhe aktorë që të mos duan një teatër të ri nuk besoj se ka.

A nuk e dëgjoni veten? Prishja e teatrit në atë mënyrë, dhe ndërtimi i një teatri të ri janë dy gjëra shumë të ndryshme.

Përsa i përket prishjes, unë jam nga ata njerëz që më pëlqen të dëgjojë dhe besoj specialistët qofshin arkitektë dhe inxhinierë , apo edhe gjykatës që zbatojnë ligjin. Për mënyrën se si u prish “natën me mjegull” them JO…keshtu JO.

Më duhet të ndalem e të them dy fjalë dhe për incidentin e ndodhur gjatë protestës me grupin e studentëve, disa prej të cilëve të Universitetit të Arteve, në vecanti me Blendi Shahun që pashë në foto të shtrire përtokë si të ishte terrorist. Askush nuk duhet të marre guximin të pengojë studentët e të vetmit institucion publik artistik të arsimit të lartë, që të shprehen ndaj asaj që ndodhi me teatrin kombëtar. Nuk vritet shpresa me dhunë, por vetëm sa e ushqeni atë.

I dashur Blendi, dhe ju student të tjerë të UART. Si ish rektor i Universitetit të Arteve dhe sot Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, më vjen turp që u sollën në atë mënyrë me ju, dhe solidarizohem plotësisht me gjithë studentët e UART për sa kohë protestoni si qytetarë dhe në respekt të ligjit dhe institucioneve shtetërore, siç pashë që vepruat atë ditë, thotë Malaj.

Ndërsa për prishjen e ndërtesës të Teatrit Kombëtar ka reaguar edhe djali i Petrit Malajt, Erion Malaj. Ky i fundit shprehet se këmbanat në shembjen e godinës ranë për të gjithë banorët e Tiranës dhe të Shqipërisë.

Erion Malaj shprehet se është ndjerë i tronditur nga prishja e godinës, ndërsa shton se këmbanat për këtë rast bien për të gjithë, pasi ne të gjithë jemi banorë të qytetit dhe të Shqipërisë.

Ai thotë se njeriut i vjen keq nëse do të humbiste edhe një gur, që do ta kishte në xhep për 80 vjet e jo për një monument kulture si Teatri Kombëtar, që përbënte vlerë për të gjithë.

Për kë bie këmbana?

Natën që u prish teatri kombëtar, u ndjeva i tronditur si shumë shqiptarë të tjerë, më shumë me mënyrën se si u prish dhe dhunën që pasoi shëmbjen, se sa nga fakti se u prish një teater që edhe pse i lënë në rrënim, mbarte vlera historike dhe artistike, ndaj personalisht për mua duhej ruajtur. Pak orë pas shëmbjes së teatrit, në c’do cep të Shqipërise u dëgjuan disa këmbana. Jo si rezultat i ngjarjes, por ashtu ndodh cdo të dielë. Por atë të dielë ajo këmbanë nuk ra vetëm për besimtaret.

Po për kë bie kembana?

Menjëhere mendja ju ka shkuar tek titulli që i madhi Ernest Hemingëay i vendosi librit të tij në vitin 1940. Por siç ndodh shpesh, edhe mëndjendriturit mësojne dhe frymëzohen nga dikush që ndoshta ka qenë më i madh se ta. Këtë bëri dhe Hemingëay, i cili shkëputi këto rreshta nga një perlë e shekullit të 17. Poeti anglez John Donne shkruante në vitin 1624 pikërisht këto fjalë, sa të hidhura, aq dhe të vërteta:

Asnjë njeri nuk është një ishull

i mbyllur në vetvete.

Cdo njeri është një copëz e Kontinentit

një pjesë e Tokës.

Nëse një copëz toke largohet sëbashku me dallgët e detit

atëherë Toka pakësohet në vetvete,

sikur të kishte qenë për ty një pjesë trupi në vendin e saj (copëzes së tokës)

apo shtëpia e nje miku, apo vet shtëpia jote.

Cdo vdekje njerëzore më pakëson

sepse unë jam pjesë e njerëzimit.

Dhe kështu mos të të shkoj kurrë në mëndje të pyesësh për kë bie këmbana:

Ajo bie për ty.”

Ato këmbana, të dielën e 17 Majit 2020 ranë për ty. Po po, për ty. Edhe për mua sigurisht, sepse jam pjesë e kësaj toke, këtij qyteti, njerëzimit si thotë dhe John Donne. Ra për ty sepse të bëri të kuptosh se në cfarë kohësh jeton. Se sa pak të dëgjohet fjala. Se sa pak e duam veten. Se sa pak vlerësojmë historinë. Sa të pandjeshëm jemi bërë! Edhe një gur po ta mbash në xhep për 80 vjet, ditën që do e hedhësh do të marrë malli për të.

E tani që teatri nuk eshtë më, e kthyen në një betejë midis atyre që duan dhe sduan një teatër të ri. Po pse more mjeranë, kush nuk do një teatër te ri? Ju vunë kundër Roza Anagnostit vetëm se tha te mos prishet! Disa të tjerë arritën kulmin, sa ofenduan nderin e kombit Robert Ndrenikën se tha “dua të ndërtohet nje teatër i ri bashkëkohor”. Këto këmbana ranë për ju iluzionist, që kujtoni se emri juaj mund të qëndroje krah këtyre kolosëve të artit shqiptar.

Personalisht e dua teatrin, dhe më vret fakti se si u prish, cfarë balte u hodh mbi të, e si politika i reshtoi aktorët në dy krahë të kundert. Pikërisht aktorët, që skenën dhe emocionin përvecse me publikun, e ndajnë ME njëri tjetrin, ju u përpoqet ti ndani NGA njëri tjetri. Por këmbanat ranë dhe për ju, sidomos për ju. Ju interpretojini si të doni, por mos harroni dicka. Rinia shqiptare e dëgjoi këmbanen, pa se cfarë ndodhi dhe koha do tregojë se si do reagojne.

Këmbana ra dhe për komunitetin ndërkombëtar në Tiranë. Mjafton të shëtisni pak në rrjetet sociale te pesë apo dhjetë shteteve partnerë historikë të Shqipërisë, dhe të lexoni cfarë komentesh ka lënë rinia shqiptare aty. Dicka e tille, deri një apo dy vite më parë, ka qenë e paimagjinueshme në Shqipëri. Por ja që këmbana ra dhe për të huajt, që duhet të fillojnë të ndërgjegjësohen sepse shqiptarët kanë filluar të mos pranojnë më cdo gjë si më parë!

Eshtë fakt që frika, naiviteti dhe egoizmi nuk e lejojnë qenien njerëzore të shikojë realitetin ose e shtyjnë atë që ta përdorë realitetin në favorin e tij të përkohshem. Për ju që po prisni të bjerë këmbana juaj, dijeni që tashmë ka rënë. Nëse se keni dëgjuar, eshtë thjesht se skeni dashur. Ndaj po e mbyll me fjalët e John Donne: “Dhe kështu mos të të shkoj kurrë në mendje të pyesësh për kë bie këmbana:

Ajo bie per ty.”, shkruan drejtori i Institutit Konfuci, Erion Malaj.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb