TIRANE- Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Musafaj ka deklaruar se rikthimi i ligjit për Teatrin Kombëtar nga Presidenti Ilir Meta është një shans që kreu i shtetit po i jep mazhorancës që të tërhiqet nga projekti i saj.

Teksa foli në rubrikën opinion në “News 24”, Mustafaj u shpreh se vendimi i kreut të shtetit përmbush pritshmërinë e shumicës së opinionit publik në vend. “Presidenti Meta i ka dhënë dhe një shans tjetër qeverisë për të reflektuar. E përshëndes veprimin e Presidentit Meta”,- tha Mustafaj.

Ish-ministri ka theksuar se kreu i shtetit nuk është përfshirë politikisht në çështjen e Teatrit Kombëtar, por ka mbajtur një qëndrim korrekt ligjor duke treguar problemet kushtetuese që ka shembja e kësaj godine historike. “Z .Meta ka ditur të ruaj anën parimore dhe të mbaj larg institucionin e Presidencës gjithë kësaj kohe. Presidenti Meta nuk është partizan politik, nuk jam nga ata që mendoj se Meta ka ruajtur këtë ligj për të nxjerr inatet me Ramen. Meta prej kohësh është në pozicionin e tij institucional larg konflikteve”,- shprehet Besnik Mustafaj.

Ish-ministri ka kritikuar dhe qëndrimin e mazhorancës lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar. Ai tha se kontrata mes Qeverisë dhe firmës private është një marrëveshje okulte biznesi.
“Qeveria dhe bashkia e Tiranës janë peng i një marrëveshjeje okulte me biznesin që do ndërtojë kullën. Duhet të ketë gjëra më të mëdha që e bëjnë maxhorancën kaq të verbër. Opozita nuk është në parlament por edhe sikur të jetë, ka vetëm retorikën sepse maxhoranca i ka votot. Presidenti ka dhënë argumentet. Është dhe letra me rekomandimet që vjen nga Brukseli.
Një pjesë e madhe e vërejtjeve përputhen me vërejtjet e Bruskelit. Presidenti nuk ka një mekanizëm bllokues por duhet marrë seriozisht. Presidenti është në anën e artistëve dhe në një farë mënyre të shoqërisë. Çështja e tetarit ka marrë përmasa politike. Ka marrë sensibilitet. Njerëzit që i kanë shijet të lidhur drejtpërdrejt me sallën e teatrit janë të kufizuar numerikisht edhe në Paris jo më në Tiranë. Metafora e Teatrit është e rëndësishme”, deklaroi Mustafaj.

Ish-ministri i Jashtëm ka komentuar dhe paktin detar me Greqinë. Ai deklaroi se Presidenti Meta me qëndrimet e tij ka treguar se ka rezerva për paktin që po negociohet mes dy vendeve. Mustafaj shtoi se qeveria shqiptare nuk po tregohet transparente në këtë marrëveshje.
“Qeveria jonë dhe Bushati nuk janë të qartë në negociatat. Greqia flet me siguri, por Qeveria shqiptare po e vendos presidentin në pozitë të vështirë, pasi nuk ka Gjykatë Kushtetuese që mund të jepte një vendim final”,- deklaroi Besnik Mustafaj.

Ai foli dhe për çështjen “Babalja” duke u shprehur me shqetësim për përfshirjen e institucioneve.
“Mua më duket se tani, sidomos me regjistrimin e fundit, realisht problematika bëhet shumë shqetësuese. Deri tani problematika nuk prekte thelbin e asaj që ekziston që vëllai i ministrit është në burg. Tani me këtë të fundit, ku tregohet kush e ka porositur këtë aktorin që do luante rolin e Agron Xhafajt në serinë e parë dhe ku implikohet emri i drejtorit të policisë dhe i disa oficerëve të tjerë policie dhe i prokurorisë, kthehemi në një problem thelbësor për shoqërinë.
Aty është me zë dhe me figurë. Prokuroria dhe institucionet e tjera duhet ta sqarojnë mirë këtë gjë. Jam pjesë e asaj pjese të opinionit publik që e beson deklaratën e tij për drejtorin e policisë”, tha Mustafaj.

(n.m/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb