Rikthehet për të dytën herë “Festa e Fërgesës” në mjediset e Kalasë së Tiranës, një traditë me pjesëmarrjen e restoranteve tradicionale dhe artizanëve. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi organizime të tilla që synojnë nxitjen e interesit të të rinjve ndaj traditës.

Teksa solli në vëmendje gjendjen e degraduar në të cilën ishte hapësira e Kalasë dhe transformimin e saj në një kohë të shkurtër në atraksion turistik, Veliaj theksoi se kjo vjen falë vendosmërisë së një shumice të heshtur, e cila bindi një minorancë të zhurmshme. “Edhe në këto ditë, kur Shqipëria kalon prapë debate, nëse përmirësimi i disa godinave, hapësirave dhe institucioneve siç mund të jetë Teatri i Ri, Bulevardi i Ri apo zgjatimi i Lanës, kur ti shikon që përballesh me të njëjtën histeri si këtu, kur na thoshin se ferrat ishin simbole kombëtare dhe duhet të ruanim çdo gjë që nuk ishte pjesë e identitetit tonë, vë buzën në gaz dhe them: me kurajo, me guxim, me vendosmëri, shumica e heshtur arrin të bindë edhe një minorancë të zhurmshme pse gjërat duhen përmirësuar”, tha Veliaj.

Veliaj Festa E Fergeses (6)
Veliaj Festa E Fergeses (6)

Ai u shpreh se investimet e Bashkisë së Tiranës synojnë pikërisht përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. “Emocionohem kur vij këtu, kur shkoj tek këndi i lodrave te Liqeni, kur shkoj tek Pazari i Ri, kur dal nga zyra në shesh dhe shoh sheshin plot jetë; këto më kujtojnë se për kë i bëjmë këto gjëra. I bëjmë për njerëzit, nuk i bëjmë për rraqe, nuk i bëjmë për makinat, nuk i bëjmë për pllakat, për shtyllat, i bëjmë për njerëzit”, deklaroi Veliaj, ndërsa shtoi se puna për rikualifikimin do të fillojë edhe me pjesën tjetër të Kalasë.

Kryebashkiaku tha se vizionar nuk është dikush që i bashkohet turmës, por ai që arrin të shohë me sytë e mendjes disa vite përpara të tjerëve, se çfarë gjëra të bukura mund të bëjmë kur bashkëpunojmë. “Unë mezi po pres që të fillojmë të rregullojmë dhe hapësirën tjetër të Kalasë; jam i sigurt se edhe aty do të thonë mos ma prek, mos ma prek, por po nuk prekëm, po nuk vumë dorë, kjo hapësirë nuk rregullohet vetë. Vizionar nuk është dikush që i bashkohet turmës, por dikush që arrin ta shohë me sytë e mendjes disa vite përpara të tjerëve, se çfarë gjëra të bukura mund të bëjmë ne shqiptarët kur bashkëpunojmë, kur fantazojmë dhe ëndërrojmë me pasionin e shpirtit tone”, tha ai.

Veliaj Festa E Fergeses (7)
Veliaj Festa E Fergeses (7)

Veliaj shtoi se edhe në 4-vjeçarin e ri, puna do të vijojë me të njëjtin përkushtim për të ndërtuar qytetin e ëndrrave tona. “Mezi pres që në këto 4 vite të vazhdojmë ta bëjmë Tiranën një qytet për së mbari. Besoj se Tirana, përveç këtyre vendeve ikonë, gjithmonë e më shumë do të njihet për kulturën e kulinarisë, të asaj që quhet “Made in Tirana”. Kemi nisur një traditë me disa eksperimente që kemi bërë me hapësirat e Kalasë, të Pazarit, ose panairet biofest në Shën Gjergj për domaten dhe në Baldushk për gjelin e

detit, por besoj se ka ardhur koha të bëjmë edhe panairin e vajit, të verës etj. Kur kalendari ynë mbushet me evenimente të tilla që na mbledhin bashkë, përtej bindjeve që kemi, besoj se realisht kemi arritur qytetin e ëndrrave tona”, deklaroi ai.

Mbështetja e bizneseve të vogla dhe e artizanëve përmes panaireve dhe eventeve të vazhdueshme është një nga prioritetet e Bashkisë së Tiranës, duke i dhënë nxitje ekonomisë lokale, por dhe ruajtjes e promovimit të identitetit të kryeqytetit dhe njohjes së tij nga vizitorët e huaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb