Nga: Fatmira Nikolli

Edhe njëherë, ia dolëm mbanë të shkatërrojmë atë që nuk mundëm ta ndërtonim”. Kjo frazë e Stephen King në “Green Mile” duket sikur është shkruar për të përshkruar atë që po ndodh me Teatrin Kombëtar dhe raportin që ka ndërtuar me objektin mazhoranca. Në një qytet ku çdo projekt i shitur si dashuri për të bukurën ka prodhuar kaos urban dhe ka rrafshuar kujtesën e kulturën, pakkush ka besim te koncepti pushtetar për të bukurën e për të vërtetën. Dhe e vërteta është edhe një kasolle, që refuzon të shembet për t’ia lënë vendin një fasade qelqi. Më shumë se sa të përmirësojmë të ardhmen e qytetit, energjitë dhe ditët shkojnë duke luftuar për të ruajtur ato pak vlera që kemi.

E bukura, nuk mund të ndërtohet mbi projekte që nuk ishin, që fillojnë të shihen nga sirtarët e bashkisë, që mandej u bëhet prezantim pompoz në kryeministri me premtim se zgërdallës do ia zërë vendin godina e qelqtë e që 2 javë më pas mohohet të ishte projekt, por vetëm një propozim. Vetëm për mjegullën me të cilën çështja u mbështoll meriton gjithë protestën. Hija e fillimit, u pasua nga protestat e çdo të hëne, derisa një projektligj, i nxori artistët të bashkuar në protesta të përditshme: për teatrin, për truallin, për publiken, për ligjin, kundër arrogancës e pushtetit, kundër PPP, kundër tjetërsimeve, për teatër pa kulla para, pa kulla pas, pa kulla në të majtë e pa kulla në të djathtë. Kjo, ishte shfaqja më e bukur që aktorët dhanë- dhe nuk ishte në teatër- ishte para teatrit. Besova, besova deri në fund që po luanin vetveten dhe jo një tekst të çfarëdoshëm, të shkruar diku, dikur për një mbret autoritar.
Në mes të marsit, një prej aktorëve që tanimë është tërhequr me turp, më fliste për kinematë e kahershme që u shembën me premtimin e zëvendësimit me salla moderne. Hiçgjë nuk mbet prej tyre veç fotove ngjitur mureve të arkivave. Më thoshte se artistët dhe në daçin të besojnë, u mungojnë shembujt. Tanimë, pyes veten se si ky artist mundi të besojë dhe se si u dorëzua. A thua, në këta muaj vetëm sa luajti vetëm një prej roleve të jetës së tij në një skenë krejt të re? A është kjo elita që kemi? A është ky, nderi ynë i humbur?

“Je si dashi, vëllai im.
Kur xhelati i veshur me lëkurën tënde,
Ngre shkopin lart,
Ti ngutesh të futesh prapë në tufë
Dhe shkon duke vrapuar në thertore, gati krenar.
Dhe nëse ka shumë mjerim mbi tokë
Kjo ndodh falë teje, vëllai im.
Nëse jemi të uritur, të rraskapitur,
Nëse jemi të rrjepur deri në gjak,
Të shtypur si rrushi për të nxjerrë verën tonë,
Mezi arrij ta them
Por faji është i yti vëllai im” (Nazim Hikmet)
Pas kinemave publike, për të mos i lënë vend imagjinatës po përsërisim vetveten deri në çmenduri, duke shembur çdo gjë që diç ruan prej një Tirane që dikur qe ndërtuar me plan urbanistik, të një Tirane që ka memorien e vet, duke e kthyer atë në një qytet që ha vetveten, për të prodhuar një rrokopujë ku në një shtet ligjor, në një shtet të së drejtës nuk mund të ishte menduar as në ëndrrat më të frikshme. Jemi në një shtet, ku nuk paska më asnjë institucion që mundet të mbrojë a të kundërshtojë një qeveri, a t’i kërkojë llogari; jemi në një shtet ku gjykata luan vetëm ‘rolin’ si çdo aktor teatri.

Propaganda e tejskajshme qeveritare, jo vetëm që nuk bind, por veçse të kujton kohët e monizmit, kur para se t’i vinin kazmën kishave e xhamive, morën tonelata letrash me kërkesa nga populli e brenda e jashtë vendit- gjer edhe nga studentët shqiptarë në Lindje. Të gjithë kërkonin t’u mbylleshin dyert e institucioneve fetare që paskëshin qenë opium për popullin. Në pesë vitet e qeverisjes së majtë, Ministria e Kulturës ka mundur të “rilindë” disa institucione: nga restaurimi i Migjenit, te muzeu Marubi, nga Muzeu i Ikonave në Korçë te ai i Gjethit në Tiranë, qeveria e ka dhënë një shembull se e di si bëhen rilindjet e institucioneve. Si për të treguar anën tjetër të saj, e zezë e për çudi e ndritshme, ligjëron si suksese përkrah atyre që u përmendën edhe “Qemal Stafën”. Rrënimi i trashëgimisë në emër të modernizmit po shitet si politikë kulturore. Me ndërhyrjet në kalanë e Tiranës, me shembjen e Teatrit Kombëtar dhe tjetërsimin e truallit të tij e pranë tij, të lëna në zgrip të mbijetesës, si teatri janë edhe Galeria Kombëtare e Muzeu Kombëtar, “mos paçin fatin e Marigosë”.

ZVEZDA E TERMOKOS
Kur shumica e aktorëve janë dorëzuar në forma të ndryshme, dikush prej indiferentizmit, dikush se është rrogëtar i shtetit, dikush se e blenë e dikush se e gënjyen, pak shpresë ka mbetur. Vetëm aktet e çmendurisë mund ta shpëtojnë teatrin dhe me teatrin tanimë nuk kuptohet vetëm teatri- kuptohet çdo pronë e institucion publik që përfaqëson shumë për memorien tonë. Kuptohet t’i bësh pritë së ardhmes për Muzeun e Galerinë, kuptohet t’i vësh kufi vendimeve piramidë. Urgjenca e hartimit, kalimit e miratimit të një projektligji, thotë se nuk ka më kohë për të humbur. Në mundshin, pra artistët e mbetur të bëjnë një akt çmendurie për ta shpëtuar atë tokë dhe nderin e humbur të intelektualit shqiptar, diç do kemi fituar.

Mjaft të marrin shembullin në Kosovë ose në Serbi. Mjaft të shohin çfarë ka ndodhur me “Termokis”-in në Kosovë, kur një grup të rinjsh e pushtuan dhe e kthyen ne skenë arti. Ajo ishte një ndërtesë betoni e papërfunduar që është ngritur në vitin 1997 nga Termokiss (kompania e ngrohjes në Prishtinë) dhe qe menduar të ishte baza e fabrikës së ngrohjes qendrore në qytet. E lënë në mëshirë të fatit, të rinjtë e zaptuan dhe nuk pranuan ta lëshonin derisa e kthyen në qendër arti- sot ndër më të mirat.

Kinema “Zvezda” në Beograd ishte një prej kinemave më popullore në qytet, deri më 2007 kur pas një privatizimi ra në duart e një biznesmeni lokal që kishte si qëllim shkatërrimin e saj. E shpëtuan duke e zaptuar- qëndruan 40 ditë brenda derisa morën të drejtën të kishin.

Të rinjtë e Kosovës dhe ata të Beogradit i “pushtuan” institucionet që donin. Asgjë nuk është e lehtë, kush tha se do të ishte? Lufta nuk fitohet në tavolinë, në tavolinë bëhen pazare.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/06/30/teatri-nderi-i-humbur-i-elitave-dhe-rastet-e-kinemase-zvezda-e-termokiss/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: