TIRANE– Pak pas bërjes publike të vendimit të presidentit Ilir Meta, i cili rikthehu sot në Kuvend për të dytën herë ligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, vjen reagimi i parë nga maxhoranca. Ka qenë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ai që ka reaguar për dekretin e Metë, ndërsa nuk ka kursyer edhe ironitë.

“Ne jemi shumë seriozë në marrëdhënien me institucionin e Presidentit të Republikës dhe do ta shqyrtojmë me po aq seriozitet, me qetësi dhe dashuri gjithë propozimin që vejn nga Presidenti i Republikës”, tha Balla, duke kujtuar kështu një thënie të vjetër të Metës. Nga ana tjetër Balla pohoi se maxhoranca do të ndjekë të gjitha proceduarat parlamentare për shqyrtimin e dekretit të presidentit.

“Presidenti e ka njoftuar pa na e sjellë ne. Ne do ta lexojmë menjëherë dhe siç përcakton procedura e sanksionuar qartë në Kushtetutë dhe më pas për rolin që luan Kuvendi në shqyrtimin e dekretit. Do të shqyrtohet dhe do të kalojë në seancë plenare. Nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe”, tha ai.

Në dekretin e tij, Meta argumentoi edhe vendimin në fjalë, duke nënvizuar sipas tij disa probleme të konstatuara në këtë ligj.

Në disa nga arsyetimet e presidentit thuhet se në këtë ligj nuk janë zgjidhur problematikat kushtetuese si dhe dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese. Po ashtu Meta nënvizon faktin se me këtë ligj nuk garantohet konkurrenca e lirë, duke shtuar se sërish konstatohet një trajtim preferencial.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb