Opozita e bashkuar i kërkon kryetarit të Kuvendit të mos përfshijë në seancën e së enjtes ligjin për teatrin. Në një letër të përbashkët që dy kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili i kanë dërguar Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi thuhet se “miratimi ‘pro’ i Dekretit të Presidentit, sjell automatikisht rrëzimin në tërësi të ligjit.”

Spaho dhe Vasili vënë në dukje se, në kushtet kur Komisioni përgjegjës pranoi dekretin, i vetmi veprim që duhet të kryejë Kuvendi në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren është votimi pro i dekretit dhe kthimi i ligjit mbrapsht në qeveri.

“Kuvendi nuk mund të rimiratojë të njëjtin ligj me përmbajtje të ndryshuar në vetëm pak dispozita të tij dhe vetëm për një element. Votimi Pro dekretit të Presidentit të Republikës në këtë rast pamundëson prezantimin e çdo ndryshimi të mundshëm në ligj, për shkak se ligji është rrëzuar në tërësinë e tij. “- thuhet në letrën e opozitës.

Në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, opozita kërkon gjithashtu ndërprerjen e çdo procedure legjislative për ligje/projektligje, për të cilat janë ngritur pikëpyetje mbi kushtetuetshmërinë e tyre.

Edhe pas ndryhsimeve të paraqitura nga PS, ditën e djeshme në Komision, opozita shprehet se ky ligj i paprecedentë është një akt korruptiv dhe kriminal, që asgjeson Kushtetutën dhe ligjëron tjetërsimin korruptiv të pasurive publike.

LETRA E PLOTË
Z.Ruçi,
Mazhoranca juaj parlamentare, me arrogancë dhe në dhunim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, miratoi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociim dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Ky ligj i paprecedentë në përmbajtje dhe qëllim që synon prishjen e godinës historike të Teatrit Kombëtar, duke shkatërruar një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, përbën gjithashtu një akt të qartë korruptiv dhe kriminal, i cili asgjëson Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjëron tjetërsimin korruptiv të pasurive publike.

Në ushtrim të përgjegjësive kushtetuese, Presidenti i Republikës dekretoi për rishqyrtim në Kuvend të ligjit  nr. 37/2018, duke evidentuar qartësisht disa shkelje kushtetuese që rrëzojnë ligjin në tërësinë e tij. Gjithashtu, Presidenti i Republikës ka evidentuar se Kuvendit ka detyrimin të rishoh qëndrimin e tij për ligjin në tërësi, në kushtet e paprecedenta kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk është funksionale për të verifikuar këto konstatime, apo për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje kushtetuese që mund të prodhojë hyrja në fuqi e kësaj norme të veçantë ligjore.

Dje, Komisioni Parlamentar përgjegjës, votoi “pro” Dekretit të Presidentit të Republikës, duke mos bërë asnjë konstatim të ndryshëm nga ai që kishte evidentuar Kreu i Shtetit. Miratimi i Dekretit të Presidentit, që për nga konstatimet e bëra, rrëzojnë ligjin në tërësi dhe jo në dispozita të veçanta të tij, nënkupton rrëzimin e plotë të ligjit. Në këtë kuadër, kuvendi i Shqipërisë, pasi Komisioni përgjegjës ka votuar “pro” Dekretit të Presidentit të Republikës, ka vetë një detyrë: Të votojë “pro” Dekretit. Në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë Kuvendi nuk mund të rimiratojë të njëjtin ligj, me përmbajtje të ndryshuar në vetëm pak dispozita të tij dhe vetëm për një element. Votimi pro dekretit të Presidentit të Republikës në këtë rast pamundëson prezantimin e çdo ndryshimi të mundshëm në ligj, për shkak se ligji është rrëzuar në tërësinë e tij.

Nëse qeveria është e vendosur në ekzekutimin e këtij akti korruptiv dhe antikushtetues, duhet të rimarrë iniciativën ligjore, duke marrë përsipër edhe të gjithë përgjegjësinë, politike dhe ligjore që buron nga një akt që është mirfilltazi atentat kushtetues dhe i hap rrugë praktikës së grabitjes me ligj të pasurive publike, për qëllime klienteliste dhe korruptive.

Për sa më lart, opozita parlamentare, në përputhje me nenin 81 dhe 85 të Kushtetutës, kërkon nga Kryetari i Kuvendit, të ndalojë menjëherë çdo tentativë për të përfshirë në seancën e nesërme plenare, të miratimit të ndryshimeve në ligjin nr. 37/2018. Për më tepër, ndryshimet e propozuara në mënyrë antikushtetuese nga maxhoranca, nuk eliminojnë në vetvete asnjë nga konstatimet e drejta dhe kushtetuese të bëra nga Presidenti i Republikës. Reflektimi i konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës mund të arrihet vetëm nëpërmjet rrëzimit tërësor të ligjit.

Kuvendi në seancë plenare, mund dhe duhet të votojë vetëm “pro” dekretit të Presidentit të Republikës dhe në përputhej me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, Kryetari i Kuvendit do të duhet që t’ia kthejë ligjin mbrapsht qeverisë, duke i tërhequr vëmendjen për propozimin antikushtetues që ka bërë dhe për propozimin e një iniciative korruptive dhe klienteliste, duke tentuar të fshehë paligjshmërinë pas votimit të deputetëve të Kuvendit.

Gjithashtu ju si Kryetar i Kuvendit jeni i vetëdijshëm që aktualisht në Shqipëri mungon organi kyç që i tregon ekzekutivit dhe legjislativit dhe me raste dhe gjyqësorit, kufijtë kushtetues të ushtrimit të pushtetit. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese ia pamundëson opozitës frenimin e abuzimeve me pushtetin me mjete institucionale. Për pasojë, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese vlerësohet si kundërpushteti që garanton funksionimin demokratik e kushtetues të shtetit, dhe mungesa e së cilës i heq opozitës një mekanizëm institucional të rëndësishëm mbikëqyrës ndaj qeverisë dhe legjislativit, kërkojmë nga Kuvendi ndërprerjen e çdo procedure legjislative, për ligje/projektligje, për të cilat janë ngritur pikëpyetje mbi kushtetueshmërinë e tyre, jo vetëm institucionalisht nga Presidenti i Republikës (si garanti i vetëm institucional i Kushtetutës aktualisht në vend), por edhe nga një grup deputetësh. Rasti tipik për këtë është pikërisht ligji nr. 37/2018.

Për të gjitha sa më lart, në emër të opozitës parlamentare, kërkojmë që në seancën e nesërme plenare të mos përfshihet për votim, asnjë ndryshim i ligjit nr. 37/2018, por vetëm miratimi ‘pro’ i Dekretit të Presidentit, që sjell automatikisht rrëzimin në tërësi të ligjit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb